Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër pas dështimit të pestë radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në një deklaratë për media më 23 prill, Krasniqi tha se kjo situatë është e paprecedentë në historinë e Republikës së Kosovës dhe akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje, për mbajtjen peng të shtetit për shkak të mosgatishmërisë për të ndryshuar kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit. Sipas tij, për herë të tretë radhazi nuk ka arritur të votohet Albulena Haxhiu, kandidatja e propozuar nga LV për postin e kryetares së Kuvendit. Ai deklaroi se kjo parti po vepron me “mentalitet arbitrar”, duke tentuar të imponojë një emër të caktuar deputetëve të opozitës, gjë që ai e cilësoi si të papranueshme në një sistem demokratik. Krasniqi tha se LV tashmë është në dijeni se dy kandidatë të tjerë nga grupi i tyre parlamentar do të mund të siguronin votat e nevojshme, por pavarësisht kësaj, synimi i tyre mbetet bllokimi institucional. Ai shtoi se PDK është e gatshme të mbështesë një kandidat që nuk ka një histori të përçarjes dhe që mund të unifikojë Kuvendin në këtë moment kritik.
