leoni

Dr. Bekim Vishaj: Një përkujtim për profesorin dhe atdhetarin Muhamet(Lan) Haklaj
(13.04.1955-16.04.2025)

Dr. Bekim Vishaj: Një përkujtim për profesorin dhe atdhetarin Muhamet (Lan) Haklaj

Pas ndarjes nga jeta të profesorit,atdhetarit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Muhamet Haklaj.

Familja dhe familjarët humbën më të dashurin e tyre. Isniqasit humbën bashkëfshatarin dhe njeriun më të mirë dhe më të ndershëm të fshatit tyre.

Kolegët e punës humbën profesionistin,kolegun dhe bashkëpunëtorin më të zellshëm të tyre.

Arsimi humbi një mësimdhënës,matematikan të shquar,fisnik dhe të palodhshëm.

Shokët e idealit humbën një mik besnik dhe të pathyeshëm.Deçani dhe Kosova humbën një intelektual, veprimtar e patriot të pashoq.

 

Jeta dhe vepra e prof. Muhamet Haklaj

Jeta dhe vepra e Tij është e begatë dhe e çmuar, jo vetëm për familjen,për shoqërinë dhe arsimin por në përgjithësi për tërë historinë e vendit tonë.Ai ishte njeri me plot vlera dhe virtyte të shumëfishta.Vet jeta dhe kontributi i tij, e bëjnë atë një figurë shumëdimensionale.Deçanasit, rrethi gjerë i shokëve dhe kolegëve të Muhamet Haklajt e njohën Atë tërë jetën si intelektual, mësimdhënës i përkushtuar i matematikës, veprimtar i çështjës kombëtare,i burgosur politik nga regjimit jugosllav, luftëtar i UÇK-së dhe  veteran i arsimit shqip.Pra, prof.Muhameti, do të mbetët një model i “Njeriut të kompletuar” për të frymëzuar edhe shumë e shumë breza në të ardhmen.

Të gjitha këto, Ai i arriti me mund, sakrificë dhe qëndrueshmëri njerëzore, profesionale dhe atdhetare.I përvetësoi heshtazi, por gjithmonë sigurt dhe fuqishëm,për t’u bërë më pas pjesë e personalitetit dhe karakterit të vet,e që kishte reflektuar gjatë gjithë jetës së tij prej një profesori dhe atdhetari të devotshëm.

 

Muhamet Haklaj – intelektual i mirëfilltë

Formimin intelektual, e filloi fuqishëm, që nga bankat shkollore të fillores në Isniq, shkollimin e mesëm e filloi në Gjimnazin “V. Frashëri” në Deçan (vitin e parë) për të vazhduar (3 vitet tjera) në Gjimnazin matematiko – natyror në Prishtinë. Studimet i filloi dhe i përfundoi në UP, Fakultetin e shkencave Matematiko-Natyrore, dega: Matematikë ku edhe e mori titullin Profesor i Matematikës, gjithmonë i dalluar në gjeneratën e tij.

 

Muhamet Haklaj – punëtor i arsimit, profesor në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.Të jesh mësimdhënës është një mision i shenjtë, i çmuar dhe i shtrenjtë. Nuk është thjesht një profesion, por një thirrje për të ndikuar në jetën e nxënësve, duke u dhënë atyre dije dhe motivim për të ardhmen. Ata përherë kanë dhënë maksimumin, sikurse thuhet: “Janë shkrirë që të tjerët, ta kenë sa më mirë”- i tillë ishte edhe Muhamet Haklaj.

Në vitin 1977 e filloi punën në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”në Deçan ku shumë shpejt do krijoi personalitetin e një mësimdhënësi të dashur dhe tejet profesional.Ndërkohë, në vitin 1981 u burgos nga pushteti i dhunshëm i asaj kohe dhe u dënua me 3 vite burg për,,veprimtari armiqësore’’.Muhameti rikthehet në arsim gjatë viteve ’90, në kohën kur shkollat shqipe ,siq dihet,punonin në kushte shumë të vështira.Ai punoi me përkushtim të jashtëzakonshëm,si mësimdhënës i matematikës në variantin C në gjimnazin në Deçanit-pika Isniq, ku edukoi gjenerata të tëra nxënësish me dije, ndershmëri dhe frymë atdhedashurie.

