Dëshmori i kombit, Gëzim Dervishaj, u lind më 18 nëntor të vitit 1978, në një familje të ndershme e bujare, në fshatin Irzniq të Deçanit.
Prindërit Shaban Hasan Dervishaj dhe Shkurte Jakup Hulaj, bijë e fshatit Prejlep, i lindën dhe i rritën shtatë fëmijë: Gëzimin, Bekimin, Shpresën, Aliun, Ilmiun, Saniun dhe Bukurijen, të cilëve u dhanë një edukatë të shëndoshë njerëzore e kombëtare. Gëzimi ishte gëzimi i parë i familjes. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në fshatin e lindjes, si nxënës shembullor në mësime e në sjellje, ndërkaq studimet i vijoi në Fakultetin e Edukatës Fizike në Universitetin e Prishtinës, të cilat i ndërpreu për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në vendlindjen e dëshmorit Gëzim Dervishaj, në Irzniq, për më shumë se katër muaj me radhë (prill-gusht 1998) funksionoi Spitali Ushtarak i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, ku iu mjekuan plagët e luftës jo vetëm qindra luftëtarëve të lirisë, por edhe qindra civilëve, si dhe filluan edhe shumë jetë të reja; ishte selia e Një- sisë Speciale për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e Zeza” e Zonës Operative të Dukagjinit, e drejtuar nga komandanti Idriz Balaj, të cilës iu bashkuan edhe djemtë më të mirë e më të përgatitur të Irzniqit, për të marrë pjesë në frontet më të rrezikshme të luftës; për një kohë ishte edhe selia e Policisë Ushtarake të Zonës Operative të Dukagjinit, nën drejtimin e heroit të tri luftërave çlirimtare, Fadil Nimani – Komandant Tigri. Ishte vendi ku iu dha bukë e u strehuan qindra të zhvendosur nga lufta.
Menjëherë pas betejës heroike të 24 marsit të 1998, në Gllogjan, ku pas më se dhjetë orë luftimesh të përgjakshme forcat serbe u detyruan të tërhiqen me turp, banorët e fshatit të afërm Irzniq ishin ndër të parët që u mobilizuan dhe iu bashkuan luftës për liri. Për këtë meritat më të mëdha i takojnë dëshmorit Maxhun Çekaj, Komandant i Shtabit Lokal të UÇK-së në Irzniq, i cili ishte i vetëdijshëm se në këtë fazë nuk mund të kishte rrugë tjetër për ta fituar lirinë, përveç luftës së armatosur. Prandaj, që nga 17 prilli i vitit 1998, në radhët e UÇK-së u mobilizuan 172 luftëtarë lirie, në mesin e të cilëve, pa dyshim se që në kushtrimin e parë u mobilizua edhe Gëzim Dervishaj, bashkë me babanë, Shabanin dhe vëllain, Bekimin. Që nga fillimi, Gëzimi i përgatitur psikikisht e fizikisht, u shqua për përvetësimin e shkathtësive luftarake në përdorimin e armëve, vendosmëri në luftë për liri e gatishmëri të jashtëzakonshme për aksione luftarake e pjesëmarrje në beteja. Me heroizëm të rrallë Gëzimi qëndroi e luftoi në vijat e para të frontit në Prejlep, Carrabreg (Gërdaja), Baballoç, etj., ku luftimet ishin të përditshme e të përgjakshme.
Ofensiva e gushtit të vitit 1998 ishte ndër ofensivat më të rrepta e më të gjera, ku forcat serbe kishin mobilizuar mbi 5 mijë forca këmbësorie. Bashkë me to ishte edhe një brigadë që përbëhej nga mercenarë rusë e të tjerë të përgatitur mirë e të armatosur gjer në dhëmbë, të përcjellë me njësi të motorizuara, të përbëra nga dhjetëra tanke, praga e mjete tjera të blinduara të cilat mbuloheshin nga granatimet e artilerisë së kombinuar, të cilët ia kishin mësyrë edhe vijës së frontit në Gërdaja (ndërmjet fshatrave Prejlep e Carrabreg), një vijë mjaft e papërshtatshme për luftë, ku luftëtarët e UÇK-së, nën drejtimin e komandantit të kësaj vije të frontit Maxhun Çekaj, treguan heroizëm të jashtëzakonshëm. Për tri ditë me radhë (9-11 gusht) u luftua për jetë a vdekje, ku 50-60 luftëtarë të UÇK-së, përballuan për orë të tëra sulmet e armikut, të cilit iu vranë mbi 20 ushtarë, policë e paramilitarë. Pas 12 orë luftimesh të rrepta e të pabarabarta, në Gërdaja, më 11 gusht të vitit 1998, bie heroikisht komandanti Maxhun Çekaj e pranë tij edhe luftëtari Naser Idrizaj nga Kodralia, kurse Gëzimi mori plagë të rënda, sikurse edhe bashkëluftëtarët e tjerë, si Ismet Haskaj e Demë Zejnaj, po nga Irzniqi. Bashkëluftëtarët ia dhanë ndihmën e parë dhe arritën ta tërheqin nga vija e parë e frontit dhe ta sjellin në Spitalin Ushtarak në Irzniq, por Gëzimi nuk arriti t’u mbijetojë tri plagëve të rënda.
Më 12 gusht, në rrethana tepër të rënda lufte shokët e dërguan trupin e dëshmorit deri në fshatin Baran të Pejës, ku u varros me nderime të larta.
Përveç rënies heroike të Gëzimit, gjatë luftës është martirizuar edhe nëna e tij, Shkurta. Më 29 mars 1999, forcat ushtarako-policore serbe ndërmorën një ekspeditë kundër banorëve shqiptarë të cilët pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998 ishin kthyer në fshatin Irzniq, duke vrarë e masakruar banorët dhe duke e djegur fshatin për të dytën herë. Përderisa burrat e zënë si vëllezërit Himë D. Dervishaj (49) dhe Tahir D. Dervishaj (44), vëllezërit Hajdar S. Daci (1941) dhe Tahir S. Daci (1936), pleqtë Hajdin Dervishaj (1927) dhe Zeqë Isuf Dervishaj (1933), i ekzekutuan brenda në shtëpitë e tyre, të cilave më pas ua vunë zjarrin, gratë dhe fëmijët grupe-grupe ashtu siç i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, të tmerruar i detyruan të nisen në drejtim të Shqipërisë, duke shtënë në drejtim të tyre, duke i rrahur, keqtrajtuar e kërcënuar në format më barbare. Në çdo çast ndalimi apo shikimit pas që të shihnin të afërmit e tyre, pasonin breshëri automatikësh drejt grave e fëmijëve. Në njërën prej këtyre grupeve të të dëbuarve ishte edhe nëna e dëshmorit Shkurtë Dervishaj (1955). Sapo ecin afërsisht njëqind metra forcat serbe i urdhërojnë përsëri të ndalojnë, kur dëgjohet urdhri për shtënie në masën e grave e të fëmijëve. Ndërsa, në mesin e turmës, Shkurtë Dervishaj, qëllohet me një plumb në ballë. Të lemerisur, pengjet e tjera detyrohen të largohen e të strehohen atje ku munden. Vetëm pas tërheqjes së forcave serbe, në mbrëmjen e asaj dite, të afërmit e saj ishin kthyer dhe kishin arritur ta varrosin Shkurten.
Dëshmori i kombit Gëzim Dervishaj, pas përfundimit të luftës, është rivarrosur në ditë lirie, me nderime të larta ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Irzniq, më 11 gusht 1999. Tetë vjet më vonë, më 11 gusht 2007, në Irzniq u bë përurimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve dhe Martirëve të këtij fshati, ku Gëzimi me nënën e tij martire janë portretizuar përkrah njëri-tjetrit në përmendore.
Dëshmori Gëzim Dervishaj nuk ishte i martuar. Pas vetes ka lënë babanë Shabanin, vëllezërit e motrat. Pas rënies së dëshmorit familja Dervishaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin dëshmor dhe nënën martire. Mirënjohje familjes së dëshmorit i kanë ndarë Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, komuna e Deçanit, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Komanda e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” etj. Ai është përjetësuar në shumë libra e shkrime gazetash. Emrin e dëshmorit e mban një rrugë e fshatit të tij të lindjes. Dëshmori Gëzim Dervishaj ka hyrë përjetësisht në jetën e lavdishme të kombit. (F. R.)