Deputeti i Parlamentit Evropian, Tonino Picula, ka kritikuar ashpër qëndrimin e Serbisë ndaj Bashkimit Evropian dhe fqinjëve të saj. Në një intervistë për median kroate “24orë”, ai tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e përdor BE-në si “bankomat”, ndërkohë që ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Picula u shpreh se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa njohur pavarësinë e Kosovës dhe pa braktisur politikat për ndërtimin e të ashtuquajturës “botë serbe”. Sipas tij, një referendum për hyrjen e Serbisë në BE nuk do të sillte rezultate mbresëlënëse në rrethana të tilla.
