Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka dështuar për herë të tretë të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës, pasi në seancën konstituive të 23 prillit arriti të sigurojë vetëm 57 vota – katër më pak se minimumi i nevojshëm prej 61 votash. Pas këtij dështimi, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e saj, duke caktuar datën e re për vazhdim më 25 prill, në orën 10:00. LV-ja, partia fituese e zgjedhjeve, vazhdon të insistojë në kandidaturën e Haxhiut, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga partitë opozitare. PDK, LDK dhe AAK kanë shprehur qartë se nuk e mbështesin Haxhiun si një figurë unifikuese, duke kërkuar një emër tjetër që mund të ndërtojë konsensus. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është kusht për konstituimin e tij dhe hapjen e rrugës për formimin e Qeverisë së re. Derisa ngërçi vazhdon, partitë opozitare po rrisin presionin për një qasje më fleksibile nga ana e LV-së, ndërsa thirrjet për zgjedhje të reja po bëhen gjithnjë e më të zëshme.
