Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi dhe drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Naim Hajra, kanë biseduar me Kryeinspektorin e Minierave të Kosovës, Fatmir Gërguri, për intensifikimin e bashkëpunimit të dy institucioneve rreth parandalimit të operimeve ilegale për shfrytëzimin e thëngjillit, rërës, zhavorrit dhe resurseve tjera.
Kryeinspektori Gurguri ka kërkuar ndihmën e institucioneve komunale dhe në veçanti të inspektorëve komunal, për parandalimin e operatorëve ilegal të shfrytëzimit të thëngjillit, zhavorrit e resurseve tjera në territorin e komunës së Mitrovicës.
“Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerare, ka bërë shumë në parandalimin e operatorëve ilegal të shfrytëzimit të thëngjillit, zhavorrit, rërës e resurseve tjera nëpër komunat e Kosovës, duke shqiptuar dënime të shumta në vlerë prej rreth 250.000 euro, për operatorët ilegal. Mirëpo, operimet nuk kemi mundur t’i parandalojmë, andaj kërkojmë mbështetjen e institucioneve komunale dhe sidomos të inspektorëve komunalë për parandalimin dëmeve që po i shkaktojnë operatorët ilegal”, tha ai.
Kryeinspektori Gerguri, tha se përveç dëmeve materiale që po shkaktojnë, këta operatorë po rrezikojnë edhe shëndetin dhe jetën e punëtorëve dhe të qytetarëve, andaj edhe shtrohet nevoja e bashkërenditjes të aktiviteteve të Komisionit dhe institucioneve komunale për parandalimin e veprimtarisë së tyre.
Ai tha se inspektorët komunalë do të ndihmonin shumë nëse identifikojnë nëpër tregje shitësit dhe prejardhjen e materialeve dhe nëse do të njoftonin inspektorët e nivelit qendror, të cilët do të konfiskonin materialet dhe në këtë mënyrë do të bëhej parandalimi i operatorëve të ndryshëm e të shumtë, të cilët nuk respektojnë fare ligjet në fuqi.
Nënkryetari Kamberi dhe drejtori Hajra, thanë se organet komunale dhe në veçanti inspektorët komunalë janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me inspektorët qendrorë dhe të japin kontributin e tyre në parandalimin e operatorëve ilegal, por duke vepruar gjithnjë mbi baza ligjore dhe duke mos i ngatërruar kompetencat.
Ata premtuan se inspektorët dhe organet komunale tash e tutje do të intensifikojnë aktivitetet e tyre në këtë drejtim dhe se do tu përgjigjen kërkesave ligjore të kryeinspektorit dhe inspektorëve tjerë të Kosovës.