RKL: Z. Gjuka! Korporata Energjetike e Kosovës është ndërmarrja e vetme energjetike në vend. Pas luftës e deri tani, KEK-u ka qenë Korporata më e përfolur në vend, në radhë të parë në mungesë të një menaxhimi efikas. A janë tejkaluar krizat e rënda në menaxhimin e duhur të Korporatës?
Arben Gjuka: Po, është e vërtetë se KEK-u është e vetmja kompani në Kosovë që i shërben konsumatorët me energji elektrike. Ju e dini se në vitin 2005 është nënshkruar memorandumi i Athinës ku vendi ynë si gjithë rajoni i Evropës Jug-Perëndimore hyn në një fazë që quhet tregu i hapur, apo i lirë. Besoj që në këtë fazë dhe në këto zhvillime që janë në rajon dhe rreth rajonit edhe Kosova do të hapet për një treg dhe për një kompaktivitet edhe të shumë kompanive me renome botërore. Sa i përket krizës në menaxhment ne mendojmë se kriza tashmë është tejkaluar. Mbizotëron një efikasitet dhe një lidhshmëri, do të thotë si menaxhment jemi zotuar, që në KEK të respektohet ligji dhe rendi, të ketë një hierarki dhe përgjegjësi nga niveli më i ulët deri te ai, më i larti.
RKL: KEK-u është integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Në periudha të ndryshme kohore kjo korporatë iu nënshtrua ndryshimeve të shumta. Çfarë ndryshimesh vërehen gjatë kësaj periudhe?
Arben Gjuka: Po! KEK-u në vitin 2005 ka hyrë në procesin e korporatizimit, si rezultat i nënshkrimit të memorandumit të Athinës. Ju e dini para dy viti e gjysmë, KEK-u i mori hapat e parë drejt një shthurje dhe tash KEK-u është një shoqëri aksionare, dhe nuk e ka atë integritetin e mëhershëm, punëtorët janë aksionarë të kësaj korporate, gjithashtu para tri apo dy vite e gjysmë, shtatë shoqëri të cilat në një mënyrë ne i quajmë jo biznese kryesore, janë pavarësuar nga KEK-u. Këto ditë jemi në fazën e fundit që njëherë e mirë këto kompani të vetëmbahen dhe të jenë të pavarura dhe KEK-u të merr shërbime më efikase prej tyre.
Është e vërtetë se nga pas lufta në KEK kanë veprua shumë menaxhmente kryesisht të huaja dhe ka pasur shumë organizime shpeshë herë jo të mira ose nuk e kanë arritur efektin që është paraparë.
Këto ditë me ndihmën e Bordit të Drejtorëve të KEK-ut besoj që brenda dy muajsh ne do ta kemi një skemë të re apo konjuktura të reja të kompozuara me zhvillim konform të kalueses së KEK-ut dhe tanishmes që në të ardhmen të jemi më të përgatitur dhe më efikas ndaj konsumatorëve dhe ndaj tregut.
RKL: Problemet me mungesë të energjisë elektrike kanë qenë dhe po mbeten evidente në vendin tonë. Ka periudha të stabilizimit, por janë të papritura rëniet dhe reduktimet e vazhdueshme sipas planit ABC. Deri kur do të zgjasë kjo gjendje?
Arben Gjuka: Ju e dini se në çfarë gjendja ndodhej korporata sidomos pas lufte, ku një dekadë e tërë ka ardhur si rezultat i shfrytëzimit jo racional nga ish-pushteti serb.
KEK-u fatkeqësisht ka trashëguar një gjendje shumë të rëndë, në të gjitha divizionet, duke filluar nga pajisjet, mihjet, gjenerim deri në distribuim. Është e vërtetë ajo se unë mund të lavdërohem me një fakt se nga fillimi i qershorit e deri në fund të korrikut e kemi furnizuar Kosovën kryekëput, me energji vendore. Këto ditë, jemi në muajin e remonteve. Momentalisht kemi tri njësi gjeneruese në remont. Është nga viti i kaluar njësia A5, kemi njësinë A4 nga 4 gushti dhe njësinë B2 që është në remont nga 24 korriku. Presim që në fund të gushtit Kosova të furnizohet me 24:0 për arsye se do t’i kthejmë në prodhim njësit A4 dhe B2.
Gjithashtu për këtë periudhë falë ndihmës së Qeverisë që shfrytëzoj rastin edhe të përshëndes një veprim të tillë, ne kemi marrë një grant prej 23 milion eurove, ku këto mjete do t’i shfrytëzojmë ekskluzivisht për të mbuluar konsumin në ato pjesë apo periudha të vitit në këtë rast nga shtatori i këtij viti deri në mars të vitit 2009, në pamundësi të furnizimit ose të mbulimit të konsumit nga njësit tona gjeneruese.
Shpresoj, duke iu falënderuar punës së palodhshme të punëtorëve si në mihje, gjenerim por edhe në divizione tjera që edhe këtë dimër dhe këtë periudhë ta kalojmë sa më mirë.
RKL: Jeni ballafaquar dhe aktualisht po ballafaqoheni me borxhet e shumta të konsumatorëve. Tashmë dihet se borxhlinjtë të përhershëm janë serbët nëpër enklava, të cilët nuk kanë paguar asnjë faturë qysh prej vitit 1999. Si do ta realizoni planin e inkasimit nëpër enklava?
Arben Gjuka: Më herët jemi prononcuar për këtë çështje. Kjo më tepër është çështje politike. Por prapë se prapë ne kemi filluar, bashkë me Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, që është duke marrë hapat konkret për një vendim politik për integrimin e shpejtë të enklavave. Ne si KEK e kemi bërë punën tonë. I furnizojmë të gjithë qytetarët e vendit, pra edhe pjesët apo zonat ku ka enklava.
Para disa ditësh kemi filluar disa kontakte me hapësirën e Graçanicës, ku së bashku me SHPK-në KFOR-in Përfqësuesit e Komunitetit, dhe Përfaqësuesit e KEK-ut janë në negociata që të integrohen edhe ata në strukturat tona dhe të fillojmë t’i lexojmë t’i faturojmë dhe gjithashtu të inkasojmë. Vlen të cekët me këtë rast edhe deklarata e përfaqësuesit të UNMIK-ut se ata që e shpenzojnë energjinë elektrike edhe duhet të paguajnë. Në këtë rast kjo ka aluduar drejtpërdrejt në enklavat ose konkretisht te përfaqësuesit e minoritetit serb, të cilët për nëntë vite nuk e kanë paguar këtë energji elektrike të shpenzuar. Duhet cekur se konsumi i tyre nga 5% pas lufte, këto ditë është rritur në 13%. KEK-u ka një qasje të njëjtë dhe të drejtë për të gjithë konsumatorët, pra të gjithë ata që e shpenzojnë energjinë elektrike duhet ta paguajnë pavarësisht se cilit nacionalitet i përkasin.
RKL: KEK-u është i organizuar në katër Divizione kryesore, Divizioni i Mihjeve, i Gjenerimit, i Shpërndarjes dhe i Furnizimit. Si menaxhohen këto divizione në aspekt të koordinimit të punëve?
Arben Gjuka: Është e vërtet se këto divizione që ju i përmendët janë divizionet kryesore të Korporatës. Këto divizione udhëhiqen nga drejtorët ekzekutiv në secilin divizion ku koordinohen nga drejtori operativ i cili i përgjigjet direkt drejtorit menaxhues.
Koordinimi gjatë këtyre ditëve ka qenë shumë i mirë dhe ka rezultuar në zhbllokimin dhe efikasitetin e shumë projekteve, të cilat kanë qenë të bllokuara dhe shpresojmë që këto ditë të shihen rezultatet e para. Unë personalisht jam i kënaqur me koordinimin e deritashëm.
RKL: A mendoni se prania e taksës për RTK-në në faturat e rrymës i irriton konsumatorët, të cilëve iu përkujton taksën që dikur paguanin dhunshëm për RTS-në e Beogradit. Ku bazohet arsyeshmëria e kësaj takse për qytetarët?
Arben Gjuka: Ky vendim është marrë kundër vullnetit të KEK-ut. Sa më kujtohet në vitin 2003 ka pasuar një urdhëresë ekzekutive nga ish kryeadministratori i atëhershëm i Kosovës, z. Shtajner, me të cilën KEK-u detyrohet që të mbledhë ose kolekton një taksë për transmetuesin publik. Të them të drejtën unë si qytetar, në këtë rast jam i mendimit se neve si shtet kemi nevojë për një transmetues publik të pavarur, por mënyra se si do të mblidhet taksa le t’i mbetet barrë organeve përkatëse qeveritare dhe Kuvendit të Kosovës. Ne kemi ngritur zërin disa herë kundër kësaj takse, jo për arsyen të mos keqkuptohemi te trasnetuesi publik, që vlenë të përshëndetet sepse duhet të kemi një transmetues të tillë dhe të pavarur, por për arsye se kemi pasur reagime të shumta të qytetarëve, ku në disa zona kanë qenë edhe kërkesa reale, meqë vendi është mbuluar me sinjale të RTK-së. Tash së fundi kemi nënshkruar një marrëveshje ku deri në nëntor të këtij viti, KEK-u obligohet të mbledh taksën prej 3.5 euro në favor të transmetuesit publik, dhe pas këtij afati do të pasojë një vendim tjetër, që më se a e di unë është i ngritur një komision ndërqeveritar dhe ndërkuvendar me të gjitha palët e interesit përfshirë edhe OJQ-të që të gjendet një formë e re se si do të mblidhet kjo taksë për RTK-në.
RKL: A vërehen ndryshime dhe suksese në menaxhim gjatë muajve të fundit dhe nëse po, cilat janë këto ndryshime, nga koha kur ju jeni emëruar U.D. i drejtorit menaxhues?
Arben Gjuka: Nga data 4 qershor i këtij viti ushtroj detyrën e drejtorit menaxhues të KEK-ut, jemi munduar maksimalisht që ta ngrisim performansen në Korporatë. Ne jemi përqendruar në dy pikat kryesore. Pika e parë është ulja e shpenzimeve të panevojshme operative. Dhe pika e dytë, rritja vlefshmërisë së aseteve, konkretisht krahas asaj edhe rritjen ose zvogëlimin e humbjeve komerciale ose vjedhjeve që i quajmë ne dhe zbritjen e faturimit dhe padyshim dhe drejtëprëdrejt që do të ndikonin në rritjen e inkasimit apo vetëqëndrueshmërisë financiare të Korporatës. Mund të lavdërohem me nivelin e ulët të humbjeve nëse krahasohemi me vitet e para të pasluftës, dhe mund të konkludojmë se këto ditë kjo periudhë kohore mund të krahasohet me ditët më të ndritshme të korporatës para viteve të 90-ta. Ndërsa sa i përket nivelit të inkasimit ka rezultate të cilat janë pozitive por nuk janë ende ato të kënaqshme që presim ne. Besoj që për tre muaj një Korporat siç është KEK-u me kompleksivitetin e saj e donë edhe një kohë që të arrihen qëllimet apo objektivat ku siç dihet e kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë.
RKL: Cilat janë rezultatet e fundit që ndërmori KEK-u pas urdhrit të Qeverisë për të vendosur kushte dhe procedura të përkohshme për shkyçje dhe ri-kyçje në rrjetin e furnizimit me energji elektrike ndaj konsumatorëve abuzues dhe borxhlinjëve?
Arben Gjuka: Qeveria, më 31 korrik, ka marrë një vendim tejet të qëlluar ku e ndihmon dhe e përkrahë KEK-un në të gjitha fushat. Ne si menaxhment drejtues e falenderojmë dhe deri tash kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me MEM-in, Zyrën e Kryeministrit, Bordin e Drejtorëve të cilët kanë qenë 24 orë të angazhuar dhe kanë përkrahë KEK-un në aksionet e tij në gjithë territorin e vendit.
Ju e dini se çdo ditë jemi në monitorim së bashku me MEM-in dhe ky aksion apo veprim nuk është vetëm propagandë, por është një proces i cili do të zgjatë ditët në vijim. Nga 31 korriku deri me 11 gusht kur ka filluar aksioni ne kemi bërë përgatitjet logjistike ndërsa akoma jemi në fazën e plotësimit të këtij aktiviteti, i cili do të jetë proces i gjatë dhe i pandalshëm dhe si qëllim ka ndëshkimin apo shkyçjen e të gjithë konsumatorëve të cilët nuk i kanë kryer obligimet në të kaluarën dhe nuk i kryejnë obligimet ndaj korporatës konform ligjit në fuqi.
Ju sigurisht se i keni njoftuar konsumatorët përmes medieve elektronike dhe të shkruara se në zona të caktuara ne do të shkojmë shtëpi, për shtëpi jo në mënyrën se si ka shkuar deri tash dhe do t’i lëmë të shkyçur të gjithë ata konsumatorë të cilët kanë konsumuar energjinë elektrike dhe nuk e kanë paguar.
Gjithashtu, në fokus të veçantë do të jenë të gjithë ata konsumatorë që janë abuzues dhe që për korporatën janë të njohur. Kemi ngritur padi gjyqësore kundër tyre, gjithashtu dihet se edhe në të kaluarën kemi bërë shkyçje, por efekti ka qenë i zbehtë për shkak të ri-kyçjeve dhe pamundësisë së ndëshkimit për ri-kyçje ilegale, ndërsa ky aksion parasheh masa shumë më drastike dhe më të rënda edhe në aspektin penal por edhe në aspektin e kostos, për arsye se për ri-kyçje ilegale ai konsumator do të paditet për vepër apo shkelje të rëndë të padisë civile, gjithashtu edhe do të shoqërohet nga Policia e Kosovës në komisariatet përkatëse.
RKL: Në këtë aksion që po e zbaton KEK-u me ndihmën e Qeverisë a do të jenë të përfshirë edhe konsumatorët që marrinë asistencë sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale?
Arben Gjuka: Është për tu lavdëruar puna që po bënë Qeveria e Kosovës, në këtë rast MPMS-ja, për rastet sociale dhe kategoritë e tjera të prekura nga lufta e fundit. Në bazë të një vendimi të Qeverisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i subvenkcionon këto kategori me nga 500 killovat orë të energjisë elektrike për muaj. Nëse krahasohet me vendet e rajonit unë mendoj se kjo është një ndihmë shumë e madhe, p.sh. krahasuar me Shqipërinë që i subvenkcionon me vetëm 270 killovatë orë për muaj. Ne megjithatë kemi disa probleme me këta konsumatorë, kur e tejkalojnë këtë sasi dhe këtu bëhet fjalë për abuzim. Supozojmë, nëse një familje është rast social në bazë të analizave tona nuk ka mundësi të shpenzojë më tepër se 300 apo 350 killovat. Dhe kur e tejkalojnë 500 killovatë orë kjo do të thotë se ka dyshime për abuzim të energjisë elektrike dhe ne do t’i shkyçim ata konsumatorë që e tejkalojnë këtë sasi.
RKL: Dhe a do të jenë këta konsumator të subvencionuar nga MPMS-ja edhe për vitin 2008? Arben Gjuka: Këtyre ditëve kemi nënshkruar marrëveshjen e re me Ministrinë e Punës dhe duhet cekur se sasia që lejohet për një familje është e njëjta, pra 500 kWh për një muaj. Me këtë rast duhet sqaroj sepse ka keqinterpretime se ne si KEK, nuk e bëjmë selektimin, se cilat janë ato kategori që marrin subvencione nga ministria, dhe këtë selektim e bën vetëm ministria përkatëse, meqë janë at të cilët e dinë më së miri se cilat familje meritojnë t’i shfrytëzojnë subvencionet me plotësimin e dokumentacionit përkatës.
RKL: z. Gjuka, në emër të stafit, ju falënderoj për intervistën ekskluzive dhënë radios Kosova e Lirë dhe dëshirojmë që gjatë mandatit Tuaj të tregoni suksese, në mënyrë që qytetarët të kenë furnizim më stabil por edhe të paguajnë
Arben Gjuka: Shfrytëzoj rastin t’i përshëndes të gjithë dëgjuesit e respektuar të radios Kosova e Lirë që është një radio unike në vendin tonë dhe dua t’i bëjë thirrje të gjithë konsumatorëve që kanë qenë besnikë ndaj KEK-ut, por edhe ata që tash po tregojnë mirëkuptim që t’i kryejnë obligimet ndaj korporatës. Kjo do të thotë që Kosova të ketë më shumë drita, kurse Korporata më shumë arsye që konsumatorëve të saj t’iu ofrojë shërbime më kualitative.