Arbanë Qeriqi: Intervistë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi

Në prag të Shpalljes së Pavarësisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish- zëdhënësi i UÇK-së z Jakup Krasniqi i ka dhënë një intervistë Radios-Kosova e lirë, me ç rast ka spikatur disa segmente të rrugës diplomatike deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës. 

Z. Krasniqi, tashmë dihet me siguri se Pavarësia e Kosovës do të shpallet sot. Çka do të deklaronit për dëgjuesve të Radios-Kosova e lirë, lidhur me këtë ngjarje historike?

J. Krasniqi: Në fakt në Kosovë po ndodh ajo që do të duhej të ndodhte më herët, por ishin koinukturat politike sidomos në disa vende të Evropës, që kanë penguar që kjo çështje të mbyllet më herët. 
Dihet që ishte një rrugë tjetër e gjatë për të ardhur deri te njohja ndërkombetare e pavarsisë. Ajo rrugë u provua përmes Këshillit të Sigurimit me ndryshimin e Rezolutës 1244, pa qenë nevoja që ky akt të ndodhte në Parlamentin e Kosovës, mirëpo “vetoja” ruse bëri që Pavarsia e Kosovës dhe njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës ta marrin një rrugë tjetër. Dhe kjo rrugë është shpallja zyrtare në Kuvendin e Kosovës nga përfaqsuesit legjitimë të saj, me ç’ rast do të kërkohet edhe njohja ndërkombëtare. Pastaj pavarësinë do ta njohin individualisht shtetet e Bashkimit Evropian por edhe vendet tjera anëtare të OKB-së. 
Mendoj se ka ardhur momenti kur kjo çështje nuk mund të shtyhet më dhe në fakt Palamenti i Kosovës do ta thotë fjalën e vet, më 17 shkur 2008, kur do ta shpall Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran dhe njëkohësisht do të kerkojë njohjen ndërkombëtare të saj. 
Sigurisht për shqipëtaret dhe qytetarët e Kosovës nuk do të ketë shumë ndryshime të përnjëhershme, sepse qe tetë vite Kosova e ka një lloj pavarsie me një administrim ndërkombetar, ndërsa edhe tani përseri do të jetë një mbikqyrje nga misioni i Bashkimi Evropian, por me kompetenca të shtuara për të gjitha institucionet e shtetit të pavarur dhe kjo është pavarsia në kuptimin, që Kosova të ketë të gjitha institucionet, të ketë pavarësi, të ketë qasje në institucione ndërkombëtare ndoshta fillimisht financiare dhe pastaj përseri do ta ndjek rrugën e njohjes së pavarsisë nga OKB-ja, pastaj ndoshta edhe nga vet Keshilli i Sigurimit. Kjo rrugë mund të të jetë një rrugë më e gjatë për shkak te vetos Ruse, por ndoshta me njohjen ndërkombëtare që do t‘ i bëhet Kosovës edhe Rusia do të hjek dorë nga vetoja dhe Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së. 
Kjo tregon qe në Kosovë për 9 vjet janë berë ndryshime të mëdha dhe këto ndryshime janë bërë dhe janë vërejtur edhe brendapërbrenda kombit. E kuptueshme dhe e qartë është se ky ndryshim i madh ka ndodhur me luftën tonë çlirimtare në qershorin e vitit 1999 dhe si rezultat i saj Kosova tani do të ketë mbështetjen dhe njohjen ndërkombetare. 

Z. Krasniqi, jeni në mesin e kreut që do ta shpallë pavarësinë, njëkohesisht ishit ju zëdhënësi i UÇK –së që shpaloset programin e saj qysh në qershor të vitit 1998. Do të na terhiqni një paralele mes këtyre dy zhvillimeve? 

Eshtë e vertetë, isha unë zëdhënësi i parë i UÇK –së dhe shpalosa programin politik të luftës dhe të gjithë politikës kombëtare të Kosovës. Tani mendoj që është një ndryshim në këtë segment, sepse unë tani do ta udheheqi seancen plenare të Kuvendit ku do të shpallet Pavaresia e Kosovës. Natyrisht që kjo seancë po behet me një marrëveshje në koordinim me faktorin nderkombetar. Kërkesën, që do të thotë mocionin, do ta bejë kryeministri, i cili me gjasë do ta lexojë edhe Deklaraten për Pavarsi dhe pastaj deputetët do tan nënshkruajnë Deklaratën e Pavarësisë dhe do ta miratojnë propozimin për flamurin dhe stemën e ardhshme të Kosovës së pavarur. 
Shpallja e Pavarësisë është një hap i madh që po ndodh në historinë më të re të kombit tonë, është një kthesë e madhe jo vetem për Kosovën por edhe jashtë saj, sepse më në fund po ndryshon jo vetëm harta e Kosovës, por po ndryshon edhe harta e gjithë Evropës, së cilës po shtohet nje shtet i ri. Këtë e tha, në një shkollë, para nxënësve edhe kryetari Francës, Nikola Sarkozi. 
Mendoj se kjo ishte mjaft domethënëse. Natyrisht po ndodh një kthesë e madhe e njohjes ndërkombëtare. Qytetarët tanë e dinë se për Kosovën do të këtë shumë ndryshime pozitive dhe shpresojmë që se shpejti populli i Kosoves do të ketë mundësi t’i përjetojë ato. Pavarësia e Kosovës krijon favore ekonomike edhe politike dhe kështu qytetarët e Kosovës sigurisht do të kenë një jetë kualitativisht më të mirë sesa që e kishin deri me tani. 

Në emër të stafit dhe të dëgjuesve të Radios-Kosova e lirë Ju falënderoj për kohën që na kushtuat!

Falemnderit edhe juve. Ju dëshiroj suksese. Sigurisht që me ndryshimin e statusit politik të Kosovës do të ndryshojë edhe statusi i Radios-Kosova e lirë, e cila në kohët më të vështira ishte zë i luftës për liri. Mendoj se ajo atë zë në shumë segmente e ka ruajtur. Të shpresojmë që këtë zë të lirisë të pavarsisë e të ruajtjes së identitetit kombëtar, Radio Kosova e Lirë do ta ruajë edhe në të ardhmen. Ju dëshiroj sukses dhe shumë fat!

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …