RKL: Përshëndetje në emër të stafit dhe drejtorisë së Radios Kosova e Lirë
Faleminderit për praninë tuaj këtu në komunën e Rahovecit. Jam Qazim Qeska kryetar i komunës së Rahovecit, i zgjedhur me votën e lire të qytetarëve, në zgjedhjet e vitit 2007, mandatin e kam marrë në vitin 2008.
RKL: z. Qeska si e cilësoni vitin që kaloi
Qazim Qeska : Kaloi një vit dhe konsideroj se për komunën e Rahovecit dhe administratën tonë ishte një vit i suksesshëm pothuaj në të gjitha fushat e jetës dhe punës me të cilën ballafaqohet apo është në kompetencë të administratës apo pushtetit lokal.
RKL: Viti i kaluar solli shumë të reja në Kosovë, në radhë të parë pavarësinë e vendit por edhe një qeverisje më stabile. Cilat kanë qenë të arriturat konkrete në komunën e Rahovecit?
Qazim Qeska: Ç’ është e vërteta të gjithë qytetarët e Kosovës kanë festuar me dinjitet pavarësinë e Kosovës, që e kanë pritur gjenerata e gjenerata dhe ne e patëm rastin që të jemi pjesë e këtij solemniteti shtetëror kur Kosova u bë shtet i pavarur. Ne si administratë vitin e kaluar kemi punuar në Kosovën e lirë, shtet demokratik, i pranuar nga fuqitë më të mëdha ekonomike e politike të botës. Po sfidat me të cilat është ballafaquar komuna jonë janë të shumta. Ne patëm një buxhet modest si komunë, që kap shumën për investime kapitale diku rreth një milion euro, dhe tërë atë shumë e kemi valorizuar me projekte, pjesën më të madhe në infrastrukturën rrugore dhe hidro-ekonomike. Jemi angazhuar për ndërtimin e shumë rrugëve, unë do të përmend rrugën Rahovec – Zatriq që ka qenë ndihmë, pjesën më të madhe të mjeteve nga MTPT, pastaj rruga në fshatin Celinë që ishte projekt i madh 120 000 euro nga komuna , ndërkaq MTPT-ja deri në 400 000 euro, pastaj rruga Gexhë –Ratkoc, rrugët brenda qytetit, rruga moderne një kilometër e quajtur “Sadedin Hajda “ me trotuare e kanalizim të ujërave atmosferike, pra ajo është rrugë model, ku kanë marrë pjesë komuniteti, komuna por pjesa më e madhe nga MTPT-ja.
Janë përfunduar shumë kanalizime nëpër fshatra, po përmend atë të fshatit Gexhë. Pastaj ujin e pijes në fshatin Potoqan e Nashpall, që është në përfundim e sipër. Ky ka qenë komplet investim i komunës, uji i pijes faza e parë në fshatin Reti sivjet do të përfundohet. Pastaj kanalizimi në fshatin Opterushë faza e parë, sivjet janë angazhuar mjetet për fazën e dytë, por edhe shumë projekte të tjera. Me një fjalë ka pasur projekte edhe në sferën e rinisë kulturës dhe sportit.
Në vitin e kaluar kemi filluar ndërtimin e palestrës së sporteve që është investim i Ministrisë së Kulturës, në 2008-ën ka qenë faza e parë janë investuar 350 000 euro për sivjet janë ndarë edhe 800. 000 euro për të vazhduar faza e dytë ku do të rrumbullakësohen shumë punë. Është ndërtuar stadiumi modern i futbollit. Me përgjegjësi e them se është stadiumi i dytë më modern në Kosovë, pas atij të Prishtinës.
Janë bërë edhe investime tjera, presim që nga pranvera të përfundojë një investim kapital për komunën e Rahovecit. Kjo është trafoja e 110 kilovat që është i investim rreth 7 milion euro, ndërtimin e kësaj trafoje me futjen në funksion komuna e Rahovecit do të pavarësohet sa i përket energjisë elektrike se tani kemi dy kyçje nga Prizreni e Gjakova. Në këtë drejtim kemi më të vërtet probleme çka është normale, por pastaj autonomia e Rahovecit me këtë trafo do të jetë shumë e madhe dhe ne e përgëzojmë qeverinë e Kosovës për këtë investim kapital sepse ne si komunë nuk do ta realizonim jo për një vit por ndoshta për një dekadë, sepse ajo i tejkalon mundësitë tona financiare.
RKL: Në buxhetin për 2009 cilave projekte iu keni dhënë më shumë prioritet?
Qazim Qeska: Për këtë vit kemi shumë prioritete, në radhë të parë kemi sferën e hidro-ekonomisë sigurimin e ujit të pijes në pesë fshatra që është: Dobidel, Qiflak, Kramovikë, Guri i Kuq dhe Polluzhë. Ne kemi paraparë nisjen e këtij projekti, por shpresojmë në ndihmën e Qeverisë. Kryeministri ka premtuar ndarjen e 600 000 eurove dhe ne kemi ndarë disa mjete besoj se edhe komuniteti do të ndihmojë për t’ia filluar këtij projekti madhor për pesë fshatra të cilat janë shumë të rrezikuara, sepse iu mungon uji i pijshëm dhe ujin që e kanë përzihet me mbeturina, kështu që mund të ketë pasoja epidemike. Obligimi ynë madhor është që deri në fund të këtij mandati deri në zgjedhjet lokale t’iu dal në ndihmë qytetarëve.
