ÇAMËRIA: KËNGA E TOKËS SË DJEGUR
Lumenj lotësh çajnë terrin e rëndë,
Dallgët rrëmbejnë çdo shpresë anekënd;
Në fluturim të heshtur Çamëria shkon,
Si lis i rrëzuar, në furtunë qëndron.
Gjurmë të ngrira na mbërthejnë në dhe,
Nën hapin e vrarë pëshpërit toka me re;
Lotë të përzhitur digjen në errësirë,
E mallkimi shkund qiejt pa mëshirë.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë,
Në çdo brazdë toka çame, mbuluar nga retë,
Rënkon e drobitur, e mbytur në gjak,
E djegur, e shkretuar, pa zot të marrë hak.
Era e Mesdheut trazon varret e vjetër,
Ullinjtë përkulen nën mallkimin e egër;
Pluhur stërgjyshërish, kujtime të ngrira,
Epiri i lashtë, mbushur me egërsira.
Në rrugët e djegura, që s’kanë të mbaruar,
Mjegulla përpin çdo kujtim të shuar;
Këmbë zbathur, fytyra pa mëngjes,
Çamëria ikën — plagë që nuk vdes.
Në shkallët e rrënuara dëgjojmë hapat e largimit,
Në gurin që rënkon dëgjojmë frymën e mërgimit;
Koha hap plagë, mbulon varre me dhe,
Por një zë pëshpërit: “Jam këtu, Atdhe.”
Në çdo varr pa emër, një Nënë rënkon,
Në çdo plagë pa ilaç, një shpirt klithmon;
Në çdo hap të shkretë, një shpatë betohet:
Se me gjakun tim, kjo tokë do çlirohet.
—————————————–
Autor : Genc Sefa – Lushnja.
Ish ushtarak e luftëtar i lirisë, UÇK, UÇPMB dhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
I robëruar në emër të Atdhedashurisë.
