Deputeti i sapozgjedhur nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha, shprehu skepticizëm lidhur me mundësinë e formimit të një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Gjatë deklaratës për mediat pas regjistrimit në Kuvend, Berisha theksoi se nuk pret ndonjë zhvillim të tillë dhe potencoi se Kuvendi duhet të konstituohet nesër. “Qeveria s’ma merr mendja që bëhet”, deklaroi ai, duke shtuar se është duke u punuar drejt një qeverie të përbashkët të opozitës, për të cilën AAK ka qëndrime të qarta. Duke komentuar mbi marrëdhëniet me Nismën – partinë partnere në koalicionin parazgjedhor – Berisha la të kuptohet se mund të ketë ndodhur një thyerje e besimit. “Kam besu fuqishëm që do të ndërtojmë një qeverisje të opozitës. Ndoshta është thyer besa, por ta shohim. Nuk mund të flasim para kohe”, u shpreh ai.
