(Një sakrilegj i vogël)
Rusi 31 vjeçar, Waleri Spiridonow ka një dishrim të veçantë: ëndërron një trup krejtësisht të ri. Vuan atrofinë muskulare që e ka mbërthyer në palëvizshmëri deshpëruese si pasojë e një defekti të rrallë gjenetik.
Shpresa e tij e djegshme është Profesori italian Sergio Canavero. Natyrisht, ajo është dhe ëndërr e tij. Një ëndërr e përbashkët që prek kufijtë e t’pamundurës. Dhe, poaq, pragun e një epoke të re të njerëzisë. Ai synon ta shkokëzojë trupin e Walerisë dhe kryet e tij ta transplantojë në një trup tjetër të shëndoshë.
Ah, fantazia, bujshmëria e saj e pafund! Është kjo paskajsi e mallkuar që më shpie drejt një ekuacioni qiellsisht të përsosur e shpëtimtar për popullin tim. Sa mirë, mendoja me një gëzim të thellë, mrekullia vetë do ishte sikur kjo sprovë e mileniumit të rezultonte suksesplotë. Për Waleriun – fillimisht, por më pas të fitonte të drejtë legaliteti dhe etike e, pra, status rregullariteti qytetar.
Rrjedhimisht mandej, edhe në Kosovë, e pse jo, kudo në landet shqiptare, të bëhej e njëjta gjë – veçse mbi demonët politikë dhe në kah të kundërt. Sepse defekti i tyre nuk është muskular, por trunor. Ata ngarendin prorë në linja të afërta e të largëta. Në tokë e qiej. Me ëndjen e vetme: ta shndërrojnë këtë truall të ngushtë në arenë gostie për llojin e tyre patogjen. Aty, në sferën e epërme zanafillon keqkuptimi i botës. I asaj shqiptare veçanërisht: si një avitum bonum, një pronë gjyshnore që mund të hahet, grryhet e shkrryhet, të qëmtohet, grimcohet e gllabërohet… Ditë e natë. Dhe madje lirshëm e krenisht: pa frikë nga askush e pa turp prej askujt. Gjithëçka brenda një sistemi të mbyllur kartelist me kodin e fshehtë të mbijetesës…
Të shkokëzoheshin, pra, titullarët e kastave politike dhe ato të mos ruheshin as në muze nga rreziku i faktorit Frankenshtajn, por të asgjësoheshin përjetë. Në trupërat e tyre të transplantoheshin pastaj krerë të rinj. Mëndje e shpirtëra të lirë, të urtë, racionalë, modestë, të ndershëm e me kulturë dedikimi deri në vetëmohim, për interesin publik që ende quhet interes kombëtar.
Mitëpo në pritje të Prof. Sergios, athua të besojmë se do teprojë diç nga kthetrat e krenave të tashëm të dinastëve të kooperativës politike të Kosovës?
Ndoshta më reale, e sëndertueshme apo e pavonë, do t’kje një tjetër shndërresë që ka, tashmë, një udhë të gjatë historie pas: pa doktorë të sofistikuar, por me popull të rebeluar. “I dashuri shpirt, mos ndjek përjetsinë, por kap të mundshmën sot”, thotë Pindar tek Oda e tretë që hap Mitin e Sizifit të Kamysë!