Sot, në ora 11:00, në ASHAK, në kuadër të panairit të librit, do të promovohet libri me titull: **”25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës: një çerek shekulli shtetndërtim, arritje dhe sfida – qasje multidisiplinare.”**
Përgatitur për botim nga Akademik Arsim Bajrami.
Fjalë rasti në këtë promovim do të mbajnë Prof. dr. Gjyljeta Mushkolaj dhe Akademik Arsim Bajrami.
Me 10 qershor 2024, në kuadër të 25-vjetorit të intervenimit të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë organizuan Konferencën shkencore me titull: “25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës: një çerek shekulli shtetndërtim, arritje dhe sfida – qasje multidisiplinare.”
Në këtë rast, Seksioni i Shkencave Shoqërore emëroi Këshillin Organizativ për organizimin e këtij eventi, përbërë nga: Gjyljeta Mushkolaj, Arsim Bajrami dhe Frashër Demaj.
Në këtë përmbledhje punimesh, botohen fjalimet përshëndetëse të të gjithë folësve, përfshirë fjalët përshëndetëse nga: Kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja; Kryetari i ASHASH-së, Skender Gjinushi; Kryeministri Albin Kurti; dhe ish-presidentët Prof. dr. Fatmir Sejdiu dhe Alfred Moisiu, si dhe kumtesat e panelistëve: Muhamedin Kullashi, Arsim Bajrami, Ksenofon Krisafi, Paskal Milo, Gjyljeta Mushkolaj, Sonja Biserko, Frashër Demaj, Hajredin Kuçi, Ibrahim Gashi, Bekim Baliqi dhe Salihe Salihu.
Intervenimi i NATO-s në Kosovë, i njohur si Operacioni “Allied Force”, filloi më 24 mars 1999 dhe zgjati deri më 10 qershor 1999. Qëllimi i këtij operacioni ishte ndalimi i dhunës dhe krimeve të ndodhura ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës nga forcat serbe, në kontekstin e luftës së Kosovës. Pasi dështuan negociatat diplomatike në Konferencën e Rambujesë, NATO vendosi të ndërhyjë ushtarake për të përballuar krizën humanitare.
Ky operacion kishte si qëllim kryesor ndalimin e dhunës, mbrojtjen e civilëve dhe rivendosjen e paqes në Kosovë. Sulmet e NATO-s kishin një motiv të lartë moral, që lidhej me ndalimin e spastrimit etnik në Evropë si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kjo e bën të ligjshme ndërhyrjen ndaj Federatës Jugosllave, edhe pa mandatin e OKB-së.
Presidenti amerikan Bill Klinton, me rastin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, deklaroi: “Është dita e kthesës së madhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, një vendim dhe sulm me vlerë historike, jo vetëm për Kosovës, por edhe për ndryshimet gjeostrategjike në Ballkan.” Po ashtu, kryeministri britanik Toni Bler theksoi: “Vendimi për sulmet e NATO-s kishte efekte më të gjera sesa vetëm çlirimi i popullit të Kosovës.”
Intervenimi i NATO-s ka ngjallur debate të shumta lidhur me legjitimitetin dhe pasojat e saj. Ai mbetet një nga momentet më të rëndësishme dhe të diskutueshme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në kontekstin e konflikteve etnike në Evropë. Duke iu referuar vendimit të GJND-së të vitit 2011, i cili konfirmoi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mund të konstatohet se edhe intervenimi i NATO-s është një rast sui generis i ndërhyrjes për të ndaluar spastrimin etnik të një populli të tërë.
Në fund, në emër të Këshillit organizativ, shprehim falënderime për të gjithë folësit dhe pjesëmarrësit e Konferencës, si dhe për shërbimin profesional të ASHAK-ut në përgatitjen e këtij botimi.
Prishtinë, 24 prill, ora 11.ASHAK