Organizatat e dala nga lufta – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve – kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në asnjë organizim të përbashkët me Qeverinë e Kosovës për Ditën e Çlirimit. Ky vendim është marrë si një reagim ndaj asaj që këto organizata e quajnë një “qasje përbuzëse dhe mos respektuese” të Qeverisë, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ndaj kategorive që kanë dalë nga lufta. Në një komunikatë për media, ato shprehen se nuk do të pranojnë ftesat për pjesëmarrje dhe e theksojnë se respekti për sakrificën dhe kontributin e tyre për liri nuk mund të shprehet vetëm me fjalë, por me vepra. OVL e UÇK-së kishte bojkotuar edhe aktivitetet e organizuara nga Qeveria për 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për shkak se sipas tyre, qeveria nuk ka treguar asnjëherë gatishmërinë për të bashkëpunuar me organizatat që përfaqësojnë kategoritë e dala nga lufta.
