Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ashpër ndaj ish-kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për dështime të mëdha gjatë qeverisjes së tij dhe për tentim të thellimit të krizës institucionale. Miftaraj përmendi shpenzimin e 700 milionë eurove për blerje të energjisë elektrike, rritjen e çmimeve, shpërndarjen e pozitave në mënyrë klienteliste dhe mosfunksionalizimin e Kuvendit. Ai e ironizoi Kurtin duke thënë se “ka legalizuar varfërinë” dhe se tani po shtyn vendin drejt zgjedhjeve të reja vetëm për “pak adrenalinë”, me një kosto që e paguajnë qytetarët. Kurti ka dështuar në realizimin e objektivave kryesore si anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe menaxhimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, ndërkohë që ka ndarë poste nëpër borde e ambasada pa kritere meritokracie. Adrenalina e Albin Kurtit po kushton miliona euro, u shpreh Miftaraj, duke përmbyllur se kjo logjikë qeverisëse po e varfëron më tej vendin.