Personaliteti i tij si mësimdhënës karakterizohej si: I dijshëm, i përgatitur, i thjeshtë, i qartë, mirëkuptues dhe i përgjegjshëm për punën e tij. Jeta e tij në arsimin shqip, la shumë gjurmë.

Ai ishte mësimdhënës i urtë dhe me ndikim të thellë formues, i dashur për nxënësit, i respektuar për maturinë, përgatitjen e lartë dhe përkushtimin në punë-mësimdhënie. Andaj, ai ishte njëri ndër mësuesit që gjithmonë është respektuar në mjedisin ku ai ka punuar dhe jetuar. Ai u nderua me mirënjohje nga Drejtoria e Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” dhe DKA në Deçan.

Në vitin 2020, me rastin e “7 Marsit – Dita e Mësuesit’”, me propozimin e DKA-së në Deçan, nga MASHT iu dha mirënjohje.”Për kontribut të veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit”në cilësinë e mësimdhënësit të vitit nga Komuna e Deçanit.

 

Muhamet Haklaj – veprimtar dhe luftëtar për Lirinë e Kosovës.

I njohur për përkushtimin dhe qëndrimin e tij të palëkundur ndër kohë, Ai ishte një figurë e dalluar në fushën e arsimit, rezistencës dhe organizimit politik në komunën e Deçanit.

Ishte njëri ndër anëtarët aktivë të “Komitetit të Gllogjanit”, një strukturë kjo kyçe e Lëvizjes Ilegale në Deçan, që veproi me vendosmëri kundër regjimit serb gjatë viteve të ’80-a. Në kontakt me prof. Hasan Ukëhaxhaj,Muhameti lidhet me grupin e Deçanit,për të iu bashkuar Lëvizjes Kombëtare nën udhëheqjen e Jusuf Gërvallës, përkrah emrave të ndritur të arsimit dhe rezistencës shqiptare si: Smajl Haradinaj, Jashar Salihaj, Hasan Ukëhaxhaj, Avdullah Hasanmetaj e të tjerë. Për veprimtarinë e tij patriotike dhe rolin e rëndësishëm në përhapjen e vetëdijes kombëtare, ai u burgos. Ndërkohë ,nga Gjykata e Qarkut në Pejë dënohet me dënim burgu në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh për veprën penale “për veprimtari armiqësore”, por qëndroi përherë  i pathyer i qëndrueshëm dhe besnik.

Përveç angazhimit në arsim, ai dha një kontribut të rëndësishëm edhe në organizimet e kohës gjatë periudhës 1990-1998.Ishte pjesë aktive e strukturave të organizuara në frymën e rezistencës paqësore dhe më vonë edhe të asaj ushtarake (UÇK), e cila u shfaq si e vetmja zgjidhje për çlirimin e Kosovës.

Gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998-1999), ai u rreshtua radhëve të UÇK-së në fshatin e tij në Isniq. Me fjalën e tij të urtë, qëndresën intelektuale, me penë e pushkë në mbrojtje të çështjes kombëtare, ai kontribuoi në luftën e drejtë të popullit tonë për liri.

Krahas arsimit, edhe pas luftës , profesori nuk e ndali aktivitetin në kontributin shtet- ndërtimit të vendit duke e ndihmuar familjen dhe të tjerët. Në legjislaturën e parë të Kuvendit Komunal të Deçanit, ishte këshilltar (asambleist) që u votua nga qytetarët e Deçanit, i një njeri i urtë dhe i besueshëm për qytetarët deçanas. Prof. Muhamet Haklaj, për kontributin dhe meritat për lirinë e Kosovës, OVL – Dega në Deçan, e nderoi me mirënjohje të veçantë.

Muhamet Haklaj(Korabi) – simbolikisht pseudonimin (nofkën) e tij në ilegale “Korabi”, në vitet e 80-ta, e lidh me malin e Korabit dhe me vonë me emrin e djalit te tij Korabi.

Ai, zgjodhi të punonte në ilegale me pseudonimin “Korabi” për t’i dhënë fjalës së vet peshën e një prej simboleve më të fuqishme shqiptare - Malit të Korabit, (maja më e lartë 2 764 m). Në vetëdijen popullore, Korabi mishëron: Lartësinë e pamposhtur, kufirin e hapur dhe për të, aktivitetin kombëtar në ilegale, që duhej të rridhte prej majave drejt njerëzve, njësoj si uji që ushqen natyrën. Duke i dhënë emrin Korab të birit, ai e ktheu metaforën në trashëgimi familjare: djali bëhet “Trashëgimtar i idealeve të larta dhe të palëkundura”. Lidhje kjo në mënyrë ciklike:

Pseudonimi = mali = djali, duke e ngulitur Korabin si themel identiteti për atdhedashurinë, botën simbolike dhe vazhdimësinë e gjakut të vet.

