leoni

Dr Kristo Frashëri: Si na shpëtoi nga Greqia kryetari amerikan Truman

Në letrën e parë botuar në “Uashington Post” më 1 mars 1946 Ç. Hart shkruan: “I dashur senator Pepper, Keni shpallur se do të bëheni mbrojtës i fushatës për drejtësi, të Komitetit Grek i cili lufton për kërkesat greke të reparacioneve kur do të bëhen traktatet e paqes me shtetet e Ballkanit …

Këtë lëvizjen e drejtësisë për Greqinë e polli C. Diamantopulos, ambasadori grek në Uashington njëherazi kryetari i makinës së propagandës së organizatës imperialiste greke në Shtetet e Bashkuara …

                  Unë çuditem senator Pepper në qoftë se ju e kuptoni që një pjesë e madhe e kërkesës së reparacioneve greke është e drejtuar Italisë, për të cilën qeveritë në Uashington dhe në Londër janë munduar për dy vjet ta shkarkojnë nga çdo përgjegjësi për shkatërrimet që ka sjellë në Shqipëri, Jugosllavi, Etiopi dhe Greqi … Ju thoni, senator, se drejtësia për Greqinë ka katër qëllime, dhe i treti ndër ta është ‘Kthimi i Epirit të Veriut Greqisë’.

Kjo deklaratë arrin të thotë që të vuloset që tani një atentat ­grabitjeje kundër Shqipërisë së varfëruar, për të cilën Greqia ka 32 vjet që përpiqet. Ky i ashtuquajturi Epiri i Veriut është tani Shqipëria e Jugut, e cila mban në gjakun jetësor ekonomik atë vend të vogël dhe kërkesa ka qenë gjithnjë kaq qesharake sa që është dhënë vendimi kundër Greqisë tre herë me radhë.

              Në gushtin e 1923, Lidhja e Kombeve dërgoi një mision në Greqi për të përcaktuar në vend kufirin greko-shqiptar. Të gjithë anëtarët e atij misioni, katër italianë dhe një përkthyes shqiptar, u vranë pa mëshirë ditën që arritën në Greqi. Një mision pasardhës caktoi kufijtë e sotëm të cilët u miratuan nga Lidhja e Kombeve. Këtë herë një metodë më e qytetëruar po përdoret duke iu zëvendësuar juve dhe shumë nga kolegët e juaj në vend të dorës së vdekjes që u përdor kundër misionit të pafat në 1923.

            Qeveria greke nuk i kapi kurrë vrasësit, duke treguar kështu fajësinë e saj dhe për këtë i pagoi Italisë një milion dollarë si një idemnitet punitiv për këtë krim. Përveç një kohe të shkurtër prej disa muajve më 1914, ky i kështuquajturi Epir i Veriut, nuk ka qenë kurrë pjesë e Greqisë që 600 vjet e këtej. Indianët e Amerikës kanë tani tepër të drejtë të kërkojnë Virxhinian ose çdo shtet tjetër të Shteteve të Bashkuara ku kanë jetuar 300 vjet më parë.

            Meqenëse kërkesa greke bazohet në fakt në gjeografinë e vjetër, është interesante ta dimë se Straboni, një nga autoritetet më të mëdhenj mbi Greqinë e Vjetër (lindur në 64 para Krishtit), na thotë se epirotët nuk flisnin greqisht, por ilirisht, që do të thotë se ata nuk ishin aspak grekë, por shqiptarë.

            Grekët që kanë kërkuar përkrahjen tuaj, senator Pepper, janë kryesisht monarkistë grekë në Shtetet e Bashkuara të udhëhequr nga Diamantopulos, të cilët shpresojnë që të rivendosin në fron Mbretin Gjergj, muajin që vjen, pa marrë parasysh protestat e shumicës së qytetarëve grekë.

            Për të fituar simpati për Greqinë në përpjekjen e saj për të grabitur Shqipërinë e Jugut, z. Diamantopulos flet pa kursim se Shqipëria e ka shitur pavarësinë e saj në 1939, si përfundim i dallavereve të shumë viteve me Musolinin.

            Konferenca e Ambasadorëve, një simultare e Lidhjes së Kombeve, e shiti për herë të parë Shqipërinë në 9 nëntor 1921, kur votoi që ta bënte këtë vend virtualisht një protektorat të Italisë, pa marrë parasysh faktin se Shqipëria qe një anëtare e rregullt e Lidhjes së Kombeve dhe që kish kështu të drejtën e sigurimit nga Lidhja e Kombeve.

            Shqipëria e injoroi atë vepër gjer në qershor të vitit 1926, kur Musolini i kërkoi qeverisë shqiptare që të nënshkruante një dokument për pranimin e protektoratit.

            Qeveria shqiptare për të fituar kohë, thirri ministrin britanik, amerikan, frëng dhe jugosllav, duke i informuar se vetëm 24 orë afat kish përpara se të vinte nënshkrimin. Ministri britanik, duke i keqkuptuar instruksionet e tij, protestoi kundër këtij demarshi italian dhe për fatin e tij të keq u thirr nga Austin Chamberlain, ministri i Punëve të Jashtme, i cili pranoi se veproi në këtë mënyrë, për të marrë me të mirë Musolinin.

            Si ministër i Amerikës në Tiranë, në atë kohë, unë e dëgjova këtë histori të kërkesës italiane dhe thashë se do ta raportoja në Uashington. Por, në mbarim të Luftës së Parë Botërore, duart e qeverisë sonë qenë të lidhura nga politika izolacioniste që kish vendosur Senati, i cili e përbuzi konventën e Lidhjes së Kombeve. Po kjo politikë e ndaloi Presidentin Ruzvelt që të merte masa drastike kur Musolini pushtoi Etiopinë.

            Jugosllavia dhe Franca nuk bënë asnjë veprim, dhe Shqipëria, pa një ndihmë të jashtme, iu  dorëzua me pa-dashje Italisë në një traktat që u bë në nëntor të 1926-ës, i cili përgatiti udhën e invazionit italian 13 vjet më vonë.

            Duke e akuzuar Shqipërinë se i është shitur armikut, z. Diamantopulos, organizatori i lëvizjes Drejtësi për Greqinë, qëndron në një tokë që lëviz. Ai është në Uashington nën patronazhin e Mbretit Gjergj.

            Tani senator dëgjo!

            Kredoja jote në jetën publike ka qëndruar gjithnjë në një besim të deklaruar te vullneti i popullit. Përpara se të shkoni thellë duke përkrahur kërkesat greke, unë u sugjeroj të merrni vesh se ç’ndjejnë grekët për punën e një plebishiti në Shqipërinë e Jugut, të cilën ata me dhelpëri e quajnë si Epir të Veriut.

            Për shekuj me radhë Shqipëria e Jugut ka qenë e populluar në mënyrë mbizotëruese nga shqiptarë, dhe Korça, qyteti i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë, të cilën grekët e kërkojnë si një dhuratë speciale, është pothuajse ekskluzivisht shqiptare në popullsinë e saj.

            Udhëheqësit reaksionarë grekë kanë heshtur me dashje në çështjen e një plebishiti. Pyetini se ç’mendojnë për një punë të tillë. Miqtë amerikanë të Shqipërisë nuk kanë asnjë frikë nga vota e popullit të Shqipërisë së Jugut.

            Por, për të mirën tuaj Senator, kini mendjen.

            Kërkesa zyrtare greke për reparacionet është paraqitur tetorin e kaluar. Shuma e përgjithshme është 10,449,566,000 dollarë, nga të cilat 5.088,517,000 dollarë i është ngarkuar Gjermanisë. Kuptohet se diferenca duhet të vijë nga Italia, e cila nuk mund të paguajë vetëm se një fraksion të vogël të një shume të tillë, as Gjermania nuk mundet të paguajë një dëmshpërblim të tillë në të holla, dhe në qoftë se po, atëherë ekonomia e Europës dhe e botës duhet të shkatërrohet, përveç shkatërrimit të të dy vendeve paguese.

Dhe sigurisht në qoftë se Greqisë i paguhen njëmbëdhjetë miliard dollarë, nuk do të mbetet asgjë për ato kombe që kanë humbur shumë mijëra herë më tepër njerëz, të holla, gjak, djersë, punë dhe lotë. Grekëve, gjithnjë dallaveraxhi natyralë, u vjen mirë një gjë e tillë se shuma që ata kërkojnë do t’i jepte vendit nga 1750 dollarë  për çdo njeri, grua dhe fëmijë në Greqi.”[1]

Në letrën e dytë botuar gjithashtu në “Uashington Post” më 11 mars 1946 ku vazhdonte debati mbi mocionin e senatorit Pepper, thuhet përsëri (me disa shkurtime):

          “I dashur senator Pepper,

            T’ju shkruaj juve, senator, u bë një zakon, kështu të jesh i përgatitur se ke për të dëgjuar nga unë gjersa ju kini për të treguar interes në qëllimet grabitëse të grekëve që duan të rrëmbejnë pjesën më të pasur të Shqipërisë. Kam përpara meje një kopje të rezolutës të paraqitur më 19 shkurt, me anë të së cilës kërkohet kthimi i “Epirit të Veriut” (duke futur brenda dhe Korçën), Greqisë.

            Disa muaj më parë kam dhënë në këto shtylla një histori të shkoqitur të rezolucionit tuaj, por riparaqitja e tij nga ana juaj më detyron që të bëj një përsëritje.

            Rezoluta juaj na kujton dredhinë politike të Henry C. Lodge, i cili thoshte se ishte duke vepruar në emër të disa zgjedhësve grekë në rrethet e Massachusetts. Ai pohoi injorancën e tij mbi këtë çështje, kur tha se nuk dukej se kishte ndonjë kundërshtim.

            Rezoluta juaj nuk ndryshon as edhe një fjalë ose rrokje nga rezoluta e Lodge-it që u aprovua nga Senati më 20 janar 1920, ku nuk qe bërë apeli i senatorëve të pranishëm. Ai që kryesonte mbledhjen, tha vetëm, “Meqenëse s’ka ndonjë objeksion, rezoluta miratohet”. Në atë kohë në sallë kish vetëm pesë senatorë duke qenë se edhe senatori Lodge në atë çast mungonte në sallë.

            Ato kohë Shqipëria nuk kish miq në këtë vend dhe për amerikanët Shqipëria nuk ekzistonte si shtet. Prandaj nuk kish asnjë zë që të kundërshtonte dredhinë e Lodge-it. Rezoluta e senatorit Lodge nuk kishte fuqinë e ligjit sikundër do të kishte juaja. Zoti Lodge pranon se ai mocion qe një dhuratë për votuesit grekë.

            Shqipëria u njoh nga qeveria jonë më 1922 dhe një rrymë e madhe emigrimi shqiptarësh filloi. Një fakt interesant është se një e treta e atyre emigrantëve janë tani banorë në shtetin Massachussetts. Shqipëria ka tani mijëra miq në Amerikë, të cilët janë të vendosur që t’i jepet drejtësia atij vendi të vogël.

            Në “Uashington Post” më 1 mars, kam treguar se imperialistët grekë kanë qenë mundur tri herë në përpjekjet e tyre të fëlliqura që të rrëmbejnë një pjesë të Shqipërisë. Tani unë ju tërheq edhe një herë vëmendjen për faktin se kufiri i sotëm shqiptaro-grek u miratua nga një komision ndërkombëtar zyrtar dhe u aprovua nga Lidhja e Kombeve.

            Grekët kërkojnë Korçën. Përse?

            Në rezolutën tuaj, senator Pepper, imperialistët grekë kanë bërë të gjitha përpjekjet që të specifikojnë që Korça, qyteti më i përparuar i Shqipërisë përveç Tiranës, kryeqytet, t’i jepet Greqisë. Grekët besojnë se Korça ka mundësinë të bëhet fillimi i një qendre metropolitane nga më të mëdhatë e Europës Jugore dhe këtu kanë të drejtë.

            Ka vetëm një grusht grekër në popullsinë e saj shqiptare. Është për t’u shënuar se Korça është qyteti më proamerikan në botë jashtë Shteteve të Bashkuara përveç posedimeve ishullore. Ndërkohë, më tepër se gjysma e popullsisë ka qenë në Amerikë dhe një pjesë e madhe ka marrë nënshtetësinë amerikane.

            Një atmosferë amerikane përshkon qytetin. Qytetarët janë progresistë dhe përpiqen të bëjnë çdo gjë sipas modës amerikane, ata janë luajalë në radhë të parë kundrejt vendit të tyre dhe në radhë të dytë kanë besim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë nga korçarët e sotmë kanë lindur në Amerikë dhe kanë vajtur në Korçë si fëmijë. Ndërsa prindërit vinin të shihnin familjet e tyre, pa u kujtuar se lejet e tyre kishin kaluar dhe e humbën nënshtetësinë amerikane nga ndryshimi që u janë bërë ligjeve tona të emigrimit.

            Senatori Pepper, mendoje prapë këtë punë.

            A do t’i linit juve gjithë këto shqiptarë-amerikanë nën zgjedhën greke? Nuk mund të ketë gjë më tragjike se kjo. Greqia është një komb tregtarësh. Më tepër se  40.000 shqiptarë banojnë tani mjerisht në guvernatoratin grek të Janinës, ku popullsia shqiptare është mbizotëruese. A do të pranoni që për hir të atyre shqiptarëve të ketë një plebishit në Janinë?

           Komiteti i rëndësishëm i Senatit që ju kryesoni ka përpara një rezolutë (Rezoluta 82), që t’i jepet Greqisë imperialiste dhe grabitqare titulli mbi një të katërtën e popullsisë së Shqipërisë dhe një të pestën e burimeve agrare më të pasura të vendit. Meqenëse Greqia nuk e ka patur të sajën tokën në posedim në 500 vjet e këtej, a nuk do të mendoni që Shqipëria, në të cilën ajo tokë bën tani pjesë, ka të paktën aq të drejtë të plotë sa ka dhe populli juaj për shtetin e Teksasit (Texas)? Shqipëria e Jugut, të cilën Greqia kërkon të marrë, është e populluar në mënyrë mbizotëruese ngashqiptarët, sikundër dhe Texas-i është i populluar nga teksanë. Të lutem mbaji këto gjëra në mend në qoftë se rezoluta 82 e Senatit vjen që të shqyrtohet përpara komitetit tuaj.

            Një herë në të shkuarën ti dhe unë takoheshim dendur Senator dhe unë isha kryelartë për këtë njohje.

            Korrigjimet e vogla në Shqipëri kanë për qëllim që t’i vjedhin këtij vendi një të katërtën e popullsisë dhe një të pestën e tokës së saj më të mirë dhe që të bëjnë 230.000 shqiptarë në mes të të cilëve 150.000 muhamedanë, si skllevër

Grekët nuk mund të thonë se shumica e popullsisë së tokës që bisedohet është e përbërë nga grekë. Jo, dhe ata heshtën në çështjen e plebishitit dhe për arsye të mira. Le të përsëritet dhe një herë, toka që kërkohet nuk ka qenë e Greqisë që 600 vjet e këtej, vetëm rastësisht për një kohë të shkurtër në 1914. Sipas më të mirit autoritet mbi Greqinë e vjetër, populli i Shqipërisë së Jugut (i cili quhet me dinakëri si Epir i Veriut nga grekët) nuk ka qenë grek dhe as që ka folur ndonjëherë greqisht.

            Zoti Uelles, ju dhe senatori Pepper, që kini marë përsipër çështjen e imperialistëve grekë, natyrisht pa djallëzi, mund të kishit shpëtuar nga ky gabim sikur të kishit pak kulturë klasike. Dëgjoni: Virgjili ka thënë: “Unë i kam frikë grekët, edhe kur të japin dhurata”. Euripidi, vetë një grek, ka thënë: “Mos i zë besë një greku”.

            Unë e kam vizituar shumë herë Greqinë dhe këto pikëpamjet e mësipërme nuk i pranoj për sa i përket karakterit mesatar grek. Po s’ka dyshim se Virgjili dhe Euripidi, duke përfaqësuar kulturën më të lartë të kohës së tyre, kanë njohur tipin e grekut-reaksionar, imperialist dhe monarkist, si ai që ka mbushur senatorin Pepper dhe juve me rrëfime të shtrembëruara përsa u përket kërkesave greke.

            Këta grekë, mjeshtër të intrigave, kanë qenë të kujdesshëm që t’u mos ua tregojnë më as juve, as senatorit Pepper, kërkesat e plota të Greqisë, të cilat në letër do të bënin njerinë të besonte se pjesa më e madhe e gjysmës perëndimore të hemisferës së lindjes, ka qenë krijuar vetëm për Greqinë. Këtu imperialistët do të donin të ndryshonin ndoshta dhe versionin e parë të gjenezës së parë (të Biblës – K.F.): “Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe tokën për Greqinë”. Dhe ata nuk u kanë thënë juve se kërkojnë njëmbëdhjetë miliardë dollarë si reparacione.

            Greqia, një herë djepi i artit dhe i kulturës, nën udhëheqjen e imperialistëve të uritur, është bërë tani një shesh cmire dhe lakmie që kërcënon paqen e botës. Lufta e Parë Botërore filloi në një vend më të vogël se Greqia. Këta grekë tokë-grabitës, u pëlqen që ta quajnë Shqipërinë si një shtet muhamedan të vogël, të ndyrë, barbar dhe si vend brigantësh.

            Le të më lejohet të them se Shqipëria në 50 vjet e këtej nuk ka prodhuar as një shembull brigandazhi kaq të poshtër, kaq të djallëzuar sa vrasja më 1923 në Greqi e Misionit zyrtar të Lidhjes së Kombeve që ishte dërguar të përcaktonte në vend kufijtë greko-shqiptarë.

            Edhe një fjalë të fundit, senatori Pepper.

            Zhvishuni nga këshillat dhe nga shoqëria e reaksionarëve të mashtruesve imperialistë dhe monarkistë që duan t’u bëjnë juve udhëheqës në grabitjen e një vendi të vogël dhe pa mbrojtës, që ka qenë viktimë e njerëzve dhe e kombeve të këqij për 3000 vjet e këtej”. (Uashington Post, 11 mars 1946).

Lajmi se Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po diskutonte rezolutën me të cilën i rekomandonte qeverisë amerikane aneksimin nga Greqia të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, u përhap që ato ditë në Shqipëri, nëpërmjet medias ndërkombëtare. Duke u mbështetur në këto lajme, kryetari i qeverisë shqiptare Enver Hoxha, i dërgoi më 12 prill 1946 një notë Xh. E. Xhekobsit, me të cilën kërkonte sqarime.

Në notë thuhej se për të larguar çdo keqkuptim që mund të paragjykonte marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Shqipërisë, ai kërkonte nga Departamenti i Shtetit sqarime në lidhje me njoftimet që jepte “Radio Londra”, “Agjencia Reuters” dhe shtypi amerikan mbi “Rezolutën Pepper”. Më 8 maj 1946 zëvendëssekretari i Shtetit Dean Acheson-i iu përgjigj Enver Hoxhës me një memorandum dërguar nëpërmjet Xhekobsit në Tiranë.

Qeveria amerikane – thuhej në memorandum – e motivuar nga e njëjta dëshirë, si ajo e Tiranës, për të shmangur çdo keqkuptim, i cili mund të pengonte rivendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve normale ndërmjet ShBA-së dhe Shqipërisë, ftonte vëmendjen e gjeneral Hoxhës në këto fakte:

  1. Më 19 shkurt 1946 senatori Pepper parashtroi rezolutën e përmendur, e cila u referua në Komisionin e Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë. Sipas vendimit të Komisionit, “Epiri i Veriut” (përfshirë Korçën) dhe dymbëdhjetë ishujt e Detit Egje, të njohur me emrin Ishujt Dodekanezë, ku mbizotëron një popullsi e fortë greke, duhet t’i jepen nga Konferenca e Paqes Greqisë.

  1. Këtë rezolutë komisioni ia përcolli pas asnjë amendament Senatit më 27 mars 1946. Senati deri sot nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj rezolutës.
  2. Senati ka të drejtë të shprehë pikëpamjet e tij për çdo çështje që ai dëshiron.

  1. Gjithsesi, veprimi i ndërmarrë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit nuk duhet të interpretohet sikur tregon qëndrimin e Departamentit, i cili ruan të drejtën të shprehet pro ose kundër propozimeve në fjalë. (F. R. Vëll. VI, 1946, ff. 20-21).

Pra, për Departamentin e Shtetit “Rezoluta Pepper”, edhe po të miratohej nga Senati, mund të zbatohej ose të mos zbatohej nga qeveria amerikane.

Dimë se argumentet që paraqitën miqtë amerikanë të Shqipërisë e tronditën senatorin Pepper. Por, këshillat që atij i dhanë për ta tërhequr rezolutën nga rendi i ditës në Senat, ai nuk i pranoi, me argumentin se tashmë ishte vonë dhe se ai nuk mund të hiqte dorë nga zotimi që kishte marrë për ta paraqitur rezolutën për miratim në Senat. Përfundimisht, pas tre muaj hezitimesh, Senati e mori në shqyrtim rezolutën e senatorit Pepper dhe e miratoi në qershor 1946.

Pas miratimit nga Senati pritej qëndrimi që do të mbante presidenti amerikan, nëse do ta merrte ose jo në konsideratë “Rezolutën Pepper”. Por, H. Trumani, presidenti pasardhës i F. D. Ruzveltit, nuk e nënshkroi vendimin e Senatit amerikan, me të cilën “porositej” Departamenti i Shtetit të pranonte aneksimin nga Greqia të “Epirit të Veriut”, pra të Shqipërisë së Jugut. Si rrjedhim, rezoluta e senatorit Pepper përfundoi në kosh.

(Shqiptarja com)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …