Kadri Rexha: Kështu foli Isa Boletini

Me rastin e rivarrimit të eshtrave të gjeneralit popullor Isa Boletini

Në pranverë të vitit 1910, në Kuvendin e Verrave të Llukës, lidhet besa për kryengritje kundër pushtuesit osman. Isa Boletini zgjidhet komandant i të gjitha forcave luftarake. Në mbyllje të këtij Kuvendi,  Isa Boletini u drejtohet burrave të dheut me këto fjalë:

“Vëllazën! Me konstitucion, që si e marrim vesh ne, domethënë bashkim e liri, shpresuem se turqit e ri kanë me punua për të mirë e përparim te të gjithë kombeve nën osmanlinjtë. Ne shqiptarët, kena shpresue se do të na çelin shkolla shqipe, se ndër gjykatare do të gjykohet shqiptari në gjuhë shqipe, kena shpresue se kanë me na goditë rrugë e kan me na çelë fabrika, që të mos mërgohen djemtë tanë në dhenat t’huaj mbas kafshatës. E në vend të këtyre mirësinave që na i garanton Konstitucia, sa pritëm? Pritëm ma fortë me na trashue prangat e robnisë, djemtë tanë me na i veshun asqerë, tuj i mërgue në Azi, të dhetat me na i dyfishue me disa bidate e pagesa të reja që kurrë nuk i kishim dhe mbi gjithë këto zullume edhe me na çarmatosë ne qi tash sa qinda vjetësh me pushkë kena mbrue nderën e trollin tonë… Kështu, na gja tjetër nuk na ka mbetun, veçse me pushkë në dorë me i mprue të drejtat tona. Tokën tonë qi e thau Osmanlia, lotët tanë nuk mujtën me e njomë, e tash na kena me e vaditë me gjak të shqiptarit… Ngrehuni o vllazën, të gjithë na të bashkohemi, ta derdhim edhe ma të maramën pikë të gjakut që na ka mbet, për të drejtat e nder të Atdheut. Rrnoft Vllaznimi. Rrnoft Bashkimi!…”

 

Kur, në muajin mars 1913, në Londër, lordi Grej, mes tjerash, i thotë: “Mitrovica qenka larg për t’ia bashkuar Shqipërisë”, Isa Boletini ia kthen: “Zotëri, nuk kam ardhë të ankohem për Mitrovicën time, por për gjysmën e Atdheut, që padrejtësisht e keni lënë në një robëri hala më të rëndë”.

 

Thënie të Isa Boletinit:

Edhe njëqind vjet jetë në paqa, të tana ia kam falë atdheut!

Edhe njëqind herë n’u rrëzofsha prapë kam me u çue e kam me dalë ku është balli më i vështirë i luftës!

Me vdekë për atdhe më duket si me le për së dyti!

Unë njëqind herë jetën e jap, po kurrë armën, nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!…

Unë kam ngrit krye për hakun e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete.

Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia!

Kadri Rexha: Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në këngën e popullit

Krejt Evropa n’kamë janë çue

N’at Berlin kanë vajtë janë shkue

Krali i Rusit n’kamë na u çue

Keq ka nisë me diskutue

Babës mret ju ka ngërmue

Cërnagorën m’e zgjanue

Shumë e vogël asht qillue

Hot e Grudë Plavë e Gusi

Me ja lshue Malit të Zi

***

Me tokë teme mbreti çka ka

Tokën teme knjazit nuk ia lëshoj…

***

Kem dhanë besen Dukagjinit

Mos me ja lshue tokat llatinit

Tokë llatinit nuk kem me i dhanë

Për pa u mushë me vorre an’e m’anë.

***

Mark Milani i Malit t’Zi

Po lyp sillën në xhami

Drekën n’Plavë, darkën n’Guci

….

I çoj fjalë Ali Pashës n’Guci

Prit more Pashë aty po t’vi

Unë more Pashë aty due me t’ardhë

N’kishë t’Deçanit du me dalë

Se mue mbreti ma ka dhanë

Krejt krajlia përhajër ma banë

Çka po ban Pasha n’Guci

Po i çon letrat nëpër Shqypni

Mori Shqypni ti qysh po thue

Mali i Zi më ka rrethue

Në vakt t’lig kam qillue

A te mbajmë a me e lshue

Krejt Shqypnia fjalë ka çue

Nuk e lëshojmë pa liftue

Pa liftue për pa u shkri

Pa shkue gjaku deri n’zinxhi

S’ja lëshojmë tokat Malit të Zi

***

Veç gjashtë ditë n’mujshi me qindrue

Fukaraja opingat sa t’i mbarojnë

I madh e i vogël qatje domë me dalë

Domë me dalë e domë me u coptue.

***

I pari t’ mbramin hiq s’po e pret

Kijet n’mal vetëm i kanë lanë

Ka pesë për shpi atje po shkojnë.

***

Ç’janë kto gjamë që po i bjen era

Po liftojnë Rugova e Peja

Na u ka rrasë shkau te dera

***

Po ik Marku në Previ

Shikon Limin me turbi

Çka ka Limi qi dirgjet zi

Hajmedet vojnikt e mi

Çka ka Limi qi dirgjet gjak

Po lifton Shqipnia e ngratë

Nuk po i çon trupat fort larg

Der n’Taslixhe, n’Vishegrad

Mark Milani, Mark Milica

Jam Shqipnia krejt ne plisa

Tanë me plisa e n’jatagana

Pyete Kuçin se çka i bana

Derë me derë gjamën ia çova

Derë me derë futën ia qita

N’Vishegrad shejat t’i çova

Shtatë krajlive u kallxova

Shtatë kralive u kam kallxue

S’ka çka t’vyen lufta me mue

Nuk ta lshoj Plavë e Guci

I madh e i vogël për pa u shkri

***

Shumë asqer po qet pamporri

Qet Dervisha ma zi se korbi!

Ku i ka çadrat Mic Sokoli?

Ku i ka çadrat, ku i ka t’par’t

M’ka çue mreti me ja çartë

Me ja çartë m’ka çue dovleti

Don me kanë shah ner veti

Shah ner veti don me kanë

Kurgja mretit mos me i dhanë

As redifë, as nizamë!

***

Pa u farue malsia krejt

K’tu nuk hi krajl as mbret.

***

Mic Sokoli po m’ pisket

Ali Ibres po i thrret:

Merr bajraqet, hajde shpejt

Na rrethoi asqeri mret!

***

Ku po del kjo flakë e verdhë?

Gashi i Gurit si kurdoherë

Si çdo herë rrema-rrema

Bajram Rama me shtatë zemra…

***

Sylejmani ka hip në thep

Bash si zana po pisket:

Ju Kabash bini he burra

Qitni n’thika, kacaturra

Suharekë, trima asgana

Bini n’pritë, merrni n’nishana

O Pojan, o djem çobana

Preni turqit n’jatagana

Ju Hasjanë prej Malsie

Msyni hasmin si ju ka hije

Podrimçak, he inatxhi

Mos ta lamë pashën me hi.”

***

Zo Dërvishi ku a vet

Pesë zabit ja lash pa jetë

Du n’Dërvishin m’u zatetë…

T’ja qes zemrën në ledinë

Orlat gjakin le t’ja pinë

Se dy herë na pruni sherr

Bim, shokë, t’vdesim me nerë!!!

Ali Ibra n’vranç të zi

Po i shkon gjaku për zinxhi

Qëndroni, burra, bani gajret

S’do ta lamë asqerin mbret!

***

Mic Sokoli ban me dorë

Bini, shokë, se s’muj me folë

Se m’ka ra do gjak në gojë

Se m’ka ra do gjak në bark

Shtatë martina i kam në shtat.

Mic Sokolin e vrau reja

E vrau reja, e vrau moti

E vrau Dërvishi me gjyle topi.

Bini, djem, t’desim me nerë

Se shqiptari dy gzime ka

Nja kur leu dhe nja n’luftë me ra.

****

Sefë Kosharja i pari i fisit

Hije të paska maja e lisit

Hije më ka, or djemtë e mi

Kam dhanë jetën për Shqipni.

***

Kudo vu njaj turku kamë

Gjak e varr e ka bamë

Na janë vra e na janë pre

Kanë dhanë jetën si me le

Tue luftue, trimat, për atdhe.

***

Ç’po pëvet Dërvish Pasha

Zot, ku rrin Sylejman Aga

N’ato bjeshkë, te retë e bardha

Dërvish Pasha po pëvet

Zot, mileti kah u tret?

Qatje, nelt, ku zbardhin retë

Koftë kysmet do t’i shohsh opet.

(Përgatiti: Kadri Rexha)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …