Shpërblimet dhe subvencionet në bujqësi vetëm për militantë partiakë që sigurojnë më shumë vota

Shpërblimet dhe subvencionet në bujqësi vetëm për militantë partiakë që sigurojnë më shumë vota

Në  ndarjen e shpërblimeve dhe subvencioneve për fermerët në bujqësi, ka keqpërdorime të mëdha nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Dyshohet  se një pjesë e madhe e fondit ndahet për militantët e partive në pushtet dhe për ata që japin ryshfet.  Pagesat direkte dhe mbështetja e projekteve zhvillimore në bujqësi kap shifrën e 46 milionë euro, kurse, fondi i granteve është 23 milionë euro që ndahet për çdo vit nga MBZHR. Përfaqësues të fermerëve nuk hezitojnë të përmendin edhe emrat e atyre përfituesve të cilët nuk janë meritorë dhe nuk merren fare me bujqësi, por që në këtë mënyrë po dëmtohen ata fermerë që meritojnë në sektorin e bujqësisë. Përfitues i një traktori në vlerë prej 30-40 mijë euro nga kjo kategori është edhe Naser Imeri, vëllai i ish-komandantit të UÇK-së, Gani Imeri nga Vushtrria, i cili është i afërt me PDK-në. Ky i fundit nuk merret me bujqësi, përveç se ka biznese për mekanizëm bujqësor (Për shitjen e traktorëve) në Fushë-Kosovë. Ndër përfituesit tjerë është edhe Burhan Hashani nga Obiliqi, i cili ka përfituar 8 sera nga 10 ari.

Kjo thuhet se është bërë falë intervenimit nga ish-ministri i Ambientit, Ferid Agani, ndaj të cilit prokuroria e shtetit ka ngritur aktakuzë nën dyshimin se është i përfshirë në keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie e marrje të ryshfetit, si dhe shmangie taksash.Hashani prej këtyre 8 serave ka në funksion vetëm një, të tjerat janë boshe. Ky i fundit njëkohësisht është edhe zyrtarë i Bashkësisë Islame në Kosovë.Keqpërdorime në këtë ministri për ndarjen e granteve ka evidentuar edhe auditori i përgjithshëm.Mirëpo, për keqpërdorimet e mundshme në ndarjen e granteve i ka hedhur poshtë ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi. Megjithatë, ai as nuk ka pohuar dhe as mohuar se për një traktor është përfitues, Gani Imeri në emër të Naser Imerit.

Ka dyshime të bazuara që ndër ata të cilët vendosin për këto ndarje të granteve që janë pjesë e buxhetit të shtetit dhe që nuk pyetet as ministri Krasniqi, është kryeshefiekzekutiv i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësisë, Elhami Hajdari, por një gjë të tillë e ka mohuar vet ministri Krasniqi.Ndërkohë, kryetari i federatës sindikale të bujqve, Tahir Tahiri thotë për KosovaPress se qëllimi i granteve dhe subvencioneve është për zhvillimin bujqësisë, për të krijuar vende të punës dhe për ta zhvilluar shtetin ekonomikisht. Mirëpo, sipas tij, këto fatkeqësisht nuk po ndodhin. Ai thotë se grantet dhe subvencionet po keqpërdoren.  Tahiri thotë se kanë drejtuar ankesat e tyre nëpër institucionet përkatëse dhe në prokurori.  Sipas tij, grandet iu jepen njerëzve të fuqishëm, dhe në vend se ato t’i jepen atyre që kanë nevojë dhe që mbajnë bagëtitë e tyre në stalla dhe kushte mjeruese, ministria iu jep grante atyre që kanë para dhe janë milionerë.Për rastin tjetër i cili është i afërt me Partinë e Drejtësisë të ish-ministrit, Ferid Agani, Tahiri thotë se ka përfituar sera edhe pse ai nuk është marrë më herët me veprimtari bujqësore.

Tahiri mendon se kjo formë e dhënies së granteve është një keqpërdorim jashtëzakonisht i madh, dhe është një padrejtësi e madhe.Ai po ashtu ka akuzuar edhe drejtues të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë për këto parregullsi që po bëhen në vazhdimësi ndaj fermerëve të bujqësisë. Ai ka evidentuar keqpërdorime edhe tek subvencionet, ku bujqit nuk mbjellin fare kulturat bujqësore. Sipas tij, është një rast në fshatin Dyz të Podujevës, i cili ka marrë subvencione për 13 hektarë se gjoja ka mbjellë tri kultura bujqësore me grurë, misër dhe patate, por që në fakt nuk e ka mbjell as një ari.Ai tha se për këto informata janë të verifikuara me dokumente nga anëtarët e kësaj sindikate. Rasti tjetër që ka marr grant dhe nuk ishte fermer është Musli Haziri, i cili ka ndërtuar stallën përmes lidhjeve.Tahiri ka përmendur edhe fermerët që janë të përbuzur dhe të ndëshkuar, të cilëve me të vërtet kanë merituar grant dhe nuk kanë mundur të marrin duke aplikuar dy apo tri herë.Ndër të gjeturat janë evidentuar edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ku nga procedurat e pagesave për kulturat në bujqësi, rreth 350 përfitues janë paguar nga Ministria e Bujqësisë nga dy herë. Vlera totale e mbi paguar ishte rreth 250 mijë euro.Ndër të gjeturat e raportit të auditorit të përgjithshëm, nga testimi i vlerësimit të aplikacionit dhe dëshmive për përfitimin e grantit “Ujitja e tokave bujqësore” në vlerë 160 mijë euro, auditori ka vërejtur parregullsi në poentimin e përfituesit.Edhe profesori në fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinoci ka kritikuar mënyrën e dhënies apo mbështetjen e fermerëve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Ai tha për KosovaPress se sektori i bujqësisë nuk mund të përfitojë, por as vendi ynë me keqpërdorin e fondit të granteve dhe subvencioneve.Rusinovci thotë se mbështetja e militantëve partiak dhe atyre që nuk janë fermerë të vërtet, po i dëmton fermerët serioz të cilët po kontribuojnë në shtimin e prodhimeve vendore dhe shtimin e numrit të punëtorëve. Kurse, sipas tij përfituesit e këtyre granteve me dallavere ndërrojnë edhe destinimin e projekteve bujqësore. (Kosovapress)

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …