LIRIDASHËSI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një Ushtri e Re, Ajo, duke iu përgjigjur thirrjeve të kohës, arriti t’i krijojë vetes një emër të madh, ku përmblodhi dhe gërshetoi synimet e pareshtura kombëtare shqiptare, ambiciet e popullit shqiptar, aspiratat drejt së ardhmes kombëtare, me veprimtarinë politike, ushtarake, kulturore, humanitare, miqësore dhe me besnikërinë e shfaqur, duke dhënë shembullin më të mirë para historisë botërore. Kjo ishte Epoka më e Lavdishme e cila solli Lirinë dhe Republikën e Pavarur të Kosovës. Për këtë është dëshmi dhe garancë e pakonstetueshme Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe gjaku i mbi 2000 Dëshmorëve në Betejat e Lavdishme të UÇK-së, pjesë e së cilës ishin edhe dëshmorët, siç është edhe Sakip Mulaku të cilin po e përkujtojmë sot, në këtë 26 vjetor.
Sakip Mustafë Mulaku është i lindur më 24.4. 1953, në fshatin Gajre të Kaçanikut.(Më gjerësisht shih librin e Hajrush Kurtajt, “Shungullon Gryka e Kaçanikut” (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000),
Çështja kombëtare e Kosovës, si shumëkë tjetër po e preokuponte Sakipin parreshtur prandaj kur Kosova rënkonte nga këmba e forcave okupatore serbe, ai radhitet atje, ku e kishin vendin vetëm trimat e lirisë. Atdhetarizmin, që e kishte trashëguar nga të parët, ata e kishin lidhur ngushtë me familjen e komandantit Agim Bajrami. Prandaj, ainuk pushoi as ditë e natë, në borë e në shi, për kryerjen e detyrave ushtarake. Sakip Mulaku mori pjesë në të gjitha protestat që organizoheshin në Kaçanik kundër dhunës dhe shtypjes serbe, por kur më 28 nëntor 1997, në Llaushë, në odeonin e Lirisë, doli hapur Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shpirtin e Sakipit agoi edhe shpresa e çlirimit. Ky organizim ushtarak, nën emblemën e UÇK-së, u shtri edhe në Kaçanik, më 22 mars 1998, ku kontaktet e para i filloi me ardhjen e Agim Bajramit, komandant për Kaçanik, pasi që Sakipi e kishte edhe mik shtëpie. Nga prilli i vitit 1998, vetë me tërë familjen u angazhua në radhët e UÇK-së për të cilën nuk kurseu asgjë. Në furnizim të UÇK-së ishte i palodhshëm. Ka qenë i radhitur në Brigadën 162 “Agim Bajrami”, ku ishte pjesëmarrës i betejave të para në Kaçanik, duke filluar nga Puset e Nikës, në Han të Elezit, më 26 shkurt 1999, Betejës së Gajres, më 28 shkurt 1999, ku luftimet ishin tejet të ashpra. Luftimet u zhvilluan në një distancë të vijës frontale mbi një kilometër, te vendi i quajtur Përroi i Shtegut, në hyrje të fshatit Gajre.(Më gjerësishtë shih në ditarin e Hajrush Kurtajt, “Në Rrugën e Lirisë” (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë, 2012).
Në pozicionet e fshatit Gajre ishin të vendosura njësitet e Batalionit të Parë, të cilat zhvillonin një rezistencë të madhe. Këtyre u erdhi në ndihmë edhe Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe Policia Ushtarake nga fshati Ivajë. Toga e UÇK-së e udhëhequr nga Hetem Hasaj, përkrahur edhe nga ushtari i lirisë Sakip Mulaku, bëri një rezistencë të palëkundur, duke i shkaktuar humbje të mëdha armikut në njerëz dhe në teknikë luftarake. Në këtë betejë, nga forcat serbe mbeti i vrarë komandanti i policisë serbe në Kaçanik, i quajtur Bogi dhe 13 policë të tjerë e disa ushtarë serbë e shumë të plagosur, kurse nga teknika u shkatërrua një autoblindë pizgauer dhe një automjet i markës “NIVA”. Kurse nga ana e forcave të UÇK-së në krye të detyrës, ballë për ballë me armikun ra Komandanti i Togës së Parë, Hetem Hasaj, ndërsa u plagosën këta eprorë dhe ushtarë: Naser Hasaj, Bekim Vishi dhe Ekrem Ahmetaj. Ndërsa nga popullata civile u plagos edhe plaku 75 vjeçar Fejzullah Çallaku dhe u vra plaku 65 vjeçar Rrustem Çallaku, bashkëvendës të dëshmorit Sakip Mulaku. Në këtë betejë me Sakip Mulakun morën pjesë afër 60 luftëtarë nga njësitet e Batalionit të Barë, kurse në ndihmë nga njësitet e Batalionit të Dytë dhe njësitet e tjera të Brigadës arritën edhe 70 luftëtarë, me ç’rast u forcuan pozicionet e njësiteve të UÇK-së, kurse forcat serbe përveç numrit shumë të madh të policëve dhe ushtarëve, në ndihmë u erdhën edhe shumë forca ushtarake paramilitare të përcjella me autoblinda, tanke, praga dhe mjete tjera luftarake.(Për këtë më gjerësisht shih librin e Hajrush Kurtajt, “ Shungullon Gryka e Kaçanikut” (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000 si dhe në librin e Hajrush Kurtaj, “Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes”, Prishtinë, 2012).
Sakip Mulaku ishte pjesëmarrës edhe në luftimet e 8 marsit dhe 24 marsit 1999 në Gajre. Bashkëluftëtarët e tij të ngushtë ishin: Agim Bajrami, Ramadan Zharku, Izahir Troni, Haki Troni, Xhevahir Troni, Sadik Çallaku, Haxhi Çallaku, Sylejman Mulaku, Reshat Mulaku, Milaim Loku, Naim Mulaku, e të tjerë. Sakipi ka qenë luftëtar në radhët e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Ishte luftëtarë i dalluar dhe kurdoherë në ballë të luftimeve, kundër forcave të armikut, i cili gjatë kohës së luftimeve përdori çdo mjet lufte për t’i asgjësuar ato. Sakip Mulaku ishte i radhitur në sektorin e logjistikës të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Rezistenca çlirimtare zhvillohej anembanë Kaçanikut. Sakipi për shkak të gjendjes shëndetësore kishte marrë leje që të udhëtonte për në Maqedoni. Gjatë udhëtimit, më 28 prill 1999 afër kufirit me Maqedoninë bie në krye të detyrës.(Më gjerësisht shih librin e Hajrush Kurtajt, “Flakë e Pashuar”, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë). Pas tri ditësh shokët e tij organizojnë varrimin e tij dhe varroset në Gjurgjedell. Njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami” krahas obligimit të përgjithshëm, për mbrojtjen e popullatës civile po qëndronin të fortë dhe të pamposhtur në pozicionet e tyre. Sakipi ishte njëri ndër ushtarët e parë të UÇK-së që kishte punuar dhe vepruar me Komandantin Agim Bajrami. Gjendja e tij fizike ka qenë e mirë dhe e shëndoshë, ndërsa shpirtërore e lënduar, shkaku i gjendjes aktuale politike që ishte në atë kohë nën okupimin e pushtuesit barbar jugosllav. Ishte luftëtarë i palodhshëm, besnik dhe i vendosur në kryerjen e detyrave luftarake, ai siç ishte i tillë, nuk do të harrohet kurrë, meqë ai ishte shembull se si luftohet për Atdhe.
Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës