Në komunën e Vitisë ka nisur sot aksioni për pastrimin e ambientit, i organizuar nga institucionet komunale, në bashkëpunim me kompaninë “Eco Higjiena”, Policinë e Kosovës, KFOR-in amerikan, drejtoritë komunale, QKMF-në, këshillat e fshatrave dhe mekanizma të tjerë lokalë. Ky aksion zhvillohet nën moton “Ta pastrojmë ambientin” dhe do të zgjasë gjatë gjithë muajit prill, si pjesë e aktiviteteve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, që shënohet më 22 prill.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se ky aksion është ndërmarrë në mënyrë të bashkërenduar, me qëllim që të përfshijë sa më shumë qytetarë dhe institucione në ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit. “Ky është një aksion i përbashkët, që në mënyrë simbolike na gjen të gjithë së bashku, për të punuar për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm. Përgjatë gjithë muajit prill do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në të gjitha zonat e komunës”, theksoi Haliti.
Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e masave të kontrollit ndaj ndotjes, veçanërisht për ata që hedhin mbeturina në vende të palejuara. “Zbatimi i ligjit dhe ndërgjegjësimi qytetar do të ndikojnë në krijimin e një ambienti më të mirë për të gjithë”, shtoi ai.
Kryetari Haliti, së bashku me komandantin e Policisë së Kosovës në Viti, kapitenin Afrim Halili, përfaqësues të KFOR-it dhe qytetarë të tjerë, morën pjesë personalisht në aksionin e parë, duke pastruar parkun përgjatë lumit Morava.
Aksioni do të vazhdojë deri më 22 prill dhe gjatë kësaj periudhe pritet të realizohen një sërë aktivitetesh pastrimi në të gjithë territorin e komunës së Vitisë.