RKL: Zotëri ministër, cilat aktivitete i ka zhvilluar ministria të cilin ju e drejtoni për biznesin e vendit tonë?
Lutfi Zharku: Të gjitha aktivitetet që i ka zhvilluar vitin e kaluar dhe po i zhvillon MTI-ja natyrisht që janë në interes të biznesit dhe zhvillimit të ekonomisë së vendit tonë. Natyrisht do të ndalem tek disa nga më të rëndësishmet duke filluar që nga regjistrimi i bizneseve, krijimi i institucioneve, gjëra që për herë të parë janë themeluar në Kosovë, e që është dashur të themelohen sipas ligjeve dhe rregulloreve në Parlamentin e Kosovës në vitin 2004, por që nuk janë themeluar. Do të përmendja themelimin e zyrës në kuadër të Agjencionit për regjistrimin e biznesit, fillimi i projektit të Qendrave komunale të Biznesit në bashkëpunim me Bankën Botërore, bartja e shënimeve, azhurimi apo regjistrimi i menjëhershëm i biznesit, ju e dini se në kuadër të agjensionit për regjistrimin e biznesit ju mund ta regjistroni biznesin individual për dy apo tri orë. Pastaj krijimi i institucioneve, si themelimi i Komisionit kosovar të konkurrencës, themelimi i Këshillit të Akreditimit, themelimi i Këshillit Profesional për standardizim, themelimi i Këshillit për mbrojtjen e Konsumatorëve, që janë vetëm disa nga institucionet apo departamentet që do ta ndihmojnë rregullimin e tregut dhe kontrollin më të mirë të saj. Natyrisht, Inspektoratit dhe Departamentit i Metrologjisë (DMK) për shkak të problemeve dhe vështirësive që kemi në treg iu është dhënë një rëndësi e posaçme krejt me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit. Departamenti i Tregtisë e ka përfunduar vitin me një sukses shumë të madh, në hartimin e politikave tregtare të Kosovës. Që në javën e parë të këtij viti i është përcjellë të gjitha institucioneve relevante të Kosovës, ndërsa besojmë dhe e kemi në projekt se deri ka fundi i muajit mars të marrim sugjerimet apo rekomandimet e të gjitha palëve dhe ta mbajmë një tryezë të rrumbullakët dhe ta kemi si draft, si dokument qeveritar politikat tregtare të Kosovës për vitin 2009. Pra përmenda një pjesë të projekteve pa i përmend, edhe dy projektet më kapitale madhore, siç janë përfundimi i punëve në Parkun Industrial të Biznesit në Drenas dhe ndërtimi i Institutit të Metrologjisë që po ndërtohet në Prishtinë. Na besojmë se në pranverë të këtij viti do t’i kemi kontratat e para dhe vendosjen e bizneseve të para në Parkun Industrial të Drenasit, ndërsa Instituti i Metrologjisë do të jetë një Institut modern për kontrollin e tregut në përgjithësi dhe metrologjinë si lëmi në Kosovë.
RKL: A keni arritur që të përmbushni planin të cilin e keni paraparë që ta realizoni gjatë vitit të kaluar
Lutfi Zharku: Ne besojmë se kemi tejkaluar në shumicën e rasteve përveç kur flitet për këto dy projekte kapitale që i përmenda. Për shkak të kushteve objektive na kemi mbet pas në përfundimin e tyre, në Parkun e Biznesit të Drenasit kemi pasur një vonesë në përfundimin e fazës së dytë nga ana e ish kontraktuesit, kurse në rastin e Laboratorit Qendror të Metrologjisë, kemi hasur në disa pengesa juridike në lidhje me pronën ku po ndërtohet laboratori, kurse jam jashtëzakonisht i kënaqur me të arriturat në sferën e infrastrukturës ligjore, ku kemi përpiluar 22 udhëzime administrative, ndërsa tetë projekt ligje janë përcjellë në Parlament ku dy prej tyre nuk kanë qenë të parapara as në strategjinë legjislative por ne i kemi shtuar më vonë duke i parë nevojat e biznesit.
RKL: Tash së fundi nuk po respektohet marrëveshja e CEFTA-së nga disa shtete të rajonit. Çfarë hapa keni planifikuar të ndërmerrni, pasi që kjo po e dëmton biznesin e vendit tonë, sidomos prodhuesit?
Lutfi Zharku: Shikuar realisht, nga marrja e kompetencave, apo bartja e tyre nga Doganat e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës, natyrisht që Qeveria e Kosovës ka vazhduar me implementimin e logove të reja pra të vulave të reja të doganave të Kosovës, ndërsa që nga fillimi i dhjetorit, Doganat e Serbisë dhe ato të Bosnjës e Hercegovinës nuk i kanë njohur vulat tona. Nga autoritetet serbe kjo ka pasuar pa kurrfarë njoftimi paraprak, kështu që malli i dedikuar për transit dhe malli i dedikuar për në Serbi është kthyer prapa, kurse nga doganat e Bosnjës dhe Hercegovinës janë ngarkuar me tarifë të plot doganore mallrat tona.
RKL: Ju keni kërkuar sqarime lidhur me këto pengesa, të cilat paraqesin shkelje të dispozitave të përcaktuara me marrëveshjen e CEFTA-së, a keni marrë përgjigje nga organet relevante lidhur me kërkesat tuaja?
Lutfi Zharku: Ne jemi munduar ashtu siç e parasheh marrëveshje ashtu siç punojnë shtetet demokratike, që ta zgjidhim atë çështje në kuadër të marrëveshjes për tregti të lirë. Letra e fundit iu është dorëzuar autoriteteve serbe me 31 dhjetor nga doganat e Kosovës, që të shqyrtohet edhe një herë pozita e tyre që eventualisht të mënjanohen këto probleme teknike apo administrative të ndërlidhura me këtë rast, por ne nuk kemi marr asnjë përgjigje konkrete nga ata, prandaj edhe kemi kërkuar në javën e dytë të janarit mbledhjen për Konsultime urgjente të komitetit të CEFTA-së, si organi më i lart që administron dhe monitoron implementimin dhe respektimin e marrëveshjes, por megjithatë nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministri i Malit të Zi që është kryesuesi i CEFTA-së për vitin 2009, por ne besojmë se gjatë javës do zhvillojmë konsultime intensive, dhe do të njoftohemi gjithashtu se a do të mblidhet ky komitet apo jo kurse gjatë këtyre ditëve do të qëndrojmë edhe në Bruksel për të shqyrtuar edhe disa çështje tjera më rendësi për ne.
RKL: A duhet që edhe Kosova t’i praktikojë politikat e reciprocitetit me këto shtete dhe a mund ta përballojmë një veprim të tillë, kur dihet se vendi ynë është shumë i varur nga importi?
Lutfi Zharku: Kur flasim për raportet me Serbinë, ne në vitin 2007 kemi pasur një import nga Serbia në vlerë prej 220 milion euro, kurse në vitin 2008, importi i mallrave nga ky shtet ishte edhe më i vogël. Nuk ka absolutisht fare dilema që Kosova mundet ta përballoj një bllokadë eventuale, nëse aplikojmë masat e reciprocitetit. Pasojat ekonomike mund të jenë të pakta dhe shumë afat shkurta në çrregullim ndoshta me artikuj të ndryshëm ushqimor për disa javë, jo për më tepër, dhe besoj se koha e duhur që nga fillimi i dhjetorit e deri më sot ka qenë e kohë e mjaftueshme edhe për bizneset tona dhe për të gjithë të tjerët që të furnizohen me mall, që të gjejnë alternativa për furnizimin e kësaj, Personalisht mendoi se bizneset por edhe populli është i përgatitur për një masë të tillë.
RKL: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka aplikuar që Kosova të jetë anëtare edhe në shoqatën amerikane të Biznesit, e cila do të orientonte industrinë turistike të SHBA-ve që të zgjerojnë destinacionin turistik edhe në Republikën e Kosovës. Çfarë lehtësimesh shihni nëse Kosova bëhet anëtare e Shoqatës Amerikane të Biznesit?
Lutfi Zharku: Në realitet kemi të bëjmë me Shoqatën Amerikane të Turizmit jo të biznesit. Ne kemi hartuar strategjinë për zhvillimin e turizmit në Kosovë, dhe kemi paraqit kërkesë për anëtarësim në atë organizatë pas zhvillimit të një takimi në Kajro, ku morëm pjesë në Konferencën e organizuar nga Shoqata amerikane e Turizmit në kryeqytetin egjiptian, krejt kjo me qëllim thjeshtë të promovimit të turizmit kosovarë. Në bashkëpunim me këtë shoqatë jemi anëtar të plot pra të barabartë me të tjerët, dhe kemi planet tona që në vitin 2010, Shoqata Amerikane e Turizmit të organizoj një Konferencë Ballkanike në Kosovë.
RKL: Nga 90 mijë biznese të regjistruara në MTI, thuhet se vetëm 40 mijë prej tyre paguajnë në ATK, obligimet tatimore?
Lutfi Zharku: Do të sqaroja ndryshe. Sa i përket bizneseve, e para unë mendoj se ato biznese nuk janë ilegale, ato biznese janë të regjistruara konform ligjit mbi shoqëritë tregtare që ekziston në Kosovë.
Është çështje tjetër se një biznes harron, punon apo paguan tatim apo jo, atëherë çështjet ndërlidhen me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Procedurat për regjistrimin e bizneseve janë shumë të thjeshta por edhe më modernet në rajon, kështu që unë nuk i quaj biznese ilegale 50 mijë biznese, përkundrazi janë legale dhe të regjistruara , ligji nuk e ndalon regjistrimin e bizneseve, ne jemi të obliguar që t’i regjistrojmë ato biznese. Me ATK-në kemi një bashkëpunim mjaft të mirë, ndërsa është çështje e ATK-së përcjellja e mëtejshme e punës së tyre, vetëm dua të shtoi se regjistrimi i një biznesi nuk do të thotë se ai biznes afaron dhe duhet të paguaj tatim.
RKL: 23 mijë biznese kurrë nuk iu kanë përgjigjur kërkesës së MTI-së për një ri-regjistrim, pas marrjes së kompetencave nga UNMIK-u në vitin 2003. Ato edhe sot thuhet se operojnë me logo të UNMIK-ut pa u penguar nga askush?
Lutfi Zharku: Është e vërtet se 23 mijë biznese nuk ju kanë përgjigj ligjit për ri-regjistrim në vitin 2003 ashtu siç e cekët edhe ju në përputhje me bartjen e kompetencave. Megjithatë bizneset e tