Në shënim të 26 – vjetorit të rënies heroike të dëshmorit  Ejup Dushkajës, më 30 prill 1999

Ejup Dushkaja u lind më 10 dhjetor 1961 në Kaçanik. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Kaçanik, drejtimi gjuhësor. Ejupi rrjedh nga një familje me traditë patriotike. Pas kryerjes së shkollës së mesme regjistrohet në Universitetin e Prishtinës, Dega e Historisë. Për shkaqe politike, pas përfundimit të vitit të dytë në vitin 1983, Ejupi ndërpreu studimet. Me fillimin e destabilizimit të Kosovës, shpërthyen demonstratat dhe protestat. Ejupi kurrë nuk kurseu as mund e as djersë në angazhimin për çështjen kombëtare. Edhe në pikëpamje materiale ishte i përkushtuar rreth Lëvizjes për çlirimin e atdheut.(Më gjerësisht shih  librin e Hajrush Kurtajt, Shungullon Gryka e Kaçanikut” (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000).

Me shpërthimin e luftës çlirimtare në Drenicë, Ejupi ishte i gatshëm t’i bashkëngjitej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës Ejupi i vendos më 10 qershor 1998 dhe nga kjo ditë ai angazhohej në ekipet e furnizimit me armë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Lufta çlirimtare u përhap edhe në Kaçanik, ku Ejupi nuk priti më, por atëherë kur atdheu ishte në rrezik, ai u radhit në radhët e UÇK-së konkretisht në Batalionin e Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Bashkëluftarët e Ejupit ishin këta ushtarë: Ramiz Piliqi, Agron Shurdhani, Hajrulla Shehu, Selim Shehu, Misim Sopa, Xhezair Bela (dëshmor), Hesat Axhami (dëshmor), Mendu Elezi, Sakip Mulaku (dëshmor), Rejhane Tusha, Vahide Shahini, Selim Rrahmani dhe Esat Mjaku etj.

Duke kujtuar 26 vjetorin e rënies heroike të Ejup Dushkajës si ushtar lirie, i cili shpejt e fitoi përvojën ushtarake. Ai ishte ushtar i Kompanisë së Tretë në Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Një ushtar i papritueshëm, me një kulturë të veçantë në komunikim me bashkëluftëtar, ushtarët dhe eprorët. Ai mbahet mend në të gjitha njësitë e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Si ushtar i përgatitur që ishte, ai ushtarëve  u ka dhënë dije dhe kurajo për luftën në pozicionet e ndeshjeve me ushtrinë dhe policinë okupatore serbe. Ai kurrë nuk u ankua, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrezikshmëria e situatave. Por, ai ishte i ashpër kundër armikut kudo e kurdo në beteja.(Më gjerësishtë shih në ditarin e Hajrush KurtajtNë Rrugën e Lirisë” (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë, 2012).

Ejupi ishte i palodhshëm, i disiplinuar, ishte një njeri kryengritës dhe patriot i madh i çështjes kombëtare. Ejupi u takonte njerëzve me moral të lartë luftarak. Rregullisht përdorte shprehjen se familja jonë do të mbetej në shtëpi dhe nuk do ta lëshojë truallin e vendlindjes. Bashkëluftëtarëve të vet u thoshte se shumë shpejt do të vinte liria, ja po e shoh, ajo po vjen, me gjakun e derdhur të djemve tanë më të mirë. Ai ishte betuar mbi flamurin kuq e zi se do të luftonte për lirinë e Kosovës deri në fund të jetës së tij. Ishte pjesëmarrës i shumë betejave në Kaçanik, në Rakoc e sidomos në luftimet  në  Gjurgjedell.  Ishte adhurues i madh i futbollit, e ndihmoi shumë Klubin Futbollistik “Lepenci”.(Për  më gjerësisht  shih  librin e Hajrush KurtajtLufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes”, Prishtinë, 2012).

Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte e gjatë dhe plot me sakrifica, por ajo ishte edhe e lavdishme.(Për këtë më gjerësisht  shih  librin e Hajrush Kurtajt “Shungullon Gryka e Kaçanikut” (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000). Brigada 162”Agim Bajrami” zhvilloi luftime të përgjakshme në tërë territorin e Kaçanikut me rrethinë. Në tërë territorin gjeografik të Kaçanikut, përveç luftërave të ashpra frontale, luftoi kundër një ushtrie përpjestimisht më të madhe me një ushtri shumë më të vogël dhe të pabarabartë, kuptohet edhe me gjakun e shtrenjtë të kësaj popullate: të fëmijëve, të grave, të moshuarve, të luftëtarëve trima, kjo hapësirë shërbeu edhe si urë kaluese jo vetëm e udhëheqësve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por edhe urë transportuese e pajisjeve të mjeteve luftarake për tërë ushtrinë çlirimtare të Kosovës, pjesë e kësaj rruga luftarake ishte edhe dëshmori  Ejup Dushkaja deri më 30 prill 1999, ku bie heroikisht  në krye të detyrës, ra ashtu siç vdesin trimat për atdhe, ra te Lagjia e Beljanëve në Gjurgjedell.(Më gjerësisht  shih  librin e Hajrush Kurtajt, “Flakë e Pashuar”, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë).  Bashkëluftëtarët e tij gjithmonë do ta kujtojnë me krenari, ashtu siç do ta kujtojnë bashkëshortja me djemtë Trimorin dhe Mentorin si dhe  mbarë qytetarë e Kaçanikut si dhe e gjithë Kosova.

Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Sot, Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve

Sot, Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve. Në këtë ditë kujtese, përkujtojmë masakrën e Mejës, …