Arbanë Qeriqi: Intervistë me ministrin e Shërbimeve Publike, prof. dr. Arsim Bajramin

Z. ministër! Cilat janë angazhimet aktuale konkrete të ministrisë të cilën e drejtoni?

Angazhimet e MSHP së përputhen edhe me angazhimet e qeverisë. Siç e dini qeveria në fillimin e parë te muajit është marre kryesisht me procesin e shtet ndërtimit, me procesin e deklarimit dhe sigurimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe tanimë ky proces është përfunduar. Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e kornizës ligjore për shtetin e ri të Republikës së Kosovës. Këto dite po procedohen me shpejtësi ligjet shtetërore, gjithashtu është duke u finalizuar edhe teksti i kushtetutës me një fjalë ne jemi duke e krijuar tash bazën juridike dhe kushtetuese të funksionimit të republikës së Kosovës.
Sa i përket MSHP-së, ajo është një ndër ministrit më të rëndësishme dhe detyra jonë kryesore është që ta ngrisim performancën e Republikës së Kosovës, pra t’i krijojmë pamje shtetërore institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ato të funksionojnë me një dizajn të ri që tregojnë se Kosova tash është një shtet sovran dhe i pavarur. Ne gjithashtu jemi duke udhëhequr procesin e tranzicionit nga Unmik-u te institucionet e Kosovës në tri kuptime. Në kuptimin e godinave jemi duke negociuar me Unmik-un që godinat që ai i ka pasur ti a kaloj institucioneve të Republikës së Kosovës. Gjithashtu së shpejti do të fillon furnizimi i qytetareve të republikës së Kosovës me dokumentin e shtetësisë.
Do të jepet shtetësia e Republikës së Kosovës, pasaporta, letërnjoftimi dhe një varg dokumentesh të tjera, me të cilat krijohet identiteti i qytetarit të Republikës së Kosovës, dhe elementi i tretë me të cilin ne po punojmë në fakt të gjitha ministritë të kenë pamje të njëjtë sa i përket dizajnit.
Ju e dini vendimin e qeverisë që ministritë që janë në objekte private të kalojnë në objekte publike. Ne e kemi bërë një plan strategjik që do të diskutohet në qeveri dhe deri në fund të vitit kemi një plan ambicioz, që ta krijojmë infrastrukturën e nevojshme të objekteve për Republikën e Kosovës. Në mënyrë të veçantë MSHP-ja merret me reformën e administratës publike. Ne jemi duke punuar që administrata publike të jetë e paanshme, profesionale, efeciente e depolitizuar dhe në shërbim të qytetarëve, gjithashtu këto ditë jemi përfshirë edhe me projektin e qeverisjes elektronike bashkë me Slloveninë dhe Estoninë, që nënkupton që komplet administrata e nivelit republikan dhe nivelit lokal të jetë e digjitalizuar dhe qytetarët do të kenë qasje direkte në tere sistemin e të dhënave në Republikën e Kosovës.

RKL: Cilat janë planet afatmesme dhe afatgjata të Ministrisë së Shërbimeve Publike?

Në planet afatmesme apo planet brenda 100 ditësh-it fillimisht përfundon hartimi i kornizës ligjore për reformën e MSHP-së. Unë e kam dorëzuar një kërkesë zyrtare në qeveri që të ndërroj emrin e kësaj ministrie, ajo do të ndërrohet nga MSHP në Ministri të Administratës Publike, është modeli perëndimor i reformës. Pastaj brenda këtij njëqind ditshi ne do të fillojmë me projektin e qeverisjes. Do të dërgoj më 5 mars njëzet e pesë zyrtarë të lartë në trajnim në Slloveni, ku ata do te marrin njohuri fillestare për e qeverisjes. Pastaj do të kemi një trajnim të madh për protokollin e shtetit, dhe në fund trajnimin e tretë për çështjen e shërbimeve diplomatike dhe konsulore.
Në planin afatmesëm, mendojmë që kjo ministri plotësisht të reformohet, të transformohet në ministri klasike, ndërsa në pikëpamje afatgjate, ne mendojmë të marrim detyrën e ngritjes së performancës kryesisht të Republikës, të merret me çështjen e imazhit të institucioneve publike, të vendosjes së disiplinës, të menaxhimit të shërbimit civil. Ne menaxhojmë edhe në sistemin e pagave në tërë Republikës së Kosovës. Vendosjen e rregullave për stafin civil, duke kërkuar një disiplinë shtetërore që tani të kërkohet nga zyrtarët që krahas angazhimeve të rëndomta të kenë edhe angazhime shtesë në fazën e parë të shtetëzimit të Kosovës.

RKL: Aktualisht po vazhdon debati për projektkushtetutën e Kosovës. Si kuadër profesional në këtë drejtim çka do të veçonit për t’ iu thënë dëgjuesve të Radios-Kosova e lirë

Kjo kushtetute po diskutohet dhe po përgatitet për miratim në kushte specifike, në kushte të shtet krijimit dhe pritet ta pasojë Deklaratën e pavarësisë dhe ta materializojë atë. Teksti është shkruar me shumë kujdes nga juristë vendorë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe mund ta them në mënyrë te padiskutueshme se e përcakton Kosovën si shtet sovran të pavarur unik, demokratik e të pandashëm. Në pjesët e tjera, kushtetuta është tipike por ka edhe gjera atipike, ato lidhen kryesisht me pakon e Ahtisarit, e cila nuk mund të shmanget nga Kushtetuta. Sepse, mos ta harrojmë se pakoja e Ahtisarit, ka qenë një marrëveshje e institucioneve tona me BE-në për njohje të pavarësisë dhe ne nuk mund ta shmangim atë. Në kushtetutë i kemi vendosur vetëm ato nene që janë të lidhura drejtpërdrejt me kushtetutën, pjesa tjetër e pakos së Ahtisarit do të implementohet përmes ligjeve.
Në fakt kjo kushtetutë ka tre funksione kryesore.
Funksioni i parë është që të themelojë kushtetutën e Kosovës si shtet sovran e të pavarur, kjo është e lehtë sepse Republika e Kosovës është një gjendje faktike e krijuar dhe e njohur ndërkombëtarisht.
E dyta, ta mundësojë implementimin e pakos së Ahtisarit e cila përmban një sërë garancionesh për komunitetin pakicë.
E treta që të pranoj një frymë evropiane që Kosova ta përcjell ketë frymë pas pavarësisë. Thjesht kushtetuta parasheh formimin e një varg institucionesh që deri tani nuk i ka pasur. Do të kemi dy ministri të reja, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Mbrojtjes pastaj themelimin e disa institucioneve të sigurisë kombëtare, Forca e sigurisë së Kosovës, Shërbimi Inteligjent, themelimi i Gjykatës Kushtetuese, i Bankës Qendrore dhe një varg agjensionesh të pavarura që do ta krijojnë superstrukturën e një shteti normal, të një shteti demokratik.
Natyrisht debatet për kushtetutë të Kosovës janë mjaft emocionale, me të drejt njerëzit janë shumë të interesuar, ka edhe shume shqetësime serioze.
Shumë qytetarë shqetësohen se pse në Preambule nuk përmendet UÇK-ja, lufta çlirimtare. Ne i kuptojmë ato shqetësime, janë plotësisht të bazuara sepse njerëzit kanë investuar dhe kanë punuar shume për t’u çliruar Kosova dhe tani duan që ato merita t’i njeh kushtetuta. Mirëpo, ne kërkojmë nga qytetarët që ta kuptojnë procesin, sepse ajo se për çka është luftuar dhe është rezistuar me vite e dekada të tëra tani po realizohet, është realizuar Pavarësia e Kosovës.
Krijimi i shtetit sovran dhe të pavarur dhe mendoj se tani më tepër duhet të kemi vizion për të ardhmen duke mos e harruar kurrë të kaluarën. Mendoj se e kaluara jone është e lavdishme dhe mbi bazën e sakrificës dhe luftës ne sot po bëjmë përpjekje ta sjellim edhe kushtetutën e lirë, për herë të parë do të kemi një kushtetutë që i përgjigjet kërkesave të popullit të Kosovës.
Në këto debate ne po hasim nëpër mirëkuptime, por ka edhe raste kur njerëzit me të drejt shqetësohen pse nuk është edhe kjo. Por kushtetuta nuk është fundi i të gjitha dëshirave, dëshirat e qytetareve plotësohen edhe me ligje e akte të tjera, është ligji i veçantë për mbrojtjen e kategorive të luftës mandej kemi ligjin për mbrojtjen e kompleksit të familjes Jashari, është një ligj që tani është punuar dhe ju e dini qe po punohet edhe ne përgatitjen e Memorialit të kësaj familjeje legjendare. Duhen edhe një varg ligjesh të tjera që vërtet vlerat e UÇK-së të bëhen politika shtetërore.

RKL: A do të na tregoni cilat janë detyrat konkrete të Qeverisë së Kosovës në këtë periudhë të shpalljes së pavarësisë, si dhe procesit të njohjes së kësaj pavarësie nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet më të mëdha të Bashkimit Evropian?

Po mendoj pas njohjes së pavarësisë detyra kryesore e Republikës së Kosovës është zyrtarizimi në mekanizmin ndërkombëtar apo pranimi i Kosovës brenda OKB-së, në BE dhe në një varg institucionesh të tjera. Dhe kjo është një detyrë imediate që duhet sa më shpejtë ta përfundojmë, sepse dëshirojmë që të jemi një subjekt i plotë i së drejtës ndërkombëtare. Për të arritur deri te kjo, ne duhet menjëherë të fillojmë me ngritjen e strukturave të politikës së jashtme, ngritjen e strukturave diplomatike në Republikën e Kosovës. Në mënyrë të shpejtë vendi ynë duhet të vendos marrëdhënie diplomatike me shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe të fillojë të ushtrojë kapacitetet e veta.
Ne tani po presim ligjin për Ministrinë e Jashtme. Do të formohet kjo ministri dhe së shpejti do të plotësohet ky vakum, do të thotë krijimi i politikës së Jashtme.
Detyrë tjetër është zhvillimi ekonomik dhe ne jemi duke u përgatitur për Konferencën e Donatorëve, për muajin qershor. Në këtë Konferencë qeveria e Kosovës, pret një akordim të një grandi prej afro 2 miliardë eurove. Do të jetë ky një investim shumë i rëndësishëm për ta ringjallur ekonominë, për ta forcuar infrastrukturën e rrugëve, për të ringjallur kapacitetet ekonomike dhe për të përmirësuar standardin e jetës së qytetarëve.
Natyrisht, një nga detyrat e rëndësishme është edhe fillimi i transformimit të TMK-së në Forcë të re të Sigurisë dhe një varg aktivitetesh të tjera, që gjatë këtij viti duhet ta përmirësojnë kualitetin e jetës në Republikën e Kosovës. Unë mendoj se nuk ka vend për eufori, pas shpalljes së pavarësisë, sepse tani kemi të gjitha obligimet, që me një punë profesionale, të ndershme të vëmë bazat e shtetit, që vërtet ky shtet të jetë funksional në tërë territorin dhe me këtë ne do t’ i paralizojmë të gjitha strategjitë e Serbisë dhe të aleatëve të saj që të pengojmë pavarësinë e Kosovës.
Siç po shihni, veprimet që po merr këto ditë Qeveria e Serbisë në veri të Kosovës, në pikat kufitare, ku ajo po bën gjithçka për të inskenuar raste të dhunës, për të treguar se Republika e Kosovës, do të prodhojë konflikte. Ne duhet të kemi përgjigje në këto provokime dhe me gjakftohtësi, siç e kemi bërë edhe Deklaratën e Pavarësisë, të mos biem në gracka të tyre dhe në fakt të kërkojmë nga KFOR-i dhe NATO-ja ta ushtrojnë plotësisht pushtetin e tyre në tërë territorin e Kosovës dhe sa më shpejtë ta vendosin veprimin e ligjit të kushtetutës së Kosovës në tërë territorin.

RKL: Faleminderit për kohën

Faleminderit edhe juve. Respekt. Besoj se do të bashkëpunojmë. Përshëndes dëgjuesit e Radios-Kosova e lirë, një radio që ka luajtur një rol historik në Kosovë, ka luajtur një rol të veçantë në çlirimin e Kosovës. Tash mendoj se do ta ketë një rol shumë të rëndësishëm në rriten e Kosovës së pavarur. Më lejoni që juve të iu uroj pavarësinë e Kosovës, sepse Ju keni qenë lajmëtarë të pavarësisë në kohët më të vështira, në kohën e luftës çlirimtare dhe mendoj se duhet të jeni krenarë për atë çfarë keni bërë për Kosovën në informimin e qytetarëve. Duhet të jeni krenarë, për misionin e ri që po merrni. Tani ju duhet të raportoni për sukseset e Republikës së Kosovës, për dështimet eventuale në qeverisje, dhe kjo do të na ndihmojë ne përfaqësuesve të institucioneve, që vërtet të jemi të përgjegjshëm ndaj qytetarëve të vendit tonë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …