Antigone Qeriqi Salihu: Amaneti nga vjehrra ime, nëna Sherife

Pak ditë para se të ikte nga kjo botë vjehrra ime më është lutur që të shkruaj për jetën e saj plot vuajte. Ishte shumë e penduar që para shumë vitesh kishte djegur ditarin e saj te jetës. Pasi që i kishte treguar djalit të saj tashmë të ndjerë Dr Hasanit i cili si duket nga dhimbja që nëna e tij të mos e shfletonte ditarin i kishte thënë.: digje, dhe ajo ashtu kishte vepruar…

Më tha: “Antigone, ti shkruan, po ta la amanet ta pasqyrosh jetën time plot vuajtje që nga dita që dola në këtë botë”.

Natyrisht që pranova që do të shkruaj pas vdekjes se saj një rrëfim të shkurtë.

Vjehrra ime lindi para 79 vitesh në fshatin malor Karaqicë nga babai Ramadan Krasniqi dhe nëna Zade Krapi Krasniqi. Zadja ishte gruaja e dytë e Ramadanit pasi që me gruan e parë kishte tre vajza dhe një djalë siç rrëfente nëna Sherife. Babai i saj ishte 45 vite me i vjetër nga nëna Zade. Nëna Sherife ishte fëmija i dytë pas motrës Tahire. Pas saj pastaj lindi djali Mehmeti, vajza Hanifja, Gjyla, djali Baftiu dhe me pas Halimja. I kishin vdekur edhe disa fëmije nënës së saj.

Nëna, rrëfente qysh në kohën kur lindi kishte skamje të madhe dhe nëna Zade nuk kishte mjaftueshëm gji për ta rritur vajzën e saj Sherifen dhe çuditej se si mbijetoi vajza Sherife e cila si duket doli në këtë jetë për të vuajtur deri në fund të jetës së saj.

Rrëfimet e nënës Sherife ishin më se të vërteta sepse sa herë që mi tregonte asnjë pikë e prejse nuk i ndryshonte.

Rrëfimi i pare i saj ishte: Në moshën 8 vjeçe se bashku me motrën e madhe Tahiren dhe vëllain e vogël Mehmetin dilnin te mblidhnin dredhëza te egra në mal, shiteshim si argat pune në fshat. Thoshte unë e dada mblidhnim sa mundeshim duke e ruajtur vëllain tonë Mehmetin sepse ishte me i vogël në moshë, duart tona mbusheshin plot therra, kishim frikë nga kafshët e egra sepse jetonin në një vend malor ku zbarkonin edhe arinjtë… Kështu mundoheshim të siguronim ndonjë thes me miell misri. Babai Ramadani ishte i vjetër në moshë dhe pleqëronte në oda, ndërsa për punët e shtëpisë dhe ato te bujqësisë kujdesej nëna Zade e cila edhe pse ishte 45 vite me e re se burri i saj e mbante jo vetëm burrin por edhe të gjithë anëtarët e familjes duke punuar sa 10 meshkuj.

Babai Ramadani i shtyrë në moshë, kishte 3 vajza nga martesa e parë dhe 5 nga martesa e dytë pothuajse të gjitha vajzat i kishte shitur në këmbim të tokës. Njërën nga ato e kishte martuar për një plak të verbër dhe motrën Gjylë e kishte shitur në Sedllar tani Shalë në moshën 12 vjeçe për një burrë te moshuar, këto dy motra i përmendte me shumë se vetën e saj thoshte këto, ma kanë kall zemrën edhe pse te gjitha motrat kishin te njëjtin fat.

Sherifa, në moshën 16 vjeçare martohet në fshatin Carralevë për Salih Salihun djalin e Selim Salihut i cili ne atë kohë ishte në gjakmarrje sepse kishte marr hakun e vëllait 17 vjeçar.

Kur u martova tha, më ndoqi varfëria edhe këtu. Burri im Salihu ishte punëtor sa më nuk bëhej. Edhe ai ishte rritur jetim dhe kishte punuar fort ta mbante vëllain e tij Sahitin të cilin e kishte shkolluar dhe po ashtu motrën e tij Nazlinë. Ishte kujdesur edhe ti dërgonte bukë babit të tij i cili rrinte i fshehur në male pas gjakmarrjes. Nëna Sherife tregonte sa shumë kujdesej burri i saj për të dhe djemtë e tij, ata ishin pasuria më e madhe e tij. Kur lindi Hasani tha ishim keq për bukë, Salihu, më shihte që po dobësohesha sepse nuk më hahej buka e misrit, e mori kalin tha dhe shkoi te baba Ramadan i cili ja kishte ngarkuar një thes me miell gruri dhe nëna Zade i kishte dërguar bylmet nga i cili e mori veten dhe filloj të këndellej. Nëna, tregonte se si burri saj punonte në gurthyes në Carralevë përballë shtëpisë së tyre, dhe sapo vinte nga puna dilte e shitej si punëtor krahu që ta shkollonte vëllain tij Sahitin dhe të rriste djemtë e tij Hasanin, Mehdiun, Hyzriun i cili kishte vdekur pa mbushur 1 vit nga bronkiti i mushkërive. Atë kohe dimrat ishin të acartë dhe në pamundësi për te shkuar në Shtime në ambulancë djali kishte vdekur në shtëpi, më pas kishte lindur edhe djalin Sejdiun.

Punonte edhe në punë fushë. Me burrin e saj e kishin një jetë të lumtur edhe pse në varfëri si shumica e popullit tonë në atë kohë. I kaloi 8 vitet më të lumtura të jetës së saj kur e goditi sfida më e madhe e jetës. Burri i saj u vdiq në vend të punës nga guri i cili e kishte goditur në shpinë. Ishte vetëm 37 vjeç, pas vetes la gruan e tij 24 vjeçe me djalin e madh Hasanin 6 vjeç Mehdiun 4 vjeç dhe Sejdiun 7 muajsh. Ishte shume e re e mbetur e ve, me 3 fëmijë të vegjël, tregonte se si pas varrimit të Salihut i kishte kapur 3 fëmijët dhe ka dashur te hidhej në një pus, ngase nuk shihte dritë shpëtimi askund, por e kishte ndaluar kushëriri i burrit te saj.

Me pas baba Ramadan e merr në shtëpinë e tij ja lëshon një dhomë dhe ja ndanë pak kopsht për ta punuar. Jeta ne familjen saj nuk ka qenë e lehtë. Tregonte se si babai e ka mbrojtur si atë dhe djemtë e saj, qe tani po rriteshin te dajat dhe po shkonin në shkollë, po ashtu punonin, ruanin bagëtitë i bënin të gjitha punët e fshatit. Tetë vite nëna Sherife kishte ecur këmbë në shumicën e rasteve me vete kishte marr djemtë e saj dhe ecte nga fshati Karaqicë- Pjetershticë- Carralevë, 14 km vajtje e ardhje prej një zyre në tjetrën, në borë e në shi ne dite të acarta sa qe thoshte me ngriheshin rrobat në trup, vetëm e vetëm që te siguronte pensionin e burrit te vrarë në punën e tij dhe një shtëpi për vetën dhe fëmijët e saj. Dhe pas një përpjekjesh e kishte arritur qëllimin dhe ja kishin ndërtuar një shtëpi e vogël në Shtime.

Nëna Sherife po i rriste dhe shkollonte fëmijët e saj me një pension minimal, por ishte një kursimtare dhe kurrë nuk ja shtrinte dorën askujt punonte edhe punë dore të cilat i shiste. Tregonte që shpeshherë nuk kishte bukë për të ngrënë dhe ashtu duronte dhe kurrë nuk i thoshte kujt, tregonte sa e sa herë ka ngrënë bukë të mykur se duhej ta mbante vetën gjallë.

Thoshte me fëmijët e mi kam qenë e egër i kam ndëshkuar edhe pa të drejtë nga frika që të mos merreshin me punë të këqija, më duhej të isha edhe burrë edhe grua. I pari studimet i përfundoi Mehdiu pastaj Hasani dhe fillimisht e hapi ordinancën ne shtëpi. Mehdiu kreu studimet punoi në shkollë ne vitet 90-93 por nën masat e dhunshme rroga që merrte ishte e papërballueshme për të jetuar kështu qe migroi ne Gjermani se bashku me gruan e tij me vonë edhe Sejdiu në Zvicër, por u kthye brenda dy vitesh. Tani më nëna nuk kishte varfëri por jeta e bëri të mos gëzohej kurrë. Gjatë luftës së bashku me Hasanin ikin për në Maqedoni më pas kthehen në shtëpi.

Djemtë ishin martuar kishin krijuar familjet e tyre por nëna të themi ndoshta 10 vite i ka pasur pa sfida pastaj fillojnë operacionet e ndryshme. Goditja përfundimtare është koha e pandemisë se Covidit dhe vdekja e papritur e djalit të saj të madh Hasanit me të cilin ishte pafundësisht e lidhur. Nga dita që ka vdekur ai më për nënën, bota është ndalur në vend. Nuk e ka pranuar sfidën më të fortë të jetës se saj, nuk ka pas ditë që nuk ka vujatur për Hasanin, e humbi edhe besimin në Zot, ngase gjithnjë thoshte nuk kam besuar që edhe në pleqëri do të sprovohem sërish. Një vit pas vdekjes se Hasanit u identifikua me kancer të gjirit ne fazën e fundit mjeket sugjeruan të mos i nënshtrohej kimioterapisë.

Para një viti u rrezua dhe e theu këmbën pas operacionit dhe qëndrimit ne spital kthehet në shtëpi por që pa ndihmë nuk mund të ngrihej në këmbë. Për të është kujdesur në mënyre absolute reja e saj Mexhidja me të cilën jetonte, natyrisht që në ndihmë i kanë ardhur të gjithë me aq sa kanë mundur. I vinin shumë shpesh tezja Hanife dhe tezja Halime e cila jetonte në Zvicër me të cilat e zbrazte zemrën e mbushur plot dhimbje. Qëndroi 6 javë pothuajse e pa lëvizur me dhimbje të forta por nën kujdesin e mjekëve që vinin sa herë i thirrnin. Nën përkujdesjen e djemve e rejave nipave me datë 18 prill ditë e premte në ora 13 e 30 minuta i del fryma e fundit të pranishëm ishin djemtë Mehdiu e Sejdiu rejat Mexhidja dhe Antigona dhe një mjek e dy infermiere të cilët bënë të pamundurën ta kthejnë në jetë por nëna mbylli sytë dhe shkoi pranë djalit të saj Hasanit.

Varrimi u bë me datë 19 prill në varrezat familjare.

Prehu e qetë nëna Sherife pas vetës ke lenë dy djem tre reja dhe 7 nipër e një stërnip LARSONIN të cilin e mbërrite sa ishe gjallë.

  1. Ky ishte një shkrim i shkurtër përmbledhës se sikur te kishte ditarin e saj do të bëhej një roman plot vuajtje e trishtim por edhe ca ditë te bukura.

Me këtë shkrim të shkurtë shpresoj ta kem plotësuar dëshirën dhe amanetin e fundit të saj, kërkoj falje që nuk kam mundur dot të shkruaj të gjitha ato vuajtje që i ke rrëfyer në tërësi.

Te kujtoj ty dhe shumë këshilla tua, reja jote Antigone Qeriqi Salihu

 27.04.2025 E diel

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Rreziku i humbjes së TRUST-it në tregjet ndërkombëtare “Kosovarizimi i këtyre mjeteve në funksion të Kosovës

Kosova si pothuajse çdo vend tjetër është duke u përballur me infalcion që çdo ditë …