Muhamet Haklaj – model i njeriut të mirë me tipare njerëzore dhe humane

Profesori, me sjelljet e tij, njihej si familjar, mik ,koleg i mirë, punëtor dhe mësimdhënës i devotshëm.Ashtu i urtë, i dashur, i sinqertë, punëtor dhe i qëndrueshëm-tipare këto që e karakterizonin personalitetin e tij,do të mbeten gjithmonë të gjalla në kujtesën tonë.

Muhameti pas vetës la familjen, bashkëshorten, djalin, 3 vajzat, nipa, mbesa, motra dhe vëllëzër.Familja,miqtë,kolegët,bashkëveprimtarët,bashkëluftëtarët dhe bashkëqytetarët e përcollën në pavdekësi me dhembje por edhe me krenari.

Vdekja e profesorit Muhamet Haklaj, ishte e dhembshme për rrethin e tij familjar, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij të shumtë. Me këtë rast, disa nga ata u shprehen:

 

Kujtime për profesorin Muhamet Haklaj:

-“Si fëmijë, Muhameti dallohej nga të tjerët, i urtë, i heshtur por edhe shumë i mençur, shumë i dalluar në lëndën e matematikës …” kështu do të shprehej mësuesja e tij- Rabije Mushkolaj.

-“Muhameti kishte aftësi të mëdha dhe si nxënës ishte punëtor i madh …”, nga Prof. Nezir Hasanmetaj, mësimdhënës i Muhamet Haklaj në Gjimnazin “V. Frashëri” në Deçan.

 

-Ish-profesori i Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” do të mbetet një figurë e paharruar në kujtesën e qytetit tonë, për kontributin e jashtëzakonshëm në arsim dhe edukimin e brezave të tërë. Përveç se arsimtar i përkushtuar, ai ishte edhe ish i burgosur politik dhe ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjithmonë në shërbim të kombit, lirisë dhe dijes … Bashkim Ramosaj (Kryetar i Komunës së Deçanit)

 

-Profesori Ishte nga ata burra që nuk e ndante kurrë flamurin nga librat, e që në çdo orë mësimi përçonte tek nxënësit jo vetëm formulat e matematikës, por edhe formulat e qëndresës, të krenarisë dhe të dashurisë për atdhe. (MSc. Hamid Qorraj (Drejtor në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan)

 

-Me pikëllim dhe dhembje shpirtërore mora lajmin për vdekjen e kolegut shumë të respektuar, intelektualit të mirëfilltë, punëtorit kreativ e profesional Muhamet Haklaj. Duke e njohur për së afërmi personalitetin e tij, si kolegë dhe mik  imi i afërt, me plotë të drejtë mund të them  se, Prof. Muhamet gjithmonë veproi me moral të lartë dhe frymoi si BURRË. Jeta dhe vepra e tij është e madhe dhe karakteristikë vetëm e njerëzve që dinë të lënë emër të madh në historinë kombëtare, siç ishte edhe Prof.Muhamet Haklaj. Lavdi jetës dhe veprës së Tij! Prof.Musa Stojkaj (koleg pune në Gjimnazin “V. Frashëri”)

 

-Një ‘ikje’ e heshtur e njeriut modest, që la pas një jetë në shërbim të atdheut e arsimit shqip.

Ish i burgosuri politik, profesori që la një thesar të çmuar të veprimit atdhetar në kujtesën historike! Vepra jote miku ynë i dashur i takon tashmë përjetësisë dhe historisë së lavdishme. Rasim Selmanaj (ish-kryetar i Deçanit dhe bashkëveprimtar)

 

-“Gjenerata te tëra do të kujtojë përgjithmonë si udhërrëfyesi më i mirë se si duhet atdheu, duke përjetuar vuajtje si i burgosur politik me idealin e bashkëvuajtësve të asaj kohe, pjesë e luftës së lavdishme të UÇK-së, edukues i brezave të tërë, kontribuues në shtetndërtim!”

Vlerat tua krenaria jonë ! Abdyl Mushkolaj (Kryetar i OVL Dega në Deçan)

-Me duhet të them se ishte njeri i veçantë dhe ishte mësues i mrekullueshëm. Ishte një patriot i heshtur që nuk u imponua kurrë me kontributin e tij të jashtëzakonshëm patriotik dhe profesional. Ishte një njeri që rrezatonte mirësi dhe mundohej që kontributin e tij ta vazhdojë si mësues matematike, punë të cilën e kreu derisa u pensionua. Lamtumirë Muhamet, mësuesi e kolegu ynë. Dr. Murteza Osdautaj (ish nxënës dhe koleg)

-Në kujtim të Prof. Muhamet Haklaj, njeriut të urtë, të dijes dhe shpirtit të madh. E kam njohur që në kohën kur isha nxënës i gjimnazit dhe që nga ajo kohë, në kujtesën time ai mbeti një shembull i gjallë i njeriut modest, të mençur, fjalëpaktë dhe të dashur.
Nuk do ta harroj kurrë bujarinë e tij, kur ndante me ne literaturën e tij të vlefshme të matematikës, si nxënës të gjimnazit.
I qetë, i sjellshëm, gjithmonë i gjente fjalët e mira, Profesori Muhameti kishte aftësinë e rrallë për të bërë njerëzit të ndiheshin mirë në praninë e tij dhe ishte frymëzim për gjeneratat e reja. Prof.Dr. Ramë Likaj (ish nxënës i Gjimnazit “V. Frashëri”)

 

-Kontributi i tij i çmuar në arsim, veprimtarinë kombëtare dhe përkushtimi i palëkundur për lirinë do të mbetët gjithmonë i paharruar në kujtesën tonë. Prof. Enver Osdautaj (bashkëvendas dhe bashkëveprimtar)

 

-Jeta dhe vepra e Muhamet Haklajt janë një histori e ndritur përkushtimi ndaj arsimit, lirisë dhe zhvillimit kombëtar. Ai radhitet me të drejtë ndër figurat më eminente të historisë së re të Isniqit,Deçanit dhe mbarë Kosovës,shembull i gjallë i dijes,sakrificës dhe dashurisë për atdheun-Dr.Sc. Shkodran Imeraj (bashkëvendas)

 

-Lamtumirë miku im, Prof. Muhamet Haklaj

… Muhameti ishte një njeri i rrallë – i urtë, i zgjuar, i mprehtë në mendime dhe me një humor të hollë që e bënte të dashur për të gjithë. Ishte një profesor i përkushtuar ndër vite, një dijetar i respektuar dhe një atdhetar shembullor.

Për angazhimin e tij politik dhe qëndrimin e palëkundur ndaj çështjes kombëtare, ai u dënua dhe vuajti shumë vite burg pas demonstratave të vitit 1981. Por idealet nuk i tradhtoi kurrë. Edhe pas burgut, vazhdoi me përkushtim në rrugën e lirisë, duke dhënë kontribut në luftën për çlirimin e Kosovës …- Prof.Dr. Rexhep Gjergji (koleg shkolle, studimesh dhe profesioni)

 

-Një njeri i urtë, i përkushtuar ndaj familjes dhe dijes, që la pas një trashëgimi të vyer si njeri, mësues dhe prind.

Prehu në paqe, profesori i jetës sime! Korab Haklaj (i biri i profesorit)

Profi Muhamet, në zhvillimin e arsimit, organizator i garave komunale të matematikës janar 25 janar 2020)

 Mirënjohje nga OVL-Deçan, janar 2024

Mirënjohje nga MASHT, foto me Agim Berdynaj – U.D i Sekretarit të Përgjithshëm në MASHT, 6 mars 2020

 

E bëra këtë shkrim, duke e njohur nga afër dhe personalisht prof.Muhamet Haklaj, përvojën time me te  gjatë punës në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan si dhe duke iu referuar disa burimeve me sa vijon:

Nga Libri i Hasan Ukëhaxhaj: Komiteti i Deçanit LNÇKSHJ, Prishtinë, 2022.

Nga Dr. Begzad Baliu: Kush është atdhetari Smajl Haradinaj, babai i Nasimit që u dënua me 14 vjet burg, dt.08.01.2022, https://epilogu.com.

Nga Komuna e Deçanit – DKA në Deçan.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Deçan.

Lavdi jetës dhe veprës prof.Muhamet Haklaj

Deçan, 22.04.2025.

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …