Në 23-vjetorin e rënies së heroit të kombit, Naser Brahimaj, mbahen homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Shqiponjë të Gjakovës

Faton Mehmetaj: NASER BRAHIMAJ – BARDHECI (1976-1999)

Në nderim dhe përkujtim të Heroit të Kombit Naser Brahimaj, me rastin e 26 vjetorit të rënjës në altarin e Atëdheut!
Shqiponja dhe Dushkaja në pëgjithësi janë vende të qëndresës heroike ndër shekuj. Sa shumë ushtarë të ushtrive të huaja kanë mbetur në këto vende, sa luftra e beteja i kanë humbur pushtuesit në këto anë. Sa shumë trima lindi e rriti kjo trevë që i tmerruan armiqtë shekullor. Aty u strehuan dhe luftuan për kauzën e madhe çlirimtare edhe celulat e para guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fshati i parë i çliruar në trojet e shkëputura padrejtësisht nga trungu amë, ku për vite me radhë nuk guxoi të shkelë as policia, as ushtria serbe. Në rreshtin e kësaj plejade kaq të gjatë të luftëtarëve të Dushkajës dhe të Shqiponjës që bënë emër dhe lanë shumë gjurmë në historinë tonë kombëtare është edhe Naser Brahimaj.
Gjithmonë ishte krah dëshmorëve të kombit, si: Myrtë Zeneli, Driton Zeneli, Agim Zeneli, Luan Smajli, Sadri Zeneli, Valdet Hoti e shumë trimave tjerë. E donte dhe respektonte lokemadhen Aze Brahimaj, e cila për shumë vite me radhë ishte bërë nënë e shumë luftëtarëve të lirisë… Naseri në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është angazhuar në vitin 1995, bashkë me Lahi Brahimajn, Myrtë Zenelin etj. Kishte lidhje të mirëfillta edhe me Luan Haradinajn e më vonë edhe me Daut Haradinajn, të cilët ishin nipa të tyre. Naseri ishte ndër të parët që u dallua në mbrojtjen e fshatit më 1993, ndërsa në kudër të UÇK-së deri në fund u tregua luftëtar dhe organizator i denjë i luftës për liri.
Ai kishte lidhje të mirëfillta me komandant Kapuçin – Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Ilir Konushevcin, Sylejman Selimin etj. Ishte në lidhje të vazhdueshme me Adrian Krasniqin. Gjatë periudhës së ilegalitetit shumë shpesh ka shkuar në Shqipëri për të bërë furnizimin me armë. Shumë herë bashkë me Daut Haradinajn, Agim Zenelin, Gazmend Mehmetajn, Mujë Krasniqin, Rasim Kiqinën etj., ka bërë furnizimin me armë nga Shqipëria.
Naser Brahimaj, i njohur me emrin e luftës Bardheci, ishte pjesëmarrës pothuajse në të gjitha luftimet. Ishte njëra ndër lidhjet kryesore të shpërndarjes së armatimit të UÇK-së për rajonin e Dushkajës, dhe kishte përgaditje të mëdha si luftëtar. Naseri që nga inkuadrimi i tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krahas furnizimit me armë ka marrë pjesë në një varg aksionesh kundër forcave policore serbe, të kryera bashkë me kushërinjt Lahiun e Nazmiun.
Naseri ishte ndër të parët e fshatit Shqiponjë që më 1997 kishte hapur shtëpinë e tij dhe të xhaxhait të tij për t’u strehuar grupet që udhëtonin për Shqipëri, si grupi i udhëhequr nga Musa Jashari, Rasim Kiçina, Muharrem Xhemajli, Alush Agushi e grupe të tjera.
Naser Brahimaj dhe Lahi Brahimaj, luftëtarë të radhëve të para, janë të parët që dalin haptazi me uniforma të UÇK-së, më 4 mars 1998, në Shqiponjë. Naseri ishte anëtar i Shtabit të UÇK-së në Shqiponjë, i cili në atë periudhë luante një rol të rëndësishëm. Pas shpërthimit të luftës, një periudhë ka qenë koordinator i UÇK-së për rajonin e Dushkajës bashkë me Agim Zenelin. Ishte përgjegjës i vijave të frontit në Vranoc, Çeskovë, Kpuz, Kralan, Cermjan dhe Rakovinë. Një kohë të gjatë ishte përgjegjës për Pikën e Shqiponjës në Jabllanicë.
Naser Ibrahimaj mori pjesë me njësinë e vet në luftën e Loxhës, të zhvilluar më 6 korrik 1998, e cila përbëhej prej 35 luftëtarëve si: Nezir Neziri, Xhevdet Brahimaj, Florim Zeneli etj., të cilët ishin të përqëndruar nga drejtimi i Çerhaneve prej orës tetë të mëngjesit deri në orët e vona të pasditës, sa zgjati beteja. Mori pjesë dhe u dallua edhe në luftimet e zhvilluara në Kpuz. Naseri ishte përgjegjës për vijën e frontit Kpuz-Çeskovë-Bokshiq-Grabanicë.
Në maj të vitit 1998, në Kpuz për dy ditë radhazi janë zhvilluar luftime të pandërprera. Në këto luftime marrin pjesë tri njësi të UÇK-së nga Jabllanica: Njësia e komanduar nga Naser Ibrahimaj, Njësia e komanduar nga Agim Zeneli-Cergashi dhe Njësia e Myrtë Zenelit, dhe njësia e Alush Agushit nga Drenoci i Klinës. Naser Brahimaj, siç e vlerësonin shokët e tij të luftës, ishte shok, luftëtar dhe epror i afërt me ushtarët, dhe njëri ndër snajperistët më të dalluar në rajon. Përdorte në mënyrë të shkëlqyer edhe minahedhësit, mitralozët e rëndë, topat pa dridhje etj. Gjatë aksioneve guerile të ndërmarra kundër forcave të armikut, Naseri ka arritur të zë sasi të mëdha armatimi.
Ka merrë pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Sukë të Madhe prej 21 majit ’98 që shënon luftën e parë të hapur kundër ushtrisë jugosllave. Në këto luftime marrin pjesë edhe Xhelal Hajda-Toni, Agim Zeneli e Fadil Nimanaj me njësitë e tyre. Në këto luftime forcat serbe pësuan humbje të mëdha. Naser Brahimaj bashkë me shokët e pandarë Nezir Nezirin dhe Xhevdet Brahimaj etj., tregojnë një heroizëm të rrallë në betejën e parë të Shqiponjës, më 2 gusht 1998, kur ndeshen ballëpërballë me forca të shumta ushtarako-policore serbe. Ai dallohet edhe në betejën e dytë në shtator të vitit ‘98. Naseri me shokë merr pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Gllogjan të Rekës, më 12 gusht 1998.
Dallohet edhe në luftimet e zhvilluara në Dashinoc e Ratishë të Epërme, në janar të vitit 1999, kur bien heroikisht Nikë Sokol Hajdaraj, Çelë Sokol Ukaj dhe Zef Rrok Gjokaj, në këtë betej të madhe, luftëtarët e UÇK-së për nëntë ditë me radhë bëjnë një qëndresë vërtetë heroike dhe nuk lejojnë që për asnjë pëllëmbë të luajë vija e frontit.
Naseri bashkë me Lahiun, Nezirin, Xhevdetin etj, merr pjesë në luftimet e rrepta të zhvilluara më 27 e 28 mars 1999, në Lumbardh e Pozhar, ku njësitë e UÇK-së të prira nga Brigada 131 “Jusuf Gërvalla” me komandant Daut Haradinajn, armikut i shkaktuan dëme të pa parashikuara. Në këtë betejë bien heroikisht eprorët e kësaj Brigade, Elez Gecaj, Ndihmës-kommandant për Moral dhe e Maxhun Berisha, komandant kompanie.
Naser Brahimaj bie heroikisht ditën e fundit të ofenzivës, më 5 prill ’99, në pozicionet luftarake në Pikën tek Shkolla Fillore në Shqiponjë, të cilat i kishte ngritur Agim Zeneli, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, ku për orë të tëra zhvillohen luftime të rrepta në mes të UÇK-së dhe forcave të shumta serbe që sulmuan nga drejtimi i Gllogjanit të Nepoles me mjete të shumta luftarake dhe me një numër të papërshkruar të këmbësorisë. Për më se një orë e gjysmë, Naser Brahimaj, me mitroloz kundërajror 12.7 mm, për përdorimin e të cilit ishte mjeshtër i specializuar, arrinë të ndalë depërtimin e forcave serbe, derisa një plumb e mori në ballë. Ra atje ku zëri i shqiptarizmës buqiste fuqishëm në logun e betejave…
Pata rastin që ta barti trupin e këtij vigani bashkë me shokët tjerë duke e tërhequr trupin e tij deri tek varrezat e fshatit, dhe nën zbrazjen e qindra granatave e varrosëm me nderime ushtarake në Shqiponjë. Disa muaj pas rënies, Naserit i lindi djalë, të cilin e pagëzuan me emrin e të jatit. Tani ai rritet në Kosovën e lirë, me lavdinë e babajt të tij, i cili Lirisë së Kosovës ia fali edhe mundin, edhe gjakun. Jetën e barazoi me liri.
Lavdi Heroit Naser Brahimaj

Kontrolloni gjithashtu

Arbana Qeriqi: E paharruara shoqja ime Fetnete Maxhun Ramosaj

Në këtë përvjetor si dhe në të tjerët dua të vë në pah disa elemente …