Jeton Syla: Intervistë me drejtorin e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, z. Skënder Bublaku

RKL: Z. Bublaku, cila është rëndësia e nënshkrimit të marrëveshjes së Memorandumit në mes Kompanisë të cilën ju e menaxhoni, MEF-it dhe Bankës gjermane KFË, nga e cila Kompania përfiton 8 milion euro donacion lidhur me përmirësimin e infrastrukturës dhe ngritjen e shkallës së inkasimit.

Bublaku: Shumë e vërtetë, ne pas një pune njëvjeçare realisht kemi arritur që me Qeverinë gjermane nëpërmjet Bankës KFW të fillojmë një proces që ka sjellë deri te nënshkrimi i marrëveshjes së memorandumit të mirëkuptimit, ku parashihet një investim që fillon të implementohet në fillim të vitit të ardhshëm në vlerë prej 8 milion euro. Ky investim përfshinë kryesisht pjesë të infrastrukturës që do të qonte në rritjen e shërbimeve ndaj konsumatorëve tanë, duke montuar dhe ndërruar rrjetat e sistemit, duke rritur kapacitetet nëpër rezervarët tanë dhe mendojmë se është një prej projekteve shumë të qëlluara që do të qonte direkt në përmirësimin e shërbimeve, që lidhet me zvogëlimin e reduktimeve dhe humbjeve që do të ndikonte edhe në ngritjen e shkallës së inkasimit.

Është shumë e nevojshme që ky projekt të përfundojë me sukses sepse gjasat janë të mëdha që prapë të vazhdojmë me donacione të tilla sepse është në interes të çdo qytetari dhe në interes të vendit, që të kemi financime të këtilla.

RKL: Cili është vëllimi aktual i rezervave të ujit në burimet ekzistuese?

Bublaku: Po, gjendja ekzistuese normalisht nuk është e kënaqshme sa i përket furnizimit me ujë të pijes. Ne ballafaqohemi me reduktime në orët e vona të mbrëmjes, mirëpo gjatë verës kemi edhe probleme që lidhen kryesisht me shpenzime të mëdha të ujit që ndikon dukshëm në disa zona në të cilat furnizimi ndoshta të jetë më i vështirë.
Mirëpo, përveç kësaj, realisht problem tjetër paraqet edhe moti i thatë që mund të parashihen dhe ndikon direkt në furnizimin me ujë apo ai të jetë më i vështirësuar, për këtë arsye viti 2007 ka qenë realisht mjaft i thatë dhe ne gjithsesi është dashur që ta intensifikojmë punën dhe një sistem alternativ që e kemi për mbushjen e Liqenit të Badovcit të mundohemi ta funksionalizojmë.

RKL: Për të përballuar krizën eventuale me ujë të pijes keni përmendur edhe mbushjen e Liqenit të Badovcit përmes kanalit Ibër – Lepenc

Bublaku: Ky sistem është nën menaxhimin e Ibër-Lepencit dhe është pjesë e tyre dhe ata në bashkëpunim me ne kanë marrë disa aktivitete dhe tash mund të themi se jemi në një fazë ku pjesa më e madhe e punimeve është kryer. Ka mbetur edhe një pjesë e punimeve, por ndërkohë ka dal si një problem, gypi transportues nga stacioni i pompave në Graçanicë deri tek Liqeni i Badovcit dhe janë duke u bërë përpjekje që edhe ky gyp të aftësohet për fillimin e implementimit të projektit. Ne kemi bërë disa testime por për shkak të këtij problemi realisht ky sistem ka nevojë edhe për disa punë shtesë dhe jemi duke biseduar bashkërisht edhe me zyrtarët e Komunës së Prishtinës dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave që në të ardhmen ky sistem të ketë investime shtesë në mënyrë që edhe nëse ballafaqohemi me motin e thatë siç e ceka m herët ky sistem të jetë funksional dhe të kemi sasi të ujit plotësues në Liqenin e Badovcit. Këtë e garanton ky projekt, pavarësisht kushteve atmosferike që do të mbizotërojnë në të ardhmen.

RKL: Sa parashihet të jenë investimet kapitale, në të ardhmen, për ngritjen e kualitetit dhe të shërbimeve

Bublaku: Ne realisht kemi plan biznesi më kohë më të gjatë që përfshinë vitet 2008-2013 dhe jemi duke u munduar që këtë planë edhe ta realizojmë. Parashikimet tona janë që në këtë periudhë pesëvjeçare investimet tona të kapin vlerën rreth 80 milion euro që janë planifikuar, ndërsa investimi më domethënës pritet të jetë jetësimi për ngritjen e fabrikës së re të Ujit në Shkabaj. Ky investim duhet të kaloi realisht përmes institucioneve tona qendrore në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare pasi bëhet fjalë për një investim që për kompaninë tonë është i papërballueshëm dhe i parealizueshëm, ndërsa projektet tona të parapara konform planeve të biznesit me fondet tona do të jenë të realizueshme.
Ne planifikojmë që me fondet tona ekzistuese të kemi investime permanente në sistemin e ujësjellësit në ujërat e zeza dhe në vazhdimin e ndërrimit të ujëmatësve në rehabilitimin e objekteve, ndërsa investimet kapitale në vlera të mëdha mendojmë që t’i realizojmë në bashkëpunim me institucionet lokale, qendrore dhe me investitorët e jashtëm do të jenë të përballueshëm dhe do të ndikonin direkt në drejtim të rritjes së shërbimeve ndaj konsumatorëve.

RKL: Cilat janë përpjekjet për ndërtimin e fabrikës së re të ujit në Shkabaj?

Bublaku: Sa i përket ndërtimit të fabrikës së ujit, në Shkabaj, ne kemi hartuar projektin qysh në vitin 2003 dhe ky projekt parasheh marrjen e ujit nga Liqeni i Gazivodës, Arsyeja pse duhet që ky projekt të jetësohet për Prishtinën dhe katër komunat përreth është rritja e numrit të madh të Konsumatorëve, në rajonin e Prishtinës. Planet urbanistike që Prishtina i ka planifikuar nuk mund të realizohen në qoftë se nuk mund të sigurojmë sasi plotësuese të ujit, sepse gjendja e tanishme nuk na garanton një furnizim të rregullt 24 orë dhe trendët që qytetarë të ketë shumë më tepër në Prishtinë dhe zhvillimet urbanistike tjera diktojnë që sasitë me furnizim të ujit të jenë patjetër plotësuese se këto që janë aktuale ne do të mundohemi që këto që janë ekzistuese të shfrytëzohen në mënyrë racionale me kursime të mëdha dhe me tendencë që realisht ato të ruhen, por nuk mjaftojnë për vitet në vazhdim. Ndërtimi i kësaj fabrike tash është shumë më i mundshëm pas konferenca së donatorëve dhe meqë Kosovës iu është premtuar ndihma në vlerë prej mbi 1 miliard euro jemi të bindur se edhe ky projekt madhor në të ardhmen do të jetë realitet.

RKL: Cili është bashkëpunimi me KK të Prishtinës rreth koordinimit të projekteve rreth infrastrukturës së ujësjellësit?

Bublaku: Me Komunën e Prishtinës dhe me komunat tjera, duhet shtuar se menaxhojmë sistemin e ujësjellësit me shtatë komuna duke përfshirë edhe Prishtinën. Realisht me të gjitha komunat kemi një bashkëpunim të mirë një koordinim të mirë të punëve. Me Komunën e Prishtinës në disa projekte jemi bashkërisht duke punuar dhe planifikojmë që edhe në vitet në vazhdim. ky koordinim i punëve të jetë i tillë sepse është në interesin e dyanshëm. Arsyeja e vetme është se kur komuna ka ekzekutim të punimeve në rrugë, ne mundohemi që paralelisht të kemi edhe investimet tona në mënyrë që infrastruktura të përmirësohet. Paralelisht, përpiqemi që me ndërtimin e rrugëve të kemi edhe ndërrimin e rrjetave të ujit dhe të ujërave të zeza. Kryesisht komuna ndihmon në zgjerimin e rrjetit të ujërave të zeza si ato atmosferike dhe fekale, ndërsa ne realisht mundohemi që ta përcjellim me ndërrimin apo zëvendësimin e rrjetave të ujit. Këtë vit jemi të kyçur në disa projekte të përbashkëta. Më i rëndësishmi është ai në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Lagjen “Kodra e Trimave”.

Edhe pse është bukur e zgjatur kjo punë me rëndësi është se atje po ndërtohet praktikisht një infrastrukturë e plotë e një rruge shumë të komplikuar, pra bashkëpunimi me komuna është shumë i nevojshëm por edhe i dobishëm pikërisht për shkak të këtyre problemeve që lidhen me infrastrukturën por edhe rëndësisë që ka aktivizimi i inspektimit komunal në ndihmesën që i japin ujësjellësit rreth keqpërdorimit të ujit të pijes dhe problemeve tjera teknike që ne i kemi në terren.

RKL: Kur pritet të marrë vendim Komuna e Prishtinës për ndalimin e përdorimit të ujit të pijshëm për destinime të panevojshme siç janë: Larja e automjeteve, e rrugëve , trotuareve, kopshteve dhe për ujitje?

Bublaku: Po! Komuna e Prishtinës tanimë e ka nxjerrë urdhëresën administrative, me të cilën ndalohet shfrytëzimi i ujit të pijes jashtë destinimit që është dhe janë definuar gjobat për keqpërdoruesit e ujit. Këtyre ditëve kemi filluar me inspektim të përbashkët në terren. Është kërkuar që të kemi një bashkëpunim të afërt sepse edhe ne jemi të interesuar që çdo konsumator ta shfrytëzoj ujin në mënyrë racionale dhe të mos e keqpërdorë në asnjë mënyrë. Për këtë arsye besojmë se do të ketë aktivitete deri në fund të shtatorit kur realisht priten zbritje të temperaturave ndërsa konsumi do të jetë më i vogël, por gjithsesi kërkojmë prej konsumatorëve tanë që të jenë të kujdesshëm dhe të mos e keqpërdorin ujin sepse vërtetë kemi probleme në këto kohë kur temperaturat janë të larta dhe një pesë e qytetarëve ka vështirësi të furnizohet me ujë të pijshëm për arsye thjesht të shpenzimit të madh. Mund të ju informoj se vitin e kaluar kemi pasur mbi një qind raste të aplikimit të gjobave dhe do të ishte e nevojshme që qytetarët të mos të ballafaqohen me këto dënime përndryshe të gjitha lëndët përveç atyre që do të mandatohen në vendin e ngjarjes do të procesohen nëpër gjykata për rastet e ndryshme, prandaj kisha kërkuar nga qytetarët që mos të vijnë në një situatë të ballafaqimit me gjoba dhe dënime nëpërmjet gjykatave.

RKL: Çka keni ndërmarrë lidhur me vetëdijesimin e qytetarëve për qasje serioze të pagesës së ujit te pijshëm?

Bublaku: Realisht problemi më serioz që mund të konsiderohet në të gjitha debatet publike është shkalla e ultë e inkasimit, prandaj edhe tendenca apo prioriteti ynë është i adresuar në këtë drejtim.
Shkalla e tanishme e inkasimit rreth 62% që për kompaninë tonë është e pamjaftueshme, pasi përballemi me shumë shpenzime, operime të ndryshme dhe shumë kërkesa për investime të reja dhe kjo shkallë e inkasimit është e papranueshme për “KUR Prishtina”. Qytetarët kanë mundësi të adresohen në zyrat dhe qendrat për konsumatorë pranë ujësjellësit rajonal Prishtina në mënyrë që të rregullojnë problematikën e borxheve dhe për këtë arsye ne ju ofrojmë gjithë ndihmesën atyre dhe të gjitha benificionet e mundshme përfshirë programimin e borxheve në një periudhë mund të them mbi dyvjeçare.
Prandaj kjo është kërkesa jonë drejtuar konsumatorëve që pa asnjë hezitim të fillojnë shlyerjen e borxheve, sepse ne jemi të vetëdijshëm se një pjesë e tyre vërtetë ka probleme sociale probleme financiare por nuk e konsiderojmë se Prishtina dhe komunat tjera që ne i furnizojmë nuk kanë mundësi të paguajnë të paktën 75 deri në 80%, prandaj edhe kërkesa jonë është adresuar në këtë drejtim pra të ngritjes së shkallës së inkasimit. Këtë e kërkojnë edhe institucionet financiare edhe ndërkombëtare edhe donator të tjerë sepse kriteri bazë është ngritja e shkallës së inkasimit. Ne kemi filluar me aplikimin po e them këtë keqardhje shkyçjet kolektive nëpër disa objekte kolektive paralelisht me ato individuale dhe për këtë arsye do të ishte e mirë dhe e udhës që konsumatorët të mos kenë probleme të tilla do të thotë të mos vijnë deri te shkyçjet dhe te proceset gjyqësore që jemi duke i përgatitur dhe proceduar nëpër gjykata.
Ne iu bëjmë apel qytetarëve që pa hezitim të fillojnë me shlyerjen e borxheve ndaj ujësjellësit, ndërsa duke aplikuar tani kanë të drejtën e shfrytëzimit të çdo benificioni të mundshëm që ata e konsiderojnë se është konform rregullave dhe rregulloreve.

RKL: Cila është shkalla e pagimit të faturave nga institucionet, firmat private dhe kompanitë publike?

Bublaku: Realisht ne i kemi tri kategori të shfrytëzuesve të ujit. Përveç asaj të amvisërisë që vërtetë jemi të pakënaqur me shkallën e inkasimit, kategoritë e tjera janë institucionet dhe bizneset qofshin të vogla apo të mëdha.
Tek institucionet mund të themi se qëndrojmë më mirë edhe pse kemi vonesa për shkak të alokimeve të buxheteve megjithatë kemi një renditje të mirë, ndërsa tek bizneset shkalla e inkasimit nuk është mbi 70%, ndërsa tek institucionet sajo arrin diku rreth 90% edhe pse ne realisht e konsiderojmë se duhet t’i afrohet 100% për arsye se këto dy kategori financiarisht mund t’i përballojnë shpenzimet për ujin e shfrytëzuar.

RKL: Z. Bublaku, keni filluar vizitat shtëpi në shtëpi për kontaktin direkt me konsumatorët. Sa ka sjellë kjo rezultate kjo formë e komunikimit?

Bublaku: Sa i përket vizitave që ne i kemi organizuar është shumë e vërtetë se jemi munduar në mënyrën më të thjeshtë dhe më të afërt me konsumatorin t’i njoftojmë dhe të kërkojmë prej tyre që borxhet të shlyhen.
Kemi marrë nga ata premtime dhe përgjigje pozitive. Ne këtë aktivitet do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen edhe pse nuk është shumë e preferuar, por që realisht jemi duke vizituar një pjesë të konsumatorëve që kanë mundësi të paguajnë borxhin. Në shumicën e vendbanimeve ku ne i kemi vizituar kemi hasë në konsumatorë që nuk kanë dhënë një përgjigje, se cila është arsyeja pse ata nuk kanë paguar deri më tani edhe pse financiarisht qëndrojnë mirë. Kërkoj edhe një herë nga të gjithë konsumatorët që pa hezitim të fillojnë të paguajnë faturat e mbetura, sepse është në interes të tyre dhe në interes të kompanisë që është mjaftë e përgjegjshme ekonomikisht e qëndrueshme dhe e aftë për të zgjidhë çdo problem të paraqitur prandaj edhe përkrahja e konsumatorëve tonë në këtë drejtim është e domosdoshme.

RKL: Z. Bublaku ne iu falënderojmë për intervistën dhënë radios Kosova e Lirë dhe iu dëshirojmë suksese të reja.

Bublaku: Ju falënderoj për ftesën dhe përkrahjen mediale që po bëni për Kompaninë tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …