Adil Fetahu: 27 Qershori, ditë e paharruar e masakrave greke kundër çamëve

Edhepse mbi 90 përqind e heronjve të luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Greqisë ishin shqiptarë (arvanitas), shteti nacional-shovenist helen, i indoktrinuar nga kisha ortodokse greke për përtrirjen e Perandorisë Bizantine, qysh prej pavarësisë (1821), ishte urrejtësi më i egër i shqiptarëve. Kjo sidomos u manifestua në mënyrën më gjakatare pas vitit 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër padrejtësisht ia dha Greqisë krahinën më të bukur shqiptare – Çamërinë, e banuar me popullsi autoktone shqiptare. Të dhënat statistikore për popullsinë e Çamërisë, bëjnë të ditur se në vitin 1913, në qytetet me rrethinë, kishte 8.062 familje, me 43.218 pjesëtarë të nacionalitetit shqiptar, dhe 1576 familje, me 7.892 pjesëtarë të nacionalitetit grek (Kastriot Dervishi: “Masakra në Çamëri – Përmbledhje dokumentesh”, fq.83). Mirëpo, duke pasur parasysh manipulimet e kishës dhe shtetit grek, që ortodoksët shqiptarë t’i konsiderojë dhe regjistrojë si grekë, në shifrën e grekëve duhet të jenë përfshirë edhe shumë shqiptarë të tjerë. Në të njëjtën kohë, në atë Krahinë shqiptare kishte 111 xhami, 46 kisha dhe 76 shkolla me mësim në greqisht, e asnjë me mësim në gjuhën shqipe!

Pas pushtimit grek të Çamërisë, gjatë Luftës Ballkanike (1912-1913), nisi kalvari i vuajtjeve, torturave, masakrave mbi shqiptarët, duke i asimiluar shqiptarët ortodoks në grekë, e duke i zhdukur apo dëbuar shqiptarët myslimanë. Në periudhën 1922-1926, në bazë të marrëveshjes greko-turke për shkëmbimin e popullsisë, duke i trajtuar shqiptarët myslimanë si turq, shteti grek i dëboi shumë shqiptarë në shkretëtirat e Anadollit, prej nga i mori grekët dhe i vendosi në shtëpitë dhe tokat e shqiptarëve të dëbuar por edhe të atyre që akoma ishin aty. Shumë shqiptarë myslimanë nga Çamëria janë dëbuar për në Turqi, të cilët u detyruan t’i lënë pronat dhe pasuritë e tyre në shfrytëzim të shtetit e të “muhaxhirvë” grekë të ardhur nga Turqia, apo nga vise tjera të Greqisë.

27 qershori – ditë e shënuar e masakrës greke mbi çamët

Pas pastrimit etnik të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit (1878), dëbimi i shqiptarëve myslimanë nga Çamëria ishte spastrimi i dytë i shqiptarëve, pas Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botërore, në zemër të Evropës. Për t’i frikësuar e detyruar shqiptarët të ikin, pushteti fashist grek, kreu masakra të tmerrshme. Duke marrë si pretekst gjoja bashkëpunimin e çamëve me fashizmin italian e gjerman, forcat greke prej 5000 vetash, nën komandën e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva, më 27 qershor 1944 sulmuan fshatrat dhe qytetin e Paramithisë, me ç’rast, brënda 24 orëve vranë e masakruan 800 burra dhe 230 gra e fëmijë, dhe në Pargë 130 burra (“Masakra në Çamëri”,fq.75). Në një xhami të qytetit të Paramithisë, u dogjën të gjallë 40 gra e fëmijë që kishin shkuar aty për të kërkuar shpëtim. Forcat e Zervës, dogjën e shkatërruan gjithçka që identifikonin se u përkiste shqiptarëve myslimanë. Në muajin gusht 1944, një grup prej 72 çamësh trima luftuan heroikisht, duke vrarë 400 e plagosur 600 ushtarë të Zervës, derisa në atë betejë u vranë të gjithë ata 72 çamë rezistues. Pastaj, forcat greke në Filat bënë masakrën tjetër, pas asaj të Paramithisë, duke vrarë 198 burra e 61 gra e fëmijë, për të vazhduar masakrat në Filat dhe katunde në mars 1945. Përveç civilëve të vrarë, pati edhe shumë të zhdukur. Sipas të dhënave nga burime të ndryshme, numri i përgjithshëm i të vrarëve e të zhdukurve arrin në 4700 veta.

Këto masakra i detyruan ma se 22 mijë myslimanët çamë të kërkojnë shpëtim, duke ikur brenda kufirit të shtetit shqiptar, të cilët kishin lënë pronat dhe gjithë pasuritë që kishin krijuar brez pas brezi.

Ndërkaq, çamët ortodoks përjetuan diskriminimin më të egër kombëtar në gjuhë, arsim, kulturë, deri në asimilim të plotë. As çamët as katër milion qytetarë të Greqisë me prejardhje arvanitase, tash nuk guxojnë të flasin në gjuhën amtare jashtë shtëpive të tyre. Në Greqinë shqiptare, në parlamentin e së cilës deri në vitin 1880 është folur e debatuar vetëm shqip – arvanitçe. Ja se çfarë dhembje thotë një poezi për gjuhën e arvanitasve:

“Gjuha jonë vetëm thuhet,

Nuk e lënë që të shkruhet,

Bëmë këngë këshillat e urta,

Që të mos harrohet gjuha”.

Duke pasur për qëllim zhdukjen e një pjese të popullsisë së caktuar, për shkak të përkatësisë kombëtare dhe fetare, veprimet e shtetit grek ndaj çamëve përmbajnë të gjitha tiparet dhe elementet e gjenocidit. Kaluan shtatë dekada, e asnjë qeveri greke deri më tash nuk kërkoi falje për këtë gjenocid. Terrori e gjenocidi mbi çamët, është dokumentuar me prova të pakontestueshme, të cilat gjendën në raporte të komisioneve ndërkombëtare, në arkiva të ndryshme, të Kombeve të Bashkuara apo të shteteve të caktuara. Po, për këtë gjenocid, kurrë nuk e ndëshkoi bashkësia ndërkombëtare, e cila e përkëdhelë dhe ndihmon pa kursim shtetin grek, duke pasur një sentimentalizëm të pakuptimtë ndaj “djepit të demokracisë dhe civilizimit antik helen”, me të cilin Greqia e sotme nuk ka asgjë të përbashkët. Studjuesi austriak, Jakob Fallmerajer, thotë se “Grekët e sotëm nuk janë helenët e lashtësisë, veçse një etni e re, ku është përzier edhe gjak sllav, edhe gjak shqiptar”. Ali Pashë Tepelena në kohën e sundimit të tij u thoshte: “O ju grekët e varfër, deri kur do të rroni me lavdinë e gjyshërve”?

Greqia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ua njeh statusin e minoritetit as të drejtat elementare minoriteteve brenda shtetit të vet: çamëve, arvanitve, turqve, vllehëve. Është një shtet i absurdeve: anëtare e KB, e BE-së, OSBE-së, NATO-s, aktualisht udhëhiqet nga komunistët radikalë të “Sirizit”, mbahet gjallë me ndihmat e Perëndimit, ndërsa flerton me Rusinë. Borxhet që ka ndaj kreditorëve perëndimor arrijnë dyfishin e brutoproduktit vjetor të vendit, dhe për të mos i kthyer ato, kërcënohet me daljen nga “eurozona”, thuase do ta tronditë botën nëse del. Realiteti i Greqisë duhet t’i shkërmoçë iluzionet e “demokracisë së lashtë”, të cilën e kanë përdhosur e varrosur përgjithmonë kisha ortodokse dhe shteti grek. Duket qartë se, bashkë me Serbinë, Greqia është një “kali i Trojës” ruse në organizmat e Perëndimit.

Pasuritë e çamëve të lëna në Greqi

Pasuritë e çamëve, të krijuara në vendin e tyre shekuj me radhë, që kanë mbetur brenda kufirit të shtetit grek, as u janë kthyer as kompensuar pronarëve, llogaritën në vlerë 4 miliardë dollarë. Pasuritë e tyre janë goditur në disa faza të ndryshme kohore: në kohën e ndarjes prej Perandorisë Osmane; në kohën e reformës agrare dhe në kohën e luftës e pas Luftës së Dytë Botërore. Ato pasuri çamëve iu morën në disa forma: me grabitje, përvetësim, shkatërrim prej pushtetit ose bandave të përkrahura nga shteti grek, me konfiskim, me shpronësim në procesin e reformës agrare. Përveç pasurisë së çamëve, në Greqi kanë pasuritë e tyre edhe shumë shqiptarë tjerë, nga Konispoli deri në Ersekë. Ato pasuri iu dhanë në shfrytëzim grekëve e vllehëve, por nën administrimin e Bankës Agrare të Greqisë, e pa të drejtë tëhuajsimi. Bile, Qeveria Papandreu në vitin 1986, me një vendim qeveritar, e ka shty afatin e tjetërsimit të pronave të shqiptarëve edhe për 40 vjet, dmth. deri në vitin 2026.

Bashkësia ndërkombëtare duhet ta zgjidhë problemin e çamëve

Problemi i çamëve është botërisht i njohur, por mbahet si një sekret ndërkombëtar, dhe asnjëherë nuk është shtruar në tavolinën e diplomacive ndërkombëtare për t‘u trajtuar e dhënë zgjidhje të drejtë, në pajtim me marrëveshjet dhe traktatet të cilat e obligojnë Greqinë për garantimin e të drejtave politike, ekonomike e kulturore të minoriteteve. Historiani i njohur i çështjes shqiptare, Noel Malkolm, duke folur për librin e Bejtullah Destani – Robert Elsie: “Shqiptarët çamë të Greqisë – një tregim i dokumentuar”, ka pohuar: “Fati i shqiptarëve çamë është një nga sekretet më të errëta të historisë evropiane”.

Tash që Shqipëria është anëtare e KB, e OSBE-së, e NATO-s dhe është në procesin e anëtarësimit në BE, duhet të bëjë më shumë dhe çmos në sensibilizimin dhe kërkimin e zgjidhjes së çështjes çame. Duhet të kërkohet që çamëve:

  1. a) T’iu kthehën pronat dhe t’iu paguhet dëmshpërblimi për tërë kohën e shfrytëzimit të atyre pronave nga shteti grek;
  1. b) T’iu lejohet dhe mundësohet kthimi i çamëve në pronat e tyre;
  1. c) T’iu njihet statusi i pakicës kombëtare dhe t’iu garantohet mbrojtja e të drejtave civile, politike dhe kulturore sipas standardeve ndërkombëtare dhe reciprocitetit të atyre të drejtave që gëzon minoriteti grek në Shqipëri.

Shqipëria e Kosova, dhe shqiptarët kudo që janë, kurrë nuk duhet ta heshtin problemin e çamëve e të Çamërisë, por ta kenë përherë në vëmendje e në agjendë të aktiviteteve të tyre diplomatike në arenën ndërkombëtare. Në këtë kuptim, duhet të organizohen konferenca shkencore e profesionale ndërkombëtare, në të cilat të ftohen autoritete të njohura ndërkombëtare dhe njohës të çështjes çame, siç janë Xh.Petifer, Mirand Vickers, Noel Malkolm, e shumë të tjerë, për të trajtuar dhe propozuar zgjidhje; të botohen e shpërndahen libra në gjuhë të hueja, me dokumente relevante ndërkombëtare autentike, në favor të zgjidhjes së drejtë të problemit të pazgjidhur të çamëve tash e një shekull.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …