Arbanë Qeriqi: Z. Buja keni qenë komandant i Zonës Operative të Neredimes gjatë luftës ndërkohë që pas luftës keni kaluar nëpër peripeci të shumta, por shpallja e pavarësisë së Kosovës u gjeti në postin e kryetarit të komunës së Lypjanit, si ndiheni tani?
Shukri Buja: Ndihem se kam përgjegjësi bukur të mëdha sepse shteti i ri i Kosovës kërkon angazhim për ndërtimin e shtetit dhe komunës së Lipjanit, e cila ka shumë probleme diku-diku edhe varfëri të skajshme, papunësi të madhe, zhvillim ekonomik në nivel të ulët, ka shumë për tu punuar ne komunën e Lypjanit prandaj edhe kam pranuar detyrën e kryetarit të komunës me qëllim që realisht ta zhvillojmë Lypjanin aq sa mundemi për dy vite.
A. Qeriqi: Në postin e kryetarit të komunës ju keni arritur rezultate konkrete në kompletimin e stafit, gjithashtu keni kryer me sukses fazën e parë të konsolidimit, si u arrit kjo?
Realisht para se të kandidohesha për kryetar komune unë kam filluar të bëj analiza se si mund të arrihet kjo që në fazën e parë të arrijmë rezultatet, e para duke menduar që në fazën e pare t’i respektojmë rregulloret që janë në fuqi të sistemohet dhe disiplinohet stafi të ketë një kulturë pune. Realisht tani kemi zbritur pritjen e qytetarëve në gjashtë minuta.Qytetarët nuk presin para zyrave, sepse punëtorët punojnë. Po ashtu kemi arritur ta kompletojmë një staf profesional, realisht ky staf po punon mjaftë mirë sepse kemi takimin e mëngjesit, dy minuta parashihen për raportim për ditën e kaluar se si është punuar dhe pastaj i marrin detyrat se çka duhet punuar gjatë ditës . Ne kemi takime të rregullta çdo të hënë, pastaj takime te rregullta me bordin e drejtorëve dhe kjo funksionon mirë me ç’ rast unë njoftohem me punën e secilës drejtori veç e veç dhe unë jam I njoftuar për punët dhe angazhimet e tyre. Kjo ka treguar sukses. Po ashtu dalim shumë në terren për të parë punët si po shkojnë për tu njohur me hallet e qytetarëve dhe kjo na ndihmon të bëjmë punë të rregullt.
A. Qeriqi: Qytetarët e komunës së Lypjanit ashtu si edhe të mbarë vendit po ballafaqohen me probleme të shumta. Cilat janë angazhimet tuaja në këtë drejtim?
Shukri Buja: Realisht ka shumë probleme. Problemi kryesor është strehimi i familjeve që janë në gjendje te rendë, të cilat nuk kanë shtëpi nuk kanë kushte për jetesë, nuk kanë kulm mbi kokë, ky është problemi më i madh realisht kjo është brenga më e madhe, pastaj kemi problemin e varfërisë së skajshme pastaj infrastruktura e shkollave është në nivel shumë të ulët. Ne kemi marrë hapat e parë për infrastrukturën shkollore që të sanojmë gjendjen që është me intervenime emergjente duke intervenuar në shkollën profesionale “Adem Gllavica”, pastaj renovimin e shkollës fillore në Rufc dhe realisht jemi duke u përpjekur që në çdo shkollë të investohet nga pak që të kthehet gjendja e normalitetit të shkollimit të nxënësit normaliteti po them edhe pse “normaliteti” nënkupton diçka tjetër por së paku nxënësit dhe arsimtarët t’ i kenë parakushtet për punë dhe shkollim normal. Kemi ndarë një fond prej 10. 000 euro për luftimin e varfërisë së skajshme edhe pse kjo shumë është simbolike, sepse ka shumë familje te cilat nuk i disponojnë gjërat elementare duke filluar nga mielli, vaji etj. Shumë qytetarë më vijnë në zyre.
Sa i përket problemit të strehimit jam duke planifikuar një investim të veçantë nga të hyrat vetanake që i kemi identifikuar burimet, por unë nuk do t’i potencoj me këtë rast sepse kam për ta bërë një befasi të këndshme, por kuptohet se do të zgjidhen pjesërisht kushtet e banimit për ata që nuk kanë strehim.
A. Qeriqi: Para disa kohe keni mbajtur një takim me biznesmenët e komunës dhe keni kërkuar nga ata të paraqesin projekte zhvillimore me qëllim për të marrë donacione nga ndërkombëtarët , a keni arritur ndonjë rezultat konkret sa për fillim?
Shukri Buja: Qëllimi i takimit me biznesmenë ka qenë i disa natyrave. Projektet për konferencën e donatorëve ka qenë që në bashkëpunim me ta të rishqyrtojmë rregulloret mund t’i ngarkojnë apo t’i shkarkojnë bizneset, çështja e rregullimit të orareve të punës, disa rregulloreve. Kemi pasur rezultate mjaftë të mira disa na kanë dhënë oraret e punës si t’i ndryshojmë për cilat veprimtari ti ndryshojmë, si të veprojmë për biznesin për lejet e punës për lejet e taksive të transportit etj. Por me bizneset kemi edhe takime tjera të veçanta siç është takimi me transportuesit publikë që ka mjaft probleme. Mbajmë takime të veçanta me fermerë me hotelerinë dhe realisht nga këto po dalin rezultate përveç rregulloreve shqyrtime e propozime që na japin po dalin projekte të veçanta edhe për konferencën e donatorëve , sepse te biznesi ka shumë projekte të pa realizuara për shkak të kushteve kreditore të bankave që janë tepër të vështira. Shpresojmë se do të realizojmë shumë projekte. Projekti më kapital është përpunimi i ujërave të zeza, po ashtu i mbeturinave si dhe krijimi i energjisë elektrike, që është nevojë e domosdoshme në Kosovë. Po ashtu hpresojmë qe në konferencën e donatorëve do t ia arrijmë që këto projekte t’i implementojmë.
A. Qeriqi: Në komunën e Lypjanit jetojnë pjesëtarë të pakicës serbe dhe pakicave të tjera. Për dallim nga disa komuna të veriut, ku serbët po kundërshtojnë dhe kanë protestuar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, serbët në komunën tuaj janë të qetë, si e shpjegoni këtë gjendje?
Po, realisht me ardhjen time në krye të komunës unë i kam qartësuar komunitetit serb se unë jam kryetar i komunës që do të kujdesem për ta, është kjo në vijën që e thekson vazhdimisht edhe kryeministri Thaçi. Kemi mbajtur takime me liderët e fshatrave serbe jemi vazhdimisht në kontakt me zyrën për komunitete dhe pakicën serbe realisht unë pres shumë qytetarë serbë në zyrën time dhe mundohem t’ iu zgjidhi problemet që i kanë edhe ata. Ju kam treguar se çështja e pakicës duhet të orientohet në zhvillimin ekonomik dhe realisht si komunë angazhohemi për zhvillimin ekonomik të komuniteti serb në mënyrë që të mos implikohen në politikat e Beogradit mos ta kenë kokën në Beograd. Kemi hasur në mirëkuptim edhe me punëtorët, Unë i mirëkuptoj kur ata kanë presione e shantazhe të mos vijnë në vendet e punës, por realisht po funksionojmë mirë. Kemi investime të parapara edhe për komunitetin serb dhe realisht Lypjani është një Kosovë në miniaturë, sepse ata gjashtë yje në flamur janë të gjitha në Lypjan, janë të gjitha komunitetet duke filluar nga komuniteti më i madh, shqiptar, pastaj serb, kroat, boshnjak, shkali, rom turk. Të gjitha komunitetet i kemi të pranishme në Lypjan dhe unë e quaj pasuri sepse edhe mund të përfitoj komuniteti, por edhe mund të zhvillohemi si komunë duke ju falënderuar të gjitha komuniteteve dhe duke filluar nga komuniteti i madh, ai shqiptar.
Arbanë Qeriqi: Ju dëshirojmë suksese dhe shumë të arritura në dobi të qytetarëve të komunës të Lypjanit
Shukri Buja: Faleminderit shumë. Faleminderit për intervistën, unë e përgëzoj stafin tuaj për punën që po e bëni dhe përmes jush i përshëndes të gjithë qytetarët e Lypjanit, gjithë ata që po mundohen të na ndihmojnë rreth ndërtimit të Kosovës dhe shpresoj se do të ecim përpara si Kosovë dhe si komunë e Lipjanit.