Dorëheqja e Adem Grabovcit është pranim i fajësisë për krim të organizuar, korrupsion dhe kapje të shtetit. Adem Grabovci fillimisht u orvat të shpëtonte nga presioni publik duke fyer inteligjencën e qytetarëve duke dhënë arsyetime absurde që gjoja qenka angazhuar për të rritur punësimin në Kosovë, por i përballur me zemërimin e publikut, u detyrua që më në fund të pranojë fajet e tij ndaj Republikës dhe institucioneve të Kosovës. Sidoqoftë, dorëheqja e tij vetëm nga drejtimi i Grupit Parlamentar të PDK-së është e pamjaftueshme. Ai duhet të heq dorë edhe nga pozita e deputetit, nënkryetarit të PDK-së si dhe nga çdo funksion tjetër politik e publik. Në anën tjetër, ai duhet urgjentisht të ndiqet penalisht dhe të mbajë përgjegjësi ligjore për veprimet e tij të pista.
Dorëheqja e tij nuk mjafton, ngase – siç e pranon edhe vetë ai – Adem Grabovci ishte vetëm ekzekutues që urdhrat i merrte vazhdimisht nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Populli i Kosovës nuk mjaftohet me dorëheqjen e një ekzekutuesi përderisa kokat e krimit që e udhëhiqnin atë janë ende në krye të shtetit tonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon urgjentisht dorëheqjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit si dhe arrestimin e tyre të menjëhershëm.