Në kohën e zgjerimit të Ushrisë Çlirimtare të Kosovës në bjeshkët e Jezercit dhe të Budakovës, krahas shumë liridashësve, radhëve luftarake të kësaj ushtrie iu bashkua edhe Xhemajl Rexha.
Xhemajli ishte i biri i Rasim Rexhës nga fshati Papaz i komunës së Therandës (ish-Suharekë). Babai, Rasimi, kishte shpëtuar gjallë në Masakrën e Tivarit të vitit 1945. Tërë familjen e kishte frymëzuar me ideale të lirisë dhe me urrejtje e pezëm kundër zaptuesve okupatorë. Xhemajli lindi më 10 qershor të vitit 1961. Rrjedh prej një familjeje bujare, mikpritëse dhe atdhetare. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit Llanisht. Ishte nxënës shembullor dhe për sukses e angazhim të dalluar mori diplomën më të lartë shkollore.
Në vitin shkollor 1979/1980, Xhemajli regjistrohet në shkollën e mesme “Jeta e Re” të Therandës, në drejtimin biologji-kimi. Demonstratat studentore të vitit 1981 e gjejnë nxënës të vitit ë dytë të shkollës së mesme. Për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata, e përjashtojnë nga shkolla.
Falë angazhimit të profesorit atdhetar Shefki Muçaj, Xhemajlin e pranojnë sërish në shkollë. Mirëpo, në prill të vitit 1982, në përvjetorin e parë të demonstratave studentore, policia e Krahinës Socialiste të Kosovës sërish e arreston. Edhe pse nxënës, ia vunë prangat në zyrën e drejtorit të shkollës ku inspektorët e kishin marrë në pyetje.
Përpjekjet e tij për t`u kthyer sërish dhe për të vazhduar shkollimin ishin të pareshtura. Edhe pse e dinin të kaluarën e tij, disa profesorë të Gjimnazit të Prizrenit e kishin ndihmuar dhe Xhemajli kishte regjistruar vitin e tretë të Gjimnazit në degën biologji-kimi. Krahas Gjimnazit, ai kishte ndjekur mësimit edhe në Shkollën e Tregtisë. Më në fund, mori dy diploma të shkollës së mesme, të Gjimnazit dhe të Shkollës së Tregtisë.
Xhemajli mbante kontakte të vazhdueshme me disa bashkëmendimtarë, që vepronin ilegalisht. Ai lexonte dhe shpërndante literaturë me përmbajtje kombëtare, e cila nga Shqipëria apo nga ambasadat shqiptare në vendet perëndmore futej fshehtas në Kosovë. Lexonte me ëndje revistën e ilustruar “Shqipëria e Re”, pastaj revistën “Ylli”, ndonjë numër të “Zërit të Popullit” dhe vepra me përmbajtje kombëtare. Ideali i tij, ashtu sikurse i të gjithë liridashësve të Kosovës, ishte Shqipëria dhe aspirata e natyrshme patriotike për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë.
Në qershor të vitit 1998, në bjeshkët e Jezercit, të Budakovës, të Llanishtit e të Papazit, fillon zgjerimi i aktivitetit kundërvënës të luftëtarëve të lirisë. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte caktuar përgjegjës për zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve në atë rajon, dy veprimtarë të shquar të lëvizjes, ish-të burgosur për vepra kundër pushtetit jugosllav, Sadik Halitjahën nga Mushtishti dhe Idriz Hysenin nga Abria e Drenicës.
Më 26 qershor të vitit 1998, Xhemajl Rexha, në shtëpinë e Sadri Kokollarit (babai i dëshmorit Kadri Kokollari) kontakton me dy eprorë të lartë të UÇK-së, Sadik Halitjahën dhe Idriz Hysenin. Xhemajli merr udhëzime për të vepruar në njësitet, që mbanin nën kontroll fshatrat: Budakovë, Dardhishtë e Poshtme, Dardhishtë e Epërme, Muhlan, Vërshec, Papaz dhe Llanisht.
Më 28 qershor të po atij viti, Xhemajli së bashku me eprorin Sadik Halitjaha dhe Haqif Kadriaj zhvillojnë takime me fshatarët e Budakovës, sidomos në fshatrat: Papaz, Llanisht, Dardhishtë. Xhemajl Rexha ishte caktuar t`iu bënte me dije fshatarëve se në zonat që i mbante nën kontroll UÇK-ja nuk ishte i nevojshëm asnjë aktivitet i cilësdo parti politike. Falë autoritetit që ushtruan ai dhe eprorët e UÇK-së te popullata liridashëse, luftëtarët e lirisë gjentën kudo përkrahje dhe mirëpritje.
Më 3 korrik të vitit 1998, forcat serbe mësynë në drejtim të istikameve të luftëtarëve të lirisë. Xhemajl Rexha, Kadri Kokallari e luftëtarë të tjerë rezistuan në ballë të forcave armike shumëfish më të mëdha dhe me armatim superior të të gjitha llojeve. Në luftimet disaorëshe kundër forcave armike, në altarin e atdheut bie dëshmor Kadri Kokollari, ndërsa plagoset Xhemajl Rexha.
Më 4 korrik, forcave të zonës së Budakovës, në Dardhishtë të Poshtme (ish-Krushicë), iu shkon në ndihmë komandant Ismet Jashari, i njohur gjatë luftës si komandant Kumanova. Në betejën triditëshe të UÇK-së, forcat serbe qenë zmbrapsur me humbje në kriminelë dhe në teknikë lufte.
Pas fitores së parë të njësiteve të UÇK-së kundër forcave të motorizuara serbe, në rajonin e malësisë së Budakovës u emërua komandant i Batalionit të Dytë të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut, i cili kishte afër 400 ushtarë. Asokohe Xhemajl Rexha emërohet anëtar i Shtabit të Batalionit dhe komandant i njësisë zbulim-kundërzbulim.
Më 6 korrik, emërohet komandant toge në fshatin Llanisht. Xhemajli koordinonte veprimet luftarake me komandant Jetullah Qarrin, i njohur si komandant Guri, i cili vepronte në Greiçec, dhe me komandant Qeriqizin, luftëtarin e paepur të lirisë Isak Musliu, që vepronte në Rancë.
Është më se i njohur aktiviteti dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm në konsolidimin e njësiteve të UÇK-së edhe në Jezerc. Asokohe në radhët e UÇK-së shquhet edhe vëllai i Xhemajlit, Jetullah Rasim Rexha, i cili vepronte në pikën ushtarake të fshatit Papaz.
Nga beteja në betejë, aktiviteti luftarak i Xhemajl Rexhës përhapej kudo në malësinë e Budakovës. Shtabi i Zonës e emëron komandant të Kompanisë së Parë të Batalionit të Dytë në Budakovë.
Lufta heroike e luftëtarëve të UÇK-së në pikat: Rancë, Muhlan, Darshishtë, Greiçec, Llanisht, Papaz, Budakovë, Jezerc, Mollapolc, Reçak, Petrovë e fshatra të tjera, kishte marrë hov falë organizimit dhe përkushtimit të kreut të luftës në atë zonë. Asokohe u dalluan sidomos komandantët Sadik Halitjaha, Idriz Hyseni, Jetullah Qarri, Isak Musliu e të tjerë. Po ashtu, një kontribut tejet të fuqishëm luftës për liri, në Zonën e Neredimes, i dhanë edhe vëllezërit Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, (dëshmorë), pastaj Imri Ilazi, Sejdi Sejdiu (dëshmor), Xhafer Gashi, Ali Kadriaj, Haqif Kadriaj, Latif Daka, Kadri Kokollari (dëshmor) e shumë të tjerë.
Më 23 gusht të viti 1998, Xhemajl Rexha, tanimë një trim i paepur dhe i kalitur në zjarrin e betejave, së bashku me forcat e tij luftarake, niset në drejtim të Llanishtit. Fillimisht zë pozicione te shkolla e fshatit. Gjatë luftimeve ballë për ballë forcave ushtarake e policore serbe, një predhë e minahedhësit armik godet në mesin e luftëtarëve me ç`rast marrin plagë të rënda gjashtë luftëtarë. Nga shpërthimi i fuqishëm i armës armike plagoset rëndë edhe komandanti i Kompanisë së Parë, të Batalionit të Dytë, Xhemajl Rexha. Atë ditë morën plagë luftëtarët: Islam Mehmeti, Hyzri Veliu, Brahim Bunjaku, Isë Zeqiraj, Faik Muhadini dhe Sabit Halili. Duke qenë se plaga ishte e rëndë, bashkëluftëtarët e bartin komandantin e tyre Xhemajl Rexha, për në spitalin ushtarak të Breshancit. Plaga ishte e rëndë dhe më 26 gusht të vitit 1998, Xhemajl Rasim Rexha për herë të fundit thith ajrin e bërë tym e flakë nga zjarri e baroti, në zonat e luftimeve. Me nderime ushtarake bashkëluftëtarët e tij eprorë dhe ushtarë e varrosin në Nishor, ku kishte edhe dajallarët.
Rivarrimi i trupit të dëshmorit bëhet më 18 shtator të vitit 1999. Nga varrezat e fshatit Nishor, e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në kompleksin e Therandës.
Në nderim dhe respekt të jetës dhe veprës së tij heroike, në fshatin Papaz i është ngritur lapidari, monumenti i përjetësisë.
Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, dëshmorin Xhemajl Rexha e ka dekoruar me Mirënjohje.
Xhemajl Rexha ka qenë i martuar me Bukurie Rexhën. Ka lënë pas trashëgimtarët: Qëndrimin e Dukagjinin si dhe Qëndresën, e cila erdhi në jetë vetëm pak ditë para rënies së babait dëshmor i lirisë. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …