Vlora Çitaku, deputete e zgjedhur nga radhët e PDK, ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti nga posti ekzekutiv dhe uljen e tij në Kuvend si deputet. Çitaku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ajo, dështim në sigurimin e shumicës parlamentare dhe për përfshirje në marrëveshje me Listën Serbe. Albin, jep dorëheqje nga pozita e Kryeministrit. Eja, ulu si deputet dhe përfundon kjo punë. Në fund të fundit, ligjin për këtë e keni miratuar vetë, ka shkruar Çitaku. Ajo i ka bërë thirrje VV-së që të heqë dorë nga, siç i cilësoi, “akuzat e zbrazëta”, duke nënvizuar se janë vetë ata që po komunikojnë me Listën Serbe për qëllime politike. Çitaku gjithashtu ka theksuar se, ndërsa në Kuvend po luhet një “dramë e dobët”, qytetarët e Kosovës po përballen me sfida të rënda ekonomike, përfshirë rritjen e kostove të jetesës dhe çmimet e energjisë. Drama e vërtetë po përjetohet çdo ditë nga familjet kosovare, me çmime të papërballueshme të energjisë dhe rritje enorme të kostos së produkteve bazike, përfundoi ajo.