RKL: A ka komuna e Rahovecit potenciale të mjaftueshme për një zhvillim ekonomik më të avancuar dhe cilët sektorë do të ndihmonin zhvillimin ekonomik në të ardhmen?
Qazim Qeska: Komuna e Rahovecit nuk është komunë e varfër, është mjaft e pasur me resurse, por relativisht e pazhvilluar. Potenciali ekziston posaçërisht në sferën e bujqësisë dhe industrisë përpunuese të bujqësisë. Komuna e Rahovecit është prodhuese e madhe e prodhimeve bujqësore në radhë të parë të rrushit edhe të perimeve, por ato shiten si gjysmë fabrikate, ndërsa ne kemi nevojë që në komunën tonë të kemi kapacitete përpunuese , industriale në radhë të parë perimeve, ku nuk do të kishim nevojë edhe si Kosovë të importojmë perimet si: specat , keçapi etj.
Mjete të shumta nga buxheti i Kosovë shkojnë diku tjetër e ne kemi mundësi këtu të kemi prodhime të gatshme bujqësore, pastaj ne krenohemi që kemi rrushin cilësor i cili është i njohur jo vetëm në Kosovë e Ballkan por edhe në botë, por realiteti është i tillë ne kemi shumë kapacitet të rrushit. Kemi Bodrumet e rrushit të njohura në Evropë jo vetëm sot, por kanë qenë të njohura edhe me herët, por tash janë privatizuar dhe janë duke shkuar përpara në radhë të parë, “Stone Castlle” pastaj Ndërmarrja “Haxhijaha, por ka edhe kapacitete të tjera private që dalëngadalë premtojnë që komuna e Rahovecit të jetë e njohur në Kosovë e më gjerë sa i përket këtyre prodhimeve. Ne jemi të gatshëm që t’iu krijojmë kushtet në mundësit tona këtyre prodhuesve të rrushit por edhe të prodhuesve të perimeve.
RKL: Si shkojnë punët në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë?
Qazim Qeska: Në sferën e arsimit përkundër kërkesave tona kemi ngecur. Ministri i Arsimit na ka premtuar një shkollë edhe pse kërkesat tona janë më së paku për tri shkolla. Më të nevojshme për shkolla janë fshatrat Potoqan dhe Neshpallë, meqë nxënësit e tyre i vijojnë mësimet në një objekt që nuk i plotëson as për së afërmi kushtet higjienike-teknike e lerë më nevojat e tjerat. Por sidoqoftë do ta kemi një objekt. Sa i përket shëndetësisë ne e kemi qendrën e Mjekësisë familjare këtu në Rahovec me punktet në Ratkoc e Krushë, në Fortesë, Drenoc dhe në Qiflak. Sa i përket mbulimit me kuadro profesionale relativisht qëndrojmë mirë, kemi nevojë për mjek dhe nga komuna jonë mjekët janë të gatshëm, që të pranojnë detyrat por kemi kufizime buxhetore. Këtë drejtim do të bëjë diçka ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga ministri, Alush Gashi, me qëllim që të pranohen edhe 3-4 mjekë, të cilët janë të diplomuar dhe të certifikuar, kështu që Qendra e Mjekësisë familjare do të plotësohet me të gjitha. Në vitin e kaluar në Qendrën e Mjekësisë familjare.
Janë bërë investime shumë të mira në infrastrukturë, ne e kemi lëshuar në qarkullim një qendër emergjente me kushte shumë të mira, kemi tenderuar një automjet modern për të sëmurët nga dializa, meqë ne në komunën tonë kemi një numër të madh të pacientëve që e shfrytëzojnë dializën në Prizren, duke udhëtuar çdo të dytën ditë, por me kushtet që besoni nuk do të doja as edhe një ditë t’i kenë. Kam obligim që atyre t’iu krijoj kushte më të mira që dializën që e bëjnë në Prizren ta ndiejnë vetën sa më mirë. Do të isha shumë i lumtur që kur të sigurohet ky automjet të shërbejë ekskluzivisht vetëm për të sëmurët nga dializa. Fundi i fundit shëndetësia është aty si gjithë Kosova. Shpresoj që kuadrot që kemi këtu, specialistët e vjetër dhe të rinj të japin kontributin e vet në mundësitë, që ofron komuna jonë.
RKL: Cila është porosia për qytetarët e komunës Tuaj?
Qazim Qeska: Porosia ime është si gjithmonë, që qytetarët e komunës tonë janë njerëz të vyeshëm, janë njerëz që jetojnë dhe mbajnë familjet, vetëm nga puna dhe nga djersa e tyre, andaj porosia e ime është që ata të vazhdojnë me punën me nderin me mundësitë e tyre. Ju dëshiroj fat të gjithë qytetarëve të komunës dhe sukses në punën dhe rezultatet e tyre.
RKL: Faleminderit për kohën që na keni kushtuar
Qazim Qeska: Faleminderit edhe juve, dëshiroj që të jeni të pranishëm kurdoherë. Dera jonë do të jetë përherë e hapur për ju. Jeni me të vërtetë mediumi më i respektuar në Kosovë.