Për të tetën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar sot të konstituohet, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë shumicën e thjeshtë të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pavarësisht mungesës së progresit, deputetët nuk do të preken financiarisht – pagat e tyre do të vazhdojnë të lëshohen rregullisht, ashtu siç konfirmon edhe Instituti Demokratik i Kosovës. Që nga data 15 prill, janë mbajtur tetë seanca të njëpasnjëshme me qëllimin për të konstituuar Kuvendin. Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në Kuvend, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryetares, por kjo kandidaturë nuk ka arritur të marrë mbështetjen e nevojshme. Pas gjashtë raunde votimesh të pasuksesshme – pesë herë me 57 vota dhe sot me vetëm 54 – zgjedhja e kryetarit mbetet e pasigurt dhe e largët. Ndërkohë, deputetët, tashmë të pajisur me mandate, janë në pritje të zgjidhjes së ngërçit institucional, ndërsa pagat e tyre do të vazhdojnë të dalin normalisht – pa asnjë kushtëzim nga mungesa e konstituimit.
