Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një Ushtri e Re, erdhi në Rrugën Kombëtare e cila me forcën e saj goditëse arriti t’i realizonte aspiratat, për të cilat kanë luftuar breza të tërë. Ajo, duke iu përgjigjur thirrjeve të kohës, arriti t’i krijojë vetes një emër të madh, përmblodhi dhe gërshetoi synimet e pareshtura kombëtare shqiptare, ambiciet e popullit shqiptar, aspiratat drejt së ardhmes kombëtare, me veprimtarinë politike, ushtarake, kulturore, humanitare, miqësore dhe me besnikërinë e shfaqur, duke dhënë shembullin më të mirë para historisë botërore. Kjo ishte Epoka më e Lavdishme e cila solli Lirinë dhe Republikën e Pavarur të Kosovës. Për këtë është dëshmi dhe garancë e pakonstetueshme Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjaku i mbi 2000 Dëshmorëve në Betejat e Lavdishme të UÇK-së, pjesë e të cilës ishin edhe dëshmorët Isen Elezi dhe Ramadan Xhokli që po i përkujtojmë sot, në këtë 26 vjetor.
Më 13 prill 1999 forcat serbe kishin rrethuar fshatrat: Lamaj, Kastrat, Tifekaj, Cakaj dhe Sllatinë, ku kishin filluar me sulme të rrepta nga të gjitha anët. Këtë ditë 11 qytetarë u vranë dhe u masakruan në Lamaj dhe Cakaj, si dhe 4 të tjerë në Sllatinë. Duhet të potencohet se forcat serbe në këto luftime nuk kursyen as bashkëpuntorët e tyre (shqipfolës). U vranë dhe u masakruan këta qytetarë: Ilir Osman Caka 15 vjeçar, Jakup Mustafë Caka 37 vjeçar, Mahmut Hasan Caka 45 vjeçar, Qemajl Jashar Deda 47 vjeçar, Nazmi Elezi 29 vjeçar, Brahim Lama 52 vjeçar, Hebib Lama 18 vjeçar, Rrahman Lama, Izahir Ilaz Salihu 16 vjeçar, Kemajl Ilaz Salihu 29 vjeçar, Sabri Ilaz Salihu 35 vjeçar, Shyqeri Beqir Alili 46 vjeçar si dhe doktor Vesel Xh. Elezi 41 vjeçar. Do theksuar për doktorin jemi njoftuar edhe nga populli edhe nga ushtarët e UÇK-së se në maksimum ai ka qenë në nivel të detyrës humane dhe kombëtare. Bazuar në betimin e doktorit (betimin e Hipokratit), ai deri në fund ka qenë në krye të detyrës humane. Dhe, përjetë i përulemi personalitetit të tij shembullor. Po këtë ditë 7 qytetarë janë plagosur dhe 8 janë zënë nga forcat serbe dhe janë maltretuar. (Për këtë më gjerësisht shih librin e Hajrush Kurtajt, Shungullon Gryka e Kaçanikut (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000 si dhe në librin e Hajrush Kurtaj, Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Prishtinë, 2012),
Ushtari i UÇK-së Isen Elezi atë ditë, më 13 prill 1999, ishte në krye të detyrës. Më 12.4.1999, me leje të komandës kishte shkuar në fshat, në përcjellje të një ushtari pasi që kishte qenë paksa i sëmurë, ushtari i lirisë i po të njëjtit fshat. Ata, së bashku, atë natë kanë pushuar në shtëpinë e tij në Sllatinë, më 13.4.’99, por para mëngjesit, ushtria serbo-sllave nga disa bashkëpunëtor-shqipfolës, janë njoftuar se në Sllatinë janë grumbulluar shumë qytetarë të ardhur nga shumë fshatra të tjera. Prandaj, forcat serbe së bashku me disa bashkëpunëtorë (fatkeqësisht shqipfolës) ata e kanë rrethuar edhe fshatin Sllatinë në atë mëngjes dhe duke vrarë qytetarë, ku atë ditë ra dëshmor Iseni në ballafaqim me ushtrinë serbe, po aq sa kishte municion qëndroi burrërisht – kombëtarisht i paepur. (Për më gjerësisht shih në librin e Hajrush Kurtajt, Flakë e Pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë). Ndërsa, fatkeqësisht edhe fshati Sllatinë si ato tjerat përreth u dogjën dhe u shkatërruan pothuaj tërësisht nga forcat barbare serbe.
Vlen të theksohet edhe fakti se Iseni ka marrë pjesë në luftë në Jezerc në kuadër të njësitit të Kaçanikut deri në fund të shtatorit 1998, në komunën e Ferizajt. Gjithashtu ai vazhdoi angazhimin në Brigadën 162 “Agim Bajrami” në komunën e Kaçanikut, ku ishte ishte pjesëmarrës i Betejës në Ivajë, kur dhe ku e kërkonte nevoja. Ai përjetoi shumë ofensiva që ndërmorën hordhitë serbo-sllave ndaj ushtrisë dhe popullatës shqiptare. (Më gjerësisht shih në ditarin e Hajrush Kurtajt, Në Rrugën e Lirisë (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë, 2012),
Gjithashtu edhe ushtari i UÇK-së Ramadan Xhokli mori pjesë në shumë aksione dhe beteja, si në Jezerc gjatë kohës 24–28 shtator 1998. Ramadani me njësitin e Kaçanikut kishte shkuar në ndihmë pas masakrës së Reçakut të bërë, më 15 janar 1999, atje nga forcat okupatore serbe. Aktiviteteti i tij luftarak në Jezerc, Mollopolc, Reçak dhe Rancë vazhdoi deri më 28 shkurt 1999, kur filluan luftimet intensive frontale në territorin e Kaçanikut. Ramadani ka marrë pjesë edhe në Betejën e Ivajës, më 8 mars 1999, si dhe në shumë beteja të tjera. Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, bazuar në angazhimin e jashtëzakonshëm të tij, e emëroi komandant skuadre.
Më 13 prill 1999 forcat serbe kishin rrethuar fshatrat: Lamaj, Tifekaj, Cakaj dhe Sllatinë, ku kishin filluar me sulme të rrepta nga të gjitha anët. Komandanti i skuadrës, Ramadan Xhokli, kishte shkuar për ta çarë rrethimin dhe për t’i dalë në ndihmë popullatës civile. Forcave armike u kishin arritur përforcime nga të gjitha anët si Ferizaji, Gjilani dhe Prishtina. Po luftohej për mbrojtjen me çdo kusht të çdo shtëpie dhe të popullatës civile. Në luftimet e ashpra, te Kodra e Cakës në Sllatinë, në fushën e nderit bie luftëtari trim Ramadan Xhokli, ndërsa plagoset Ramadan Murseli. (Më gjerësisht shih librin e Hajrush Kurtajt (Flakë e Pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë)
Për luftën e UÇK-së si dhe heroizmin e këtyre luftëtarëve, të gjithë të interesuarit mund t’i gjejnë dëshmitë në arkivat e UÇK-së dhe Komunës së Kaçanikut, ku mund t’i gjejnë shkrimet nga fjalimet e autoriteteve komunale, organizatave të luftës, bashkëluftëtarët dhe vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto organizime janë mbajtur nën patronatin e institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës. Por dëshmi më e fortë është lufta e UÇK-së, sakrifica e kombit dhe gjaku i derdhur të dëshmorëve, martirëve, për lirinë e Kombit dhe Atdheut!
Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës