Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka refuzuar të flasë për mundësinë e vendosjes së vijave të kuqe me Lëvizjen Vetëvendosje , duke theksuar se preferojnë bashkëqeverisjen me partitë opozitare. Ai shtoi se pozicioni i PDK-së është i qartë dhe se besojnë që kandidati i partisë për kryeministër, Bedri Hamza, mund të krijojë një qeveri nëse LVV-ja dështon të bëjë një të tillë. Ismaili shpjegoi se programi dhe fushata e PDK-së janë të hapura dhe përfshirëse për të gjithë, dhe se ideja e vijave të kuqe nuk ka të bëjë me bllokimin e mundësisë për koalicione. Ai shtoi se, si opozitë, PDK-ja beson se është përgjegjësi e partisë fituese të formojë qeverinë, por nëse kjo dështon, është detyrë e partisë së dytë të kërkojë bashkëpunim me partitë e tjera. Në fund, ai shprehu besimin se Hamza është një person i aftë për të ndërtuar një koalicion të qëndrueshëm që do të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të qytetarëve.
