Ende nuk e kuptojnë! Njoftohet se Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Izrael ditët e fundit, vizitoi edhe Muzeun e Holokaustit. Duket se Kryeministri shqiptar kishte mbetur i emocionuar nga ato që kishte parë në atë muze. Po kush nuk do të mbetej i emocionuar nga ekspozita e krimeve të tilla kundër njerëzimit dhe e gjenocidit që Hitleri dhe regjimi i tij kanë bërë kundër hebrenjve në Gjermani dhe anë e mbanë Europës, gjatë Luftës së Dytë Botërore? Z. Rama, ashtu i emociounar çoi mendjen tek Tirana– duke bërë krahasim të muzeut izraelit me ndërtimin e bunkerit pranë Ministrisë së Mbrendshme — citohet të jetë shprehur, se “Çfarë mësimi i paçmuar për çdo indidvid dhe popull”, ishte vizita për të në Muzeun e Holokaustit në Izarel. “Për mënyrën se si duhet mbajtë gjallë kujtesën e vuajtjeve që nuk duhen përsëritur kurrë.” Me këtë rast ai kritikoi ashpër ata që kundërshtuan ndërtimin e bunkerit në Tiranë, të cilin sidomos shtresa e të përndjekurve e konsideroi si një simbol i regjimit komunist. “Është për të venë duartë në kokë nga trishtimi e zemërimi bashkë”, se si mund të kundërshtohet një simbol i tillë i komunizmit, qëllimi i të cilit është “për të kuptuar më mirë të shkuarën e vendit tonë”, është shprehur udhëheqsi shqiptar gjatë vizitës në Izrael.
25 vitet e fundit të tranzicionit shqiptar, — se deri kur do quhet tranzicion veç një Zot e di — Izraelin e kanë vizituar edhe të tjerë zyrtarë të lartë shqiptarë, por siç duket asnjë prej tyre nuk ka nxjerrur ndonjë mësim për nga mënyra se si populli izraelit kujton gjenocidin dhe krimet kundër tij dhe as se si kjo mënyrë mund të përdorej edhe në Shqipëri për të kujtuar vrasjet, persekutimet, burgosjet dhe internimet në masë të kundërshtarve të regjimit enverist. Zyrtarë të ndryshëm shqiptarë gjatë viteve kanë vizituar edhe Muzeun e Holokaustit në Washington dhe kanë bërë deklarata të tilla emocionuese. Çdo shtet ish-komunist, në një mënyrë ose në një tjetër, është përballur me të kaluarën e tij komuniste, duke i kujtuar viktimat e atij regjimi. Shqipëria është vendi që ka bërë më pak, ose aspak në këtë drejtim — lere më në krahasim me Izrelin pasi ky është një rast i veçant – por edhe në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Europës, Tirana zyrtare tash 25 vjetë — me përjashtim të ndonjë keste dëmshpërblimi që u është dhënë ish-të dënuarve nga komunizmi — ka berë pak ose aspak për t’u përballur me të kaluarën komuniste, as në mëyrë konkrete dhe as nga pikëpamja historike.
Të nderuar udhëheqës të Shqipërisë — të tanishëm dhe të këtyre 25 viteve të fundit –nëqoftse jeni serioz për përballimin me atë histori dhe nëse jeni të sinqertë për të kujtuar viktimat e komunizmit me qëllim që ajo histori të mos përsëritet më, duhet të bëni diçka më shumë se ç’është bërë deri tani, dhe jo vetëm me fjalë dhe jo vetëm duke vizituar muzetë e të tjerëve, përfshirë edhe atë të Holokaustit, qoftë në Izrael apo Washington.
Ja gjëndemi para festave të fund vitit dhe një viti të ri, Vitit 20016. Pse të mos jetë ky viti i një reflektimi në nivel kombëtar në lidhje me këtë çështje. Më në fund kjo është një stinë reflektimi se si mund të bëhen gjërat më mirë. Janë disa gjëra që mund të bëhen më mirë dhe mund të ishin bërë në të kaluarën pa asnjë shpenzim të madh, por që nevojitin kurajo morale dhe vendosmëri njerëzore, por edhe ndjenja patriotike.
Cili udhëheqës shqiptar deri më sot ka vizituar ndonjë prej qëndrave të përsekutimit dhe të internimit të mijëra shqiptarve nga regjimi enverist. A nevojitet vizita e Ambasadorit amerikan në Spaç për t’i bindur zyrtarët shqiptarë se një gjë e tillë është detyrim njerëzor, moral dhe patriotik karshi bashkatdhetarve të tyre të pafajshëm të cilët e kanë pësuar shumë keq për pothuaj 50-vjetë — atyre që u ekzekutuan dhe atyre të cilët u persekutuan dhe vdiqën në duartë e xhelatëve anë e mbanë kampeve te regjimit komunist, në të gjitha anët e Shqipërisë? Për më tepër, çfarë mesazhi u jep shqiptarëve dhe botës një qeveri që dekoron pikërisht dhunuesit e këtyre viktimave, të gjallë e të vdekur? Kush kujtohet me këtë rast, xhelati si përfaqsues i asaj të kaluare të tmershme, apo viktima e atij sistemi?
I kushton gjë Kuvendit të Shqipërisë të caktojë një ditë në vit dedikuar kujtimit të viktimave të komunizmit, ashtu siç kanë bërë shumë vende të tjera ish-komuniste, por edhe Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, me rezoluta të ndryshme gjatë viteve? Ku qëndron puna e komisioneve të ndryshme të Kuvendit të Shqipërisë që gjoja u formuan për të bërë hetime mbi krimet e komunizmit?
Shqipëria ka nevojë të kujtojë viktimat e komunizmit në mënyrën e vet, por ka nevojë gjithashtu edhe për një muze të madh të krimeve të komunizmit, prap ashtu siç kanë vepruar shumë vende të tjera. Një muze, ashtu si ai në Izrael, nga i cili me të drejtë është impresionuar Kryeministri shqiptar, me fjalimet dhe të gjitha krimet e Hitlerit, të bërat dhe të pa bërat, ashtu që asgjë të mos i iki historisë. Edhe Shqipëria duhet të ndërtojë një muze të tillë, me të gjitha fjalimet edhe krimet e Enver Hoxhës dhe bashkpuntorëve të tij ndaj kundërshtarve dhe viktimave të atij regjimi. Duhet të dokumentohet çdo minutë e jetës së atij regjimi në një muze të tillë, por jo të vendoset publikisht në shënjë nderimi portreti i Enver Hoxhës në raste përkujtimesh kombëtare, ku janë të pranishëm udhëheqsit më të lartë të qeverisë dhe të shtetit e të cilit janë venë re duke u përkulur para tij.
Kryeministri Rama shpreh habinë se pse kundërshtohet ndërtimi i një bunkeri në Tiranë duke u shprehur se e ndjenë vetën të trishtuar dhe të zemëruar nga kundërshtimi i tyre ndaj atij monumenti. A e pyesin vetën udhëheqsit shqiptarë se si e ndjejnë veten viktimat e gjalla të regjimit komunist, kur shohin portretet e diktatorit Enver Hoxha — jo në në muze – por një paradë zyrtare me rastin e festave kombëtare. Duke marrë parasyshë vuajtjet e tyre, është kjo shtresë e shoqërisë shqiptare sot, e cila me të drejtë dhe bazuar në eksperiencën e saj të vuajtjeve dhe të diskriminimeve, ajo që me të vërtetë e ndjenë veten, jo vetëm të trishtuar dhe të zemëruar, por edhe të frikësuar dhe gjithnjë të përjashtuar nga jeta dhe politika e vendit.
Duhet të kuptohet më në fund se përballimi i Tiranës zyrtare me të kaluarën komuniste është tepër i rëndësishëm dhe urgjent. Vazhdimi i politikës së këtyre 25 viteve të fundit në lidhje me krimet e regjimit komunist, vetëm tregon mungesën e moralit politik dhe shoqëror të klasës politike të çerek shekullit të kaluar, të një politike të dështuar për të tashmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar. Duke besuar për një trajtim më me dinjitet dhe më të denjë nga autoritetet shqiptare për këtë shtresë të përndjekurish që janë ende gjallë e të cilët kanë mbijetuar kampet komuniste, duhet shpresuar — ndoshta kundër shpresës — se së shpejti do të dokumentohet brutaliteti çnjerëzor i sistemit komunist në Shqipëri, ashtu siç ka dokumentuar Izraeli krimet e nazizmit në Muzeun e Holokaustit, të cilin posa e vizitoi Kryeministri shqiptar dhe siç kanë bërë shumë vende të tjera europiane. Me vullnet të përbashkët të të gjitha forcave politike mund të bëhet një gjë e tillë — për tu përballuar më në fund me atë të kaluar trishtuese dhe për të kujtuar pra viktimat e komunizmit, që po harrohen me qëllim, me kalimin e kohës. Kjo është shpresa dhe urimi për festat e fund vitit!
Por fatkeqsisht — nëqoftse historia është mësuesja — duke u bazuar në përvojën e këtyre 25 viteve të ashtuquajtur post-komunizëm në Shqipëri, shpresat janë të paka se një përballim i tillë zyrtar me të kaluarën komuniste, pothuaj gjysëm shekullore dhe me krimet e atij sistemi do të ndodhë shpejt. Është shumë vështirë të merret me mend se një gjë e tillë mund të realizohet nga ata që ndërtuan bunkerin, por as nga ata që i vunë zjarrin, pasi të dy palët kanë pasur kohë të mjaftueshme për tu përballur me të kaluarën komuniste, por gjithmonë e kanë lënë pas dore për mungesë vullneti të mirë por edhe për mungesë morale dhe mos vendosmërie politike, për tu përballuar me atë histori.