Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se sot është mbajtur një mbledhje e Këshillit të Sigurisë. Kjo mbledhje është mbajtur pas disa ngjarjeve të zhvilluara në vendin tonë pak ditë më parë. Sipas Zyrës së Kryeministrisë, në këtë mbledhje është kërkuar që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë. “U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”, thuhet në mes tjerash në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
