Shqipëria këndej Drinit (sidomos Republika e Kosovës), populli dhe demokracia e saj po dhunohen si rrallëkund nga partitë e udhëhequra nga njerëz pa integritet moral, politik, intelektual e kombëtar!
Partitë politike në Republikën e Kosovës janë përgjegjëse për degradimin dhe degjenerimin e sistemit politik, të demokracisë dhe të vetë substancës shtetërore e kombëtare.
Sistemi zgjedhor, i zgjedhur nga partitë politike, pa debat e pa as një kundërshtim, është treguesi më i saktë i karakterit dhe (anti) vlerave të këtyre partive! Këto parti (parlamentare e jo parlamentare) u pajtuan pa më të voglën mosmarrëveshje për sistemin (ligjin) zgjedhor, i cili qytetarit të Kosovës ia jep në dorë 10 vota!!
Parimi demokratik e civilizues “një qytetar, një votë” në Republikën suis generis të Kosovës nuk vlen!!
Si çdo qytetar në botë, edhe Amerikani, qytetar i shtetit më të fuqishëm në botë, ka vetëm një votë, kurse shqiptari – qytetari i Republikës së Kosovës, i shtetit më të dobët në botë, açik krejt botës, i ka 10 vota!! O tempora, o mores!
Veç kësaj, Kosova është e gjitha një zonë zgjedhore! Dhe, për këtë sistem skandaloz, degjenerues, antidemokratik, antishtetëror, anticivilizues (madje, në thelbin e tij edhe antishqiptar), korruptues e manipulativ, heshtën si mumjet edhe OJQ-të e mediet e “sponzorizuara” nga fonde të dyshimta!! Kudo heshtje varri për kryeçështjen e një shoqërie të emancipuar e demokratike!
Heshtën dhe po heshtin edhe ata që kanë “shkrirë ” rininë e tyre burgjeve të pushtuesit dhe që luftuan në frontin e ideve, në kohët kur nuk shihej dritë në fund të tunelit, dhe luftuan edhe me armë në dorë për liri e barazi, për të drejta kombëtare e demokratike, për vlera të qytetërimit evropian e jo për ato të xhunglës!!
Ka nga këta veprimtarë e luftëtarë të dikurshëm që edhe broçkullisin në medie e në rrjete sociale kush për njërën parti e kush për tjetrën!! Mjerim njerëzor, intelektual e kombëtar!
Ata që nuk e kanë kuptuar se degradimi e degjenerimi i sistemit dhe i institucioneve politike vjen nga sistemi zgjedhor kot që besojnë se dinë diçka! Me këtë brum s’mund të kesh bukë tjetër. Merren kot me pasojat kur nuk i njohin ose nuk duan t’i njohin shkaqet.
Gjithë ditën e gjithë natën, “politikanë, opinionistë të paguar, ” gazetarë “, që nuk e flasin e nuk e shkruajnë gjuhën e tyre drejt (pa kulturë e pa dije elementare) e lloj-lloj “analistësh” e sharlatanësh, dërdëllisin e shkarravisin duke fajsuar njërin e duke arsyetuar tjetrin, duke akuzuar njërin e duke himnizuar tjetrin!
Veç me thelbin e çështjes nuk merren, sepse nuk guxojnë t’i hidhrojnë bosët e partive dhe grupet mafioze që kontrollojnë partitë dhe sistemin politikë e shtetëror!
Me këtë sistem zgjedhor bosët dhe grupet që i kontrollojnë partitë e orientojnë votën dhe e kontrollojnë rezultatin gati një qind për qind!
Me këtë sistem zgjedhor rezultatet e zgjedhjeve janë plotësisht të manipulueshme dhe të korruptueshme.
Ky sistem zgjedhor i ka degraduar, shpërfytyruar dhe degjeneruar edhe vet partitë politike dhe pilitikën!
Me këtë sistem zgjedhor ka garë midis partive politike, por nuk ka garë midis kandidatëve të partive kundërshtare!
Me këtë sistem zgjedhor kryetarët e partive dhe 4 – 5 të parët e listës nuk janë në garë fare, ata e kanë votën të garantuar, sidomos ata që kanë numrin 1!
Me këtë sistem zgjedhor votuesi nuk krijon marrëdhënie politike me të zgjedhurin!
Deputeti, zakonisht, nuk e di kush janë votuesit e tij dhe votuesit nuk e dinë kush është deputeti që i përfaqëson!!
Me këtë sistem zgjedhor partitë degjenerojnë në parti familjare ose në parti komunale.
Nga këto zgjedhje nuk mund të kesh institucione kredibile, të suksesshme dhe që u shërbejnë interesave të vendit e të popullit.
Kësaj katrahure kur t’i shtohet edhe ligji për qeverisjen vendore (lokale), që prodhon 38 princër (kryetarë komunash), që nuk i japin kujt llogari dhe as nuk i kontrollon kush, atëherë gjendja bëhet edhe më shqetësuese!!
Ky sistem zgjedhor për deputetët dhe ligji për qeverisjen vendore e minojnë, e sabotojnë dhe e degjenerojnë (siç e kanë degjeneruar!) Republikën e Kosovës dhe shoqërinë tonë, të ardhmen tonë shqiptare.
Prandaj, urgjentisht, nëse nuk është shumë vonë, populli shqiptar në Kosovë duhet të bëjë presion dhe të angazhohet për ndryshimin ose përmbysjen e këtij sistemi zgjedhor dhe të këtij ligji për qeverisjen vendore që kanë degjeneruar, kanë korruptuar dhe po i mbajnë peng lirinë, drejtësinë, qeverisjen, demokracinë, republikën dhe të ardhmen tonë shqiptare…