Kufiri shqiptar ishte bërë prej vitesh arenë e provokacioneve të shkaktuar nga shtetet fqinje, për qëllimet e tyre agresive apo pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë. Viti 1949 është “i veçantë”. Vetëm gjatë këtij viti në kufijtë shqiptare u bënë gjithsej 747 provokacione të llojeve të ndryshme (tokësore, ajrore e detare), nga të cilët 612 në kufirin me Greqine (303 tokësore, 299 ajrore e 10 detare); 130 në kufirin me Jugosllavinë (57 tokësore, 69 ajrore e 4 detare) dhe 5 (ajrore) në sektorët bregdetare me Italinë.
Të gjitha këto provokacione u paraprinë edhe nga një propogandë e shfrenuar që bënin vendet fqinje kundër Shqipërisë, veçanërisht në sektorët e Jugut. Ata jo vetëm hidhnin në territorin shqiptar libra, broshura e gazeta me thirrje kundër pushtetit popullor në Shqipëri, por arritën deri atje sa të fabrikonin dhe përhapnin trillime, sipas të cilave rreth kufirit shqiptar ishin krijuar baza, prej nga ku furnizoheshin partizanët greke në luftën kundër andarteve (forcave të ushtrisë demokratike greke). Robërit grekë të kapur nga Forcat e Kufirit Shqiptar, pohonin gjithashtu edhe përgatitjen psikologjike që u bëhej ushtarëve grekë për një sulm të afërt ndaj Shqipërisë. “Jemi udhëzuar vazhdimisht nga komandat tona eprore të bëjmë propogandë shoviniste te ushtarët për të ngjallur ndër ta urrejtje kundër Qeverisë e popullit shqiptar, duke u thënë se neve na takon Shqipëria e Jugut, pasi është greke, se Qeveria Shqiptare i shtyp vorioepiriotet dhe i shfaros ata, se Shqipëria ndihmon komunistët banditë dhe kërcënon pavarësinë e Greqisë. Na kanë udhëzuar të bëjmë edhe goditje me armë në kufi kundër rojeve shqiptare, duke u futur edhe në tokën e tyre. Na kanë thënë vazhdimisht se ushtrinë tonë duhet ta kemi gati, me urrejtje kundër Shqipërisë dhe, kur të jetë rasti, të sulmojmë tokën shqiptare, që të shfarosim komunistët dhe të marrim Vorioepirin” , deklaroi, para organeve shqiptare oficeri grek Skuros Dhimitris, i kapur rob nga kufitarët shqiptarë, mes luftimesh të ashpra ku kishte hyrë mbi 300 metra në territorin shqiptar.
Dhe më në fund këto synime i afirmon qartë në deklaratën e tij të 3 gushtit 1949 gjenerali Papagos, ish ministër i Mbrojtjes i Greqisë ku thotë se: “Andartet, (e ka fjalën për forcat e ushtrisë demokratike greke) u dërrmuan në Thesali, Rumeli dhe përgjithësisht në thellësi të Greqisë. Gramozi dhe Vici mbarojnë brenda gushtit. Pastaj do t`i biem Shqipërisë”.
Përgatitja për një agresion kundër RPSH të kurdisur me anë të një provokacioni të gjerë nëpërmjet Greqisë, u shoqërua edhe me aktivizimin e qendrave të diversionit dhe spiunazhit të vendeve fqinje me Shqipërinë, për të dërguar prej andej emisarë e banda “… me qëllim që të organizonin lëvizje të “armiqve” të brendshëm, të cilët, në kombinim me provokacionet në kufi do të shërbenin si shkak për ndërhyrjen e armatosur të fuqive imperialiste.
“Një ditë më 10. 07. 1949 në lartësitë e Pirgasit, deklaronte një ushtar tjeter grek Sterios Kostandinos, i zënë rob nga rojet kufitare shqiptare, më thirri komandanti i komapanise togeri Hundas Anastasios, i cili më tha se duhet të vazhdojmë propogandën ndër ushtarët tanë sipas urdhrit që kemi patur kundër demokracisë së Shqipërisë. Në bazë të fjalëve të komandantit, togerit Hundas, i cili kishte biseduar edhe me komandantin e batalionit, ky urdhër kish për qëllim që të krijohej një situatë pasigurie në kufirin greko-shqiptar dhe bashkë me këtë, për të shkaktuar ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, gjoja për të rregulluar qetësinë”.
Qëndresa e postës kufitare Vidohovë-Devoll në provokacionin e 2 gushtit 1949.
Provokacionet greke në kufirin me Shqipërinë arritën kulmin e tyre më datë 2 gusht 1949, kur forcat e tyre ushtarake organizuan dhe kryen sulmin e armatosur kundër rojeve kufitare shqiptare në sektorin e Devollit, duke shkelur kështu edhe integritetin territorial të RPSH. “Veprime të tilla na kujtojnë metodat e nazistëve gjermanë dhe të fashistëve që krijojnë incidente në kufijtë me fqinjet e tyre me qëllim presioni e kërcënimi, për të krijuar pasiguri e armiqësi në mes të popujve ose për t`u hapur rrugë veprimeve më të gjera agresive”, shkruante, ndër të tjera në kryeartikull gazeta “Zëri i Popullit” në atë kohë, duke u prononcuar forcërisht për ngjarjet e 2 gushtit në kufirin shqiptaro-grek.
Por si filloi dhe si u realizua ky sulm. Në mëngjezin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë. Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i fanterise greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanesh gjuajtës të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e Kastorias. Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht. Sulmi i tyre u ndesh në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilat nuk ishin më shumë se një togë. Pra, kaq ishte efektivi i postës kufitare Vidohovë, i armatosur kryesisht me pushkë e automatik si dhe me 3 mitralozë të rëndë e 4 të lehtë. Lufta vazhdoi e ashpër për 7 orë rresht. Sidomos në kuotën 1309 nuk shihej tjetër gjë, veç tym e flakë.
Por rojet e kufirit shqiptar nuk u zbrapsën. “Unë s`tërhiqem prej këtej, se këtu është shtëpia ime dhe atdheu im”, thërriste njëri nga ushtarët, i quajtur Mustafa Gjini, qysh në fillim të këtij sulmi, duke ju dhënë kurajo të jashtëzakonshme shokëve të cilët ndodheshin në momente tepër kritike për jetën. “Hajdeni, hajdeni, se këtu do ta lini rrashtën!”, ju drejtohej ushtarëve grekë që i kishte përballë, kufitar Tafil Ferhati. Edhe pse ndaj tij në këto momente u vërsul një skuadër e tërë ushtarësh grekë për ta mposhtur, ai nuk u tërhoq, por qëndroi në vend duke luftuar, ku vrau 4 prej tyre, deri sa u vra dhe vet.
Në kuotën 1309 (rajoni i piramides kufitare I-55), një grup kufitarësh shqiptarë prej 3 vetësh, me një mitraloz të rëndë, bënë kërdinë mbi armiqtë që sulmonin, derisa një predhë artilerie e forcave greke u ra në pozicionin e tyre, u nxori jashtë përdorimit mitralozin dhe plagosi dy prej tyre. Kapter Zylgani Vidohova, efektiv i postës kufitare Vidohovë vrau gjashtë ushtarë grekë dhe u mori atyre flamurin. Një grupi tjetër kufitarësh megjithse ju mbaruan municionet e armëve ata vazhdonin përsëri të qëndronin e të luftonin në pozicionet e tyre, vetëm me bomba dore.
Por, forcat ushtarake greke sulmonin gjithmonë me forca më të mëdha. Aty nga dreka ato arritën të marrin kuotën 1309. Mirëpo nuk kaluan veçse disa orë dhe Forcat Kufitare Shqiptare të mbështetura edhe nga repartet e ushtrisë që mbritën në këtë rajon në orët e mbasditës, pas një përgatitje me artileri, rreth orës 18.00 filluan kundërsulmin dhe i detyruan trupat ushtarake greke të tërhiqen me dështim të plotë. Në këtë mënyrë afër mbrëmjes gjendja në kufi ishte normalizuar dhe agresorët ishin larguar përtej piramidave kufitare.
Në këtë situatë kaq të ndezur luftarake për mbrojtjen e kufirit shtetëror shqiptar dhanë jetën Kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës, Aspirant Ferid Bregasi nga Vendresha e Skraparit, ushtar Tafil Ferhati nga Marjani i Oparit, ushtar Shyqyri Avdia nga Skrapari, ushtar Ibrahim Fetahu nga Lushnja dhe ushtar Hasan Ramadani nga Shijaku, ndërkohë u plagosën dhe gjashtë të tjerë.
Sipas komunikatës së datës 3 gusht 1949 botuar në shtypin e ditës, trupat ushtarake greke atë ditë patën rreth 100 të vrarë e të plagosur, si dhe tre robër të kapur nga forcat kufitare shqiptare, dy nga të cilët të plagosur. Në duart e kufitarëve shqiptarë mbetën edhe armatime të llojeve të ndryshme, ndër të cilët 6 mitraloza angleze, 5 copë automatik amerikanë, granatahedhës të tipit anglez shumë municione të tipit amerikan.
Duke çmuar lart veprimtarinë luftarake të postes kufitare të Vidohovës në mbrojtjen e kufirit shqiptar me propozim të Byrosë Politike të KQ të PPSH, Presidiumi i Kuvendit Popullor i dha asaj titullin “Hero i Popullit” me motivacion: “Qëndresa heroike e të gjithë ushtarëve të kësaj poste në provokacionet e monarkofashistëve grekë të 2 gushtit 1949, u bë një barikadë e pakapërxyeshme për armikun. Njësiti i vogël i postës, i vendosur deri në vdekje në roje të tokës së shtrenjtë të Atdheut, tregoi një heroizëm masiv në mbrojtjen e kuotës 1309 dhe theu me sukses sulmet e përsëritura të disa batalioneve të armikut. Shembulli i lartë i patriotizmit, guximi e trimëria që karakterizoi efektivin e kësaj poste u bë frymëzim për të gjithë luftëtarët kundër provokacioneve të monarkofashistëve. Ai është një frymëzim i madh për gjithë Forcat tona Kufitare, për ushtrinë dhe për popullin tonë trim e punëtor”.
Përballimi i provokacioneve të tjera greke në kufirin me Shqipërinë.
Pas 2 gushtit të vitit 1949, provokacionet greke u shtrinë edhe në drejtime të tjera të kufirit shqiptar nga Bilishti deri në Konispol. “Gjatë datës 04.08.1949 monarko-fashistët grek kanë vazhduar provokacionet e tyre të poshtra kundër Shqipërisë në kufirin e Jugut, në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut në afërsi të piramidave Nr. 11, 12, 13 dhe 14. Në sektorin e Bozhigradit, monarko-fashistët të mbështetur nga artileria dhe aviacioni, me forca të shumta, sulmuan kuotat 1425 dhe 309. Kundërsulmet e forcave kufitare shqiptare i thyen monarko-fashistët dhe i nxorrën jashtë kufirit. Gjatë datave 4-5 gusht në tokën shqiptare kanë rënë më shumë se 1500 predha artilerie. Një pjesë e këtyre predhave të rëna në Menkulas (Devoll), kanë djegur 5 shtëpi” , thuhej në komunikatën operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore Shqiptare të datës 6 gusht 1949.
Në këto kushte, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Popullore Shqiptare, duke parashikuar mundësinë e kryerjes së provokacioneve greke në stil të gjerë dhe më agresive në drejtim të territorit shqiptar, në sektorin e Bilishtit dhe të Leskovikut, mori masa të gjithanshme për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes së kufirit, si dhe për t`i dhënë goditje shkatërruese çdo plani të trupave ushtarake greke ndaj Shqipërisë. Në Urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të datës 5 gusht 1949 “Mbi moslejimin e kalimit të forcave monarko-fashiste greke në tokën shqiptare” , drejtuar Divizioneve të Ushtrisë Popullore të dislokuar në Jug të Shqipërisë dhe divizionit të Mbrojtjes së Popullit (DMP), pëcaktoheshin masa konkrete për forcimin e mbrojtjes së kufirit të cilat synonin: në forcimin e vrojtimit e të zbulimit mbi forcat monarko-fashiste greke që mund të tentonin të kalonin kufirin shqiptar; në përcaktimin konkret të drejtimeve dhe rajoneve të mundshme të depërtimit të trupave ushtarake greke në territorin shqiptar nëpërmjet kufirit shtetëror; në përqëndrimin e forcave të kufirit shqiptar në rajonet e mbrojtjes së togave e kompanive të DMP, duke u mbështetur në zjarrin e baterive të artilerisë të Divizioneve; në vendosjen në gadishmëri të rezervave në sektorë të ndryshëm të kufirit shtetëror etj.
Në këtë urdhër përcaktohej gjithashtu, që repartet ushtarake në vartësi të divizioneve të Jugut do të qëndronin në gatishmëri për marrjen e detyrave të reja në përshtatje me situatat e pritshme, ndërsa ato të dislokuara në rajonin e Leskovikut, Ersekës, Bozhigradit, Hoçishtit dhe Bilishtit do të vareshin prej komandave të divizioneve, respektivisht sipas brezit të tyre të mbrojtjes.
Duke u udhëhequr si gjithnjë nga politika paqësore me vendet fqinje, në urdhrin e mësipërm jepeshin edhe këto porosi kategorike: gjatë veprimeve luftarake, predhat e armëve të mos binin në territorin grek; repartet e nënrepartet kufitare shqiptare në asnjë mënyrë nuk duhet të kalonin në territorin grek; në rast se partizanët grekë kalonin në territorin shqiptar vetëm të çarmatoseshin.
Dhe në fakt duke marrë në kohë të gjitha masat e duhura e duke qenë gjithnjë në gatishmëri FA shqiptare i përballuan me sukses edhe provokacionet agresive greke të mëpastajme. “Vet Forcat e Kufirit të varura nga Ministria e Punëve të Brendshme si pjesë e pandarë e FA të vendit, vepruan në bashkëveprim të ngushtë me repartet e ushtrisë dhe me organet e tjera të DMP në mbrojtjen e kufirit shtetëror”.
Faktikisht këtë bashkëveprim e shohim të konkretizuar në veprimet e përbashkëta të rojeve kufitare me forcat e DMP dhe atyre të Ushtrisë, për zmbrapsjen e provokacioneve të trupave ushtarake greke në sektorë të ndryshëm të kufirit shtetëror me Greqinë.
Konkretisht në zonën e Bilishtit, forcat kufitare shqiptare së bashku me ato të batalionit të 1-rë, të Regjimentit të 8-të, të DMP, u organizuan në tri zona ose garnizone siç u quajtën për të siguruar mbrojtjen e kufirit në këtë sektor. Sipas Urdhrit luftarak të repartit të mbrojtjes së popullit, parashikohej që kompania e parë e bmp (batalionit të mbrojtjes së popullit), me kufitarët e sektorit përkatës të mbronte kufirin në sektorin (rajonin) ndërmjet piramidave kufitare I-32 dhe I-33, përfshi kodrat e postës kufitare të Gurit-Devoll; kompania e tretë e bmp, me kufitarët e sektorit përkatës të mbronte brigjet e lumit Llabanisht, përfshi kodrat e Trestenikut-Devoll; ndërsa kompania e dytë e bmp, e ndarë në dy pjesë u përqëndrua në thellësi në vijën e dytë të mbrojtjes në Malin e Palikut dhe në Kodrat e Kapshticës për të siguruar të dy krahët e rrugës automobilistike që lidhin Shqipërinë me Greqinë. Të gjitha këto përbënin forcat e sigurimit luftarak për sektorin e Bilishtit dhe kishin për detyrë të asgjësonin forcat armike që do të guxonin të mësynin në këtë rajon, duke mos lejuar futjen e tyre në territorin shqiptar.
Më 7 gusht 1949 në rajonin e piramidës kufitare I-55 në kuotën 1425, ku trupat ushtarake greke kishin mundur të përqëndroheshin në territorin shqiptar u bë një dyluftim i ashpër midis tyre dhe forcave shqiptare të përbëra nga një togë kufitare (efektivi i postës së Vidohovës) dhe një nënrepart i ushtrisë popullore. Forcat shqiptare u organizuan dhe vepruan të ndara në dy grupe: njeri në krahun e djathtë të lartësisë 1425 m nga ana e fshatit Qytezë-Devoll dhe tjetri drejtpërdrejt saj. Gjatë veprimeve luftarake u zbatua varianti i sulmit ballas dhe me krahëmarrje duke neutralizuar armët e kundërshtarit me anën e zjarrit të artilerisë. Armiku mbrohej në pozicione të parapërgatitura. Ndër to një mitraloz i vendosur në kodër në një bunker rrezikonte tepër forcat shqiptare që sulmonin drejt atij vendi pothuaj krejt të zhveshur. Megjithatë, forcat shqiptare nisën dhe vazhduan mësymjen pa u ndalur deri në zbatimin e detyrës. Me gjithë rezistencën e dëshpëruar të trupave ushtarake greke, kjo lartësi u mor nga forcat shqiptare, por nuk u mbajt dot atë ditë, pasi kundërshtari angazhoi në luftim forca të tjera shtesë dhe mundi që ta rimarrë përsëri, përkohësisht, kuotën 1425. Vetëm të nesërmen, nëpërmjet kundërsulmit të forcave shqiptare, lartësia 1425 u mor përfundimisht dhe armiku u tërhoq në territorin e vet.
Forcat ushtarake greke përpiqeshin në këtë kohë të shfrytëzonin edhe hapësirën ajrore shqiptare për qëllimet e tyre të luftës. Disa ditë radhasi një aeroplan grek ngrihej nga Korfuzi, kalonte brenda hapësirës ajrore shqiptare në jug të Shqipërisë dhe bënte zbulim deri në sektorin e Malit të Gramozit-Ersekë. Ky aeroplan i kryente këto fluturime mbi territorin shqiptar, duke përfituar edhe nga mungesa e armëve mbrojtëse kundërajrore nga ana e forcave të kufirit shqiptar. “Megjithatë, kufitarët vendosën një ditë që ta ndëshkonin këtë pirat të ajrit, sipas mundësive, që kishin. Për këtë qëllim ata përshtatën për këtë lloj luftimi armët kundërtanke 12 m/m që dispononin. I vendosën ato në disa boshte të përgatitura që në fund kishin formën e trekëndëshit dhe i bënë të përshtatshme për qitje kundërajrore. Armë të tilla “kundërajrore” u vendosën në rajonet Çukë, Manastir, Ksamil, kodrat mbi Vivar, Stillo dhe tek gryka e Bugazit-Sarandë; pika të cilat mbronin korridorin që përshkonte aeroplani grek. Dhe kur më datën 4 gusht 1949, ky aeroplan hyri në hapësirën ajrore shqiptare në këtë rajon, zjarri i tyre e detyroi atë, pas përpjekjeve të dështuara në kthim të merrte kursin e uljes në drejtim të Vurgut-Sarandë. Nëpërmjet komunikatës operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore të atyre ditëve njftohej midis të tjerash se: “… në orën 07.55 të datës 04.08.1949 një aeroplan fluturoi në tokën shqiptare, në katundin Hoxhë e Markat të rrethit Sarandë. Ai u qëllua nga forcat e ushtrisë shqiptare dhe u rrëzua në fushën e Finiqit, afër Sarandës. Piloti u kap i gjallë”.
Në ditët e mëvonshme të gushtit 1949, provokacionet greke u shkallëzuan më tej dhe u bënë më të rrezikshme. Komunikatat operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore njoftonin sërish për sulme të reja dhe goditje artilerie të trupave ushtarake greke në territorin shqiptar. “Në orën 03.30 të mëngjezit të datës 12 gusht 1949, forcat monarko-fashiste, deri në një brigadë të mbështetura nga artileria dhe katër aeroplanë të tipit “Spitfire” sulmojnë tradhëtisht tokën shqiptare në drejtim të piramidës I-35 në sektorin e Bilishtit, ku pas luftimesh të ashpra me rojet e kufirit, armiku u fut në tokën shqiptare deri në kuotën 932. Forcat Kufitare Shqiptare kundërsulmuan monarko-fashistët greke, i thyen ata në mënyrë të turpshme dhe i detyruan të tërhiqen në panik në drejtim të kuotës 966 në thellësi të tokës së tyre”. Që në sulmin e parë forcat kufitare shqiptare u bënë agresorëve rezistencë të ashpër. Megjithatë, duke qenë superiore në njerëz dhe teknikë, pavarësisht nga humbjet që patën, ata mundën të depërtonin deri në pozicionet e postës kufitare të Gurit dhe rajonin në krahun e majtë të fshatit Trestenik-Devoll. Luftime të ashpra u zhvilluan sidomos në afërsi të postës kufitare të Gurit-Bilisht, ku kufitarët, në bashkëveprim me repartet e ushtrisë, i kthyen pozicionet në fortifikatë të pakalueshme. Ata nuk lëvizën nga vija mbrojtëse e nuk donin t’ja dinin fare nga predhat e fuqishme të artilerisë greke që binin papushim mbi pozicionet e tyre. Duke mos u pajtuar me këtë disfatë, armiku përsëriti sulmin e tij në këtë sektor, por kësaj radhe me forca dhe mjete luftarake më të mëdha. Rreth 36 gryka zjarri të artilerisë së tij, bënin qitje mbi tokën shqiptare; bombardime e mitralime bëheshin edhe nga avionët e tipit gjuajtës-bombardues të cilët fluturonin gjer në afërsi të Bilishtit dhe qëllonin papushim mbi forcat e popullsinë kufitare. Disa prej këtyre predhave ishin djegëse (me napalm) dhe shkaktonin zjarre në të mbjellat dhe banesat. Duke shfrytëzuar zjarrin e fuqishëm të artilerisë e aviacionit, po në këtë datë, në orën 13.10, monarko-fashistët grekë, me një brigadë, të mbështetur me artileri dhe 6 aeroplane, sulmuan përsëri tokën shqiptare në drejtim të piramidave I-32 dhe I-34, sektori i Bilishtit, ku depërtuan në territorin shqiptar deri në kuotat 1120 dhe 1170. Megjithë rezistencën shumë të ashpër të forcave shqiptare, ata mundën të pykëzoheshin në drejtim të luginës së postës kufitare të Trestenikut-Bilisht, si dhe në rajonin e piramidës kufitare I-33. Luftimet, që vazhduan këtu për 6 orë rresht, ishin shumë të ashpra. Forcat kufitare shqiptare të përforcuara edhe me 3 toga të tjera të DMP, si dhe të mbështetura nga artileria, kundërgoditën dhe e detyruan armikun të kthehej në pozitat e tij, duke i shkaktuar shumë të vrarë dhe mjaft të plagosur. Fusha e Llabanicës (Trestenik-Devoll), ku u thyen radhazi dy sulme të monarko-fashistëve grekë dhe sidomos gryka, që të çon në piramidën kufitare I-33, u bënë tmerr për ata, që guxuan të shkelnin kufirin dhe të provokonin forcat kufitare shqiptare.
Duke u gdhirë data 13 gusht 1949, trupat ushtarake greke provokuan përsëri rojet kufitare shqiptare. “Sot, më 13 gusht, në orën 03.00 të mëngjezit, monarko-fashistët, me forca deri në dy brigada, të mbështetura nga artileria, kaluan kufirin shqiptar në piramidën I-33, sektori i Bilishtit” thuhej në komunikatën operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore të datës 13 gusht 1949. Qëllimi i tyre ishte që pasi të përqëndroheshin e të organizoheshin në lartësinë e Malit të Palikut, të ndërmerrnin sulmin frontal në drejtim të Bilishtit. Forcat shqiptare të përbëra nga një kompani kufitare dhe një kompani e rezervës së forcave të DMP, si dhe të mbështetura nga një batalion këmbësorie i ushtrisë, kundërsulmuan dhe i thyen monarko-fashistët, duke i detyruar të lënë lartësinë e kapur në rajonin e piramidës I-33 dhe të tërhiqen të mundur, në territorin e tyre. Në ballë të forcave kufitare shqiptare printe komisari i batalionit të kufirit Bilisht Nasi Remaçka, i cili u vra duke luftuar së bashku me korrierin e tij Dane Zeneli, aty në vijën e kufirit.
Gjatë këtij luftimi armiku pati humbje të mëdha. “Njeri prej ushtarëve grek i zënë rob, Peritiros Qirjako, efektiv i Brigadës së 41 të ushtrisë monarko-fashiste, deklaroi se vetëm gjatë luftimit në rajonin e piramidës I-33, kishte tërhequr mbi 50 ushtarë grekë të vrarë e të plagosur, se morali i tyre atë ditë ishte ulur tepër dhe se vazhdimisht ishin nën kërcënimin e eprorëve”. Nga armiqtë e vrarë 26 prej tyre mbetën në tokën shqiptare. Të nesërmen, “më 14 gusht 1949, në orën 07.30, monarko-fashistët grekë, me Brigadën e 41, të Divizionit të 9-të, e mbështetur me një regjiment artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh “Spitfirë”, vazhduan sulmet e tyre kundër Shqipërisë në drejtim të piramidave I-30 dhe I-31, sektori i Bilishtit. Gjatë kësaj dite armiku ka hedhur më shumë se 2.000 predha artilerie në tokën shqiptare në katundet Trestenik, Kapshticë e Cangonj-Devoll si dhe në qytetin e Bilishtit. Nga goditjet e artilerisë mbetën 5 civilë të vrarë dhe u shkaktuan dëme materiale në disa shtëpi të katundeve të mësipërme”. Trupat ushtarake greke tentuan përsëri për të rimarrë lartësinë e Malit Palik. Por, forcat shqiptare i kundërgoditën dhe i detyruan të kthehen në pozitat e tyre të mëparshme, (d.m.th. në territorin e tyre) dhe të rivendosin situatën normale në vijën e kufirit.
“Gjatë luftimevë të 13 dhe 14 gushtit 1949, humbjet e forcave ushtarake greke arritën në 200 të vrarë dhe 250 të plagosur. Vetëm më 14 gusht, gjatë tërheqjes, trupat ushtarake greke lanë në tokën shqiptare 60 të vrarë. Ndërsa nga ana e forcave shqiptare gjatë datave 12, 13 dhe 14 të këtij muaji, ranë duke luftuar për mbrojtjen e kufijve 29 vetë dhe u plagosën 127 të tjerë”.
Qysh prej datës 2 gusht, deri në orën 12.00 të datës 15 gusht 1949, Forcat e Kufirit Shqiptar gjatë luftimeve kundër monarko-fashistëve grekë, i kanë shkaktuar armikut mbi 300 të vrarë dhe 500 të plagosur, ndërsa 270 të tjerë u kapën rob, theksohet në komunikatën operatve të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore të datës 15 gusht 1949. Me tej, në të theksohet se “më 25 gusht ata (d.m.th. grekët) sulmuan edhe një herë në sektorin e Vidohovës, duke u mbështetur nga 3 tanke, si dhe një herë tjetër më 29 gusht. Por, më në fund, monarko-fashistët u detyruan të heqin dorë nga kjo aventurë që ju kushtoi shumë shtrenjtë”.
Ndërkohë që monarko-fashistët grekë vazhdonin provokacionet e tyre në kufirin e Jugut edhe në sektorët e kufirit të Shqipërisë me Jugosllavinë u kryen 10 provokacione të llojeve të ndryshme, si në Peshkopi, Tropojë e Shkodër. Këto provokacione kishin të bënin kryesisht si edhe më parë me: kalime ilegale të kufirit nga ushtarakët jugosllave dhe futje të tyre në thellësi të territorit shqiptar me hapje zjarri (duke bërë qitje) me armë të ndryshme nga territori jugosllav mbi banorët dhe patrullat kufitare shqiptare; hedhje brenda territorit shqiptar të materialeve propogandistike subversive; kryerje sulmesh të armatosura kundër ushtarakëve shqiptarë etj. Në të gjitha këto raste qëndrimi i vendosur dhe korrekt i forcave kufitare shqiptare i detyroi ushtarakët jugosllavë të tërhiqeshin pa pretendime në territorin e tyre.
Disa përfundime për ngjarjet e gushtit të vitit 1949 në kufirin Jugor të Shqipërisë. Duke analizuar ngjarjet e ndodhura gjatë muajit gusht 1949 në kufirin Jugor të Shqipërisë arrijmë në përfundimin se çdo gjë fliste qartë që kësaj here nuk ishte fjala për provokacione të thjeshta si ato të 5 viteve më parë. Këtë herë mendohej për diçka më serioze. Duke e nisur punën se gjoja kërkohej vetëm që përmes tokës shqiptare, t`u merreshin krahët forcave partizane greke që ishin në Gramoz e Vici. Ata mendonin të fillonin një agresion të hapur për të realizuar me anë të armëve ëndrrën e vjetër greke marrjen e “Epirit të Veriut”. Forcat e Kufirit Shqiptar në bashkëveprim me FA, si dhe të mbështetura nga banorët e zonës kufitare dhe gjithë populli shqiptar, luftuan vendosmërisht kundër monarko-fashistëve grekë dhe mbrojtën me heroizëm kufirin shtetëror të RPSH. “… kur efektivi i postës kufitare të Vidohovës-Devoll u përlesh me monarko-fashistët grek populli i zonës shfaqi dëshirën të shkonte të luftonte me armë në dorë së bashku me të. Fshatarët, aty, qenë të parët që ju çuan kufitarëve ujë e bukë në pozicione … Kur kufitarët e Ponçares-Devoll ishin në gatishmëri në pritje te provokacioneve greke dhe bënin punime xheniere, 40 burra të armatosur nga fshati Menkulas-Devoll, u gjendën në vijën e kufirit përkrah tyre … Të rinjtë e të rejat e fshatit Kapshticë-Devoll me kafshët e tyre siguruan transportin e materialeve luftarake dhe ushqimeve për në llogore si dhe ndihmuan me vegla pune e pajisje të tjera për ndërtimin e pozicioneve …Kur fshatrave të Bozhigradit e Trestenikut-Devoll ju kërkua që për rrethanat e luftës të largoheshin përkohësisht në thellësi, ata kërkuan që të tërhiqen vetëm gratë e fëmijët, ndërsa të tjerët këmbëngulnin për t`u bashkuar në front me kufitarët”.
Nga ana tjetër i gjithë populli shqiptar qëndronte i fortë, i patrembur dhe gati për të marrë armët në dorë, për të mbrojtur vendin. Partizanë të vjetër, patriotë, punëtorë, fshatarë, të rinj e gra i dërguan letra Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe Qeverisë që të lejoheshin të shkonin në kufi për të mbrojtur atdheun.
Përballimi me sukses i këtyre provokacioneve ishte një përvojë e re për Forcat e Kufirit Shqiptar të cilat ditën të kalojnë më së miri nga sistemi i ruajtjes në atë të mbrojtjes së kufirit shtetëror dhe të fitojnë ndaj një kundërshtari superior në forca e në teknikë luftarake. Organizimi dhe kryerja e veprimeve luftarake të suksesshme, nxori në pah jo vetëm heroizmin e ushtarëve, nënoficerëve e oficerëve, por edhe aftësitë drejtuese e komanduese të kuadrove të cilët ditën të analizojnë e vlerësojnë me sukses çdo situatë luftarake, të krijuar gjatë provokacioneve dhe të marrin e zbatojnë vendime të drejta për arritjen e sukseseve në çdo kundërsulm ndaj monarko-fashistëve greke.
Bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve me repartet e njësitë e Ushtrisë Shqiptare si dhe me strukturat e tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme në të gjitha situatat luftarake për mbrojtjen e kufirit shtetëror, ishte tepër i domosdoshëm dhe një nga faktorët vendimtare për arritjen e suksesit.
Provokacionet e fqinjëve në kufirin me Shqipërinë vazhduan edhe gjatë vitit 1950.
Nënkol. Jorgo Qirici
Revista Ushtarake