Ish-deputeti dhe zyrtari i lartë i AAK-së, Pal Lekaj, ka dalë me një propozim konkret për tejkalimin e krizës institucionale pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, duke sugjeruar formimin e një qeverie kalimtare me mandat 6 deri në 8 muaj. Lekaj theksoi se situata politike është e ndërlikuar dhe rrezikon të prodhojë vetëm zgjidhje afatshkurtra. Ai propozoi krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse që do të menaxhonte vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit të këtij viti. Në këtë kuadër, Lekaj parashtroi idenë për organizimin e një “pakete zgjedhore 3-në-1”, që do të përfshinte zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, për presidentin e vendit dhe për kryetarët e komunave. Sipas tij, një qasje e tillë do të reduktonte kostot buxhetore, do të kursente kohë dhe do të forconte legjitimitetin e institucioneve. Sa i përket çështjes së bllokimit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, Lekaj propozoi që Lëvizja Vetëvendosje të nominojë një deputet të pakicave jo-serbe për këtë pozitë, duke e parë si një akt të tolerancës dhe përfaqësimit që do të forconte bashkëjetesën institucionale.
