Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj bllokadës institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar situatën si të “neveritshme”. Komentet e tij u bënë para seancës konstituive të 29 prillit 2025, e cila për të tetën herë radhazi dështoi të prodhojë një kryetar Kuvendi. Është bërë situatë e neveritshme që nuk po mund ta ushtrojmë të drejtën tonë për tejkalimin e një situate. E drejta politike për të propozuar nuk do të thotë e drejtë absolute, deklaroi Haziri, duke nënvizuar nevojën për konsensus më të gjerë dhe marrëveshje politike si rrugëdalje nga kriza aktuale. Ai theksoi se formimi i institucioneve nuk mund të bëhet përmes imponimit, por vetëm përmes dakordimeve ndërpartiake që pasqyrojnë shumicën parlamentare.
