Në kujtim të 22 prillit 1999
Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori mbi vete misionin e ndryshimit përfundimtar të historisë së Kosovës përkatësisht dhe historisë kombëtare shqiptare. Të gjithë luftëtarët e UÇK-së u nisën për luftë, nga parimi se: “Lirinë nuk ta falë askush, ajo fitohet vetëm me pushkë”. Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte e gjatë dhe me plot sakrifica, por e lavdishme. (Më gjerësishtë shih në librin e Hajrush Kurtajt, Shungullon Gryka e Kaçanikut (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000),
Në këtë rrugëtim kanë rënë 95 dëshmorë të kombit e në mesin e tyre edhe dy komandantë të Brigadës Gjeneralmajor Agim Bajrami dhe Komandanti i Brigadës Qamil Ilazi, si dhe Komandanti i Kompanisë së Dytë të Batalionit të Parë Feriz Guri dhe bashkëluftëtari i tij Xhevdet Guri që sot shënojmë 26 – vjetorin e rënies heroike të këtyre dy të fundit.
Feriz Guri, një Komandant i cili shpejt e fitoi përvojën ushtarake. Ai ishte Komandant i Kompanisë. Një komandant i papritueshëm, me një kulturë të veçantë në komunikim me ushtarët dhe eprorët. Ai mbahet mend në të gjitha njësitë e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Si komandant që ishte, ai ushtarëve dhe eprorëve u ka dhënë dije për luftën në pozicionet e ndeshjeve me ushtrinë dhe policinë okupatore serbe. Ai kurrë nuk u ankua, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrezikshmëria e situatave. Por, ai ishte i ashpër kundër armikut kudo e kurdo në beteja.
Duke kujtuar 26 vjetorin e rënies heroike të heroit të kombit Feriz Gurit dhe bashkëluftëtarit të tij dëshmorit të kombit Xhevdet Gurit, kujtojmë:
Rolin e tij në ushtrimet ushtarake në Tropojë të Shqipërisë. Bazuar në urdhëresën e komandantit Agim Bajrami, më 18 korrik të vitit 1998 Ferizi niset për në Tropojë, të Shqipërisë administrative për të kryer ushtrimet ushtarake dhe të kthehet në frontet e luftës në Kosovë. Bashkë me Ferizin edhe bashkëluftëtarët: Hyzret Kyçyku, Zejnullah Selmani, Nusret Cena, Sylejman Selmani, Kemajl Murseli, Musa Zenuni, Muhamet Zenuni, Nazim Terziu, Fadil Dalloshi, Agron Dalloshi, Reshat Murseli, Muhamet Malsiu, Muharrem Baftiu, Imri Topalli, Ferat Malsiu, Fatlir Luzha, Azem Guri, Muzafer Guri, Selim Zenuni, Selam Topalli, Azem Hasaj, Nazmi Hasaj, Hajredin Hasaj si dhe pas një kohe atyre iu bashkohen edhe Vllaznim Zenuni dhe Zaim Salihu. Këtë njësi deri në Budakovë e kishte përcjell Xheladin Kurtaj. Ndërkohë, njësisë së këtyre luftëtarëve, të ardhur nga Perëndimi, u bashkohen edhe: Mehmet Ballazhi, Heset Malsiu, Berat Baftiu, Hysen Hashani, Ilir Zharku, Enver Vishi, Mustafë Berisha, Sadik Guri, Muhamedin Beqiri, Lumni Ismajli, Muharrem Baftiu dhe Agim Baftiu. Në Shqipëri, në fushën e logjistikës, ishin angazhuar Xhafer e Xhabir Zharku. (Më gjerësishtë shih në ditarin e Hajrush Kurtajt, Në Rrugën e Lirisë (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë, 2012),
Gjatë stërvitjes në Tropojë, Ferizi arrin të përvetësojë në shkallë solide përdorimin e të gjitha llojeve të armëve artilerike me ndihmën e eprorëve të Ushtrisë Shqiptare
Rolin e tij në betejën e Jezercit, pas përfundimit të stërvitjes gjashtëjavore, Ferizi me shokë niset për Kosovë, dhe pas shumë vështirësive e përballjeve me armikun arrin në Zonën e Neredimes, në pikën e luftës të Jezercit, më 31 gusht 1998, ku pastaj në bazë të planit të Shtabit të Njësitit të Kaçanikut fillon t’i stërvisë ushtarët e një skuadre në përdorimin e minahedhësve të kalibrit 60 mm, e cila skuadër luftarake kishte arritur rezultate të mira në frontin e luftës në Jezerc, duke iu falënderuar angazhimit të Feriz Gurit – Komandant Shpata. Në luftimet e Jezercit u dëshmuan aftësitë e jashtëzakonshme ushtarake të komandant Shpatës. ((Më gjerësishtë shih në librin e Hajrush Kurtajt, Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Prishtinë, 2012),
Rolin e tij në formimin dhe përgatitjen e Kompanisë së Dytë të Batalionit të Parë, më vonë në bazë të planeve të komandës së Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Ferizi vazhdon me operacionet luftarake në komunën e Kaçanikut, ku aktivizon shumë të rinj në radhët e UÇK-së. Në përkrahje dhe ndihmë të pakufizuar i kishte dhënë edhe familja e tij, sidomos prindi Faiku dhe vëllai i tij Hajrizi. Tani shtëpia e Faik Gurit ishte shndërruar në bazë të sigurt të UÇK-së dhe të gjithë anëtarët e familjes Guri ishin vënë në dispozicion të UÇK-së. Këtij kontributi iu kishte bashkuar edhe Xhevdet dhe Adem Guri, të cilët i kishin vënë shtëpitë e tyre në dispozicion të UÇK-së. (Për këtë më gjerësisht shih librin e Hajrush Kurtajt, Shungullon Gryka e Kaçanikut (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000 si dhe në librin e Hajrush Kurtaj, Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Prishtinë, 2012),
Përgatitjen e bombave “Bojler” të cilat morën emrin “Bombat e Shpatës”, Ferizi bashkëpunonte edhe me shumë bashkëluftëtarë të tjerë, si: Hesat Guri, Xhevdet Guri, Murtez Neziraj, dhe me vëllain, Kjaniun. Mjetet shpërthyese të improvizuara me mjaft mjeshtëri nga Ferizi ishin vendosur në pikat e rëndësishme, kah mund të depërtonin forcat armike. Këto mjete kishin marrë emrin: “Bombat e Shpatës”.
Rolin e tij në Betejën e 8 marsit dhe 24 marsit në Ivajë, si dhe në Betejën e 9 prillit në Nikaj, më 17 janar të vitit 1999, Ferizi ngarkohet me detyrën e komandantit të togut në fshatin Nikë. Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, duke parë aftësitë e tij luftarake dhe organizative në detyrën e komandantit të togës në fshatin Nikaj, aj në bazë të sukseseve të tij shumë shpejt e emërohet komandant i Kompanisë së Dytë, në Batalionin e Parë. Këtë detyrë me përgjegjësi të madhe e kreu me sukses të lartë. Ai merr pjesë edhe në betejën e 8 marsit 1999 në Ivajë, ku ishin zhvilluar luftime të ashpra kundër forcave armike dhe kishin qëndruar fort në pozicinet e tyre. Në këtë betejë Ferizit i plagosen bashkëluftëtarët: Muhamet Malsiu dhe Halil Kuka. Të plagosurit i tërheq Ferizi nëpër breshëri të plumbave. Ferizi merr pjesë dhe komandon në operacionet luftarake edhe në betejën e 9 prillit 1999, kur armiku ndërmori një sulm të ashpër mbi pozicionet e UÇK-së në fshatin Nikaj. Mirëpo, nga kjo betejë armiku u detyrua të tërhiqej me humbje të mëdha ndërsa nga radhët e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, plagë lirie marrin Shefki Guri dhe Jashar Selimi.(Më gjerësishtë shih në librin e Hajrush Kurtajt, Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Prishtinë, 2012),
Udhëtimin e tyre për në Maqedoni, për koordinim të furnizimit me armë, më 22 prill 1999, në orët e vona të mbrëmjes, duke kaluar kufirin Kosovë – Maqedoni në një luginë të fshatit Gorancë, Ferizi bashkë me luftëtarin Xhevdet Guri bie në pritë të armikut. Pas një qëndrese heroike, të dy luftëtarët e lirisë ranë në fushën e betejës për të mos vdekur kurrë. (Më gjerësishtë shih në librin e Hajrush Kurtajt, Flakë e Pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë)
Në të gjitha këto operacione luftarake në Kosovë ishte i pandarë bashkëluftëtari i tij dëshmori i kombit Xhevdet Guri.
Duke vlerësuar këtë rëndësi të madhe historike dhe rolin e komandantëve në beteja, ish-Presidentja i Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, shpall Hero të Kosovës Komandantin e Kompanisë Feriz Gurin, më 17 shkurt 2016, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Në kë rast vlen të përmendet edhe Xhevdet Guri, i cili u angazhua me përkushtim për organizimin e luftës për çlirimin e Kosovës. Pas fillimit të luftës çlirimtare të Kosovës, Xhevdeti kthehet nga mërgimi në Tetovë dhe atje qëndron një vit në fshatin Zhelinë. Në mars të vitit 1999 hyn në Kosovë dhe inkuadrohet në radhët e Kompanisë së Dytë të Batalionit të Parë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. (Për këtë më gjerësisht shih librin e Hajrush Kurtajt, Shungullon Gryka e Kaçanikut (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000 si dhe në librin e Hajrush Kurtaj, Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Prishtinë, 2012), Në radhët e shokëve të luftës shquhet me guximin dhe ndjenjën e vetëmohimit në shumë aksione dhe beteja, si në atë të 9 prillit 1999. Pas kësaj beteje, Xhevdeti bashkë me komandantin e tij, Feriz Gurin, niset në drejtim të Puseve të Nikës për të vazhduar në Maqedoni. Më 22 prill 1999 ata ranë në pritë të forcave armike dhe bien në altarin e atdheut. (Më gjerësishtë shih në librin e Hajrush Kurtajt, Flakë e Pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë)
Xhevdeti ishte njeri praktik dhe dinamik. Në çdo kohë ishte i gatshëm për të kryer obligimet e tij në interes të Luftës, pa përfillur rrezikun. Xhevdeti u bë i dashur edhe për gjithë ushtarët e Brigadës, prandaj edhe merrte përgjegjësi për marrjen e shumë aksioneve në luftë. Në rrugën e luftës ka lënë mbresa tek luftëtarët e lirisë.
Lufta në Kosovë ka qenë e gjatë, e drejtë dhe e lavdishme, ndërsa Ushtria Clirimtare e Kosovës ka qenë jo vetëm liridashëse por me famë të madhe.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari ishte arritja më kulmore në historinë tonë, e cila ia ndërroi rrjedhat historisë, meqë ajo e vulosi fillimin e luftës për çlirimin e Kosovës, por edhe fitoren e kësaj lufte, ndërsa familja Jashari u bë shembulli më kuptimplotë i sakrificës dhe flijimit për lirinë e Kosovës, në ato përmasa madhështie që i kaloi kufinjtë e reales dhe mori konturat e legjendës.
Lufta e lavdishme dhe heroike e UÇK-së me përkrahje të madhe të popullit liridashës dhe gjaku i dëshmorëve dëshmon më së miri se një popull që lind bij e bija të tilla, pavarësisht nga vështirësitë që i dalin përpara, të ardhmen e ka të ndritur. Dëshmi e fortë i kësaj është edhe Heroi i Kombit Feriz Guri dhe Dëshmori i kombit Xhevdet Guri.
Lavdi Heronjëve, Dëshmorëve të Kombit dhe gjithë të rënëve për liri në gjitha periudhat historike. Nderim Veteranëve të UÇK-së dhe gjith veprimtarëve të kombit.
Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës