Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një nga parakushtet kryesore që Kosova duhet të plotësojë për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të nisur procesin e anëtarësimit në BE. Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe aktualisht është vendi i vetëm në rajon që ende nuk ka statusin e kandidatit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kos theksoi se pritjet janë për formimin e qeverisë së re në Kosovë dhe njoftoi se është në kontakt të vazhdueshëm me politikanët kosovarë, të cilët kanë shprehur mbështetje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në lidhje me përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në BE, Kos përmendi se procesi i anëtarësimit është kompleks dhe i gjatë, pasi vendet kandidate duhet të përmbushin një sërë kriteresh, të përshtatin ligjet e tyre me ato të BE-së, dhe të presin ratifikimin e traktatit të anëtarësimit nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Kos tha gjithashtu se ende nuk ka marrë sinjale të qarta nga shtetet anëtare të BE-së ose nga presidenca daneze e Këshillit Evropian për mundësinë e marrjes së statusit të kandidatit gjatë këtij mandati, megjithëse ajo shpreson se kjo mund të ndodhë së shpejti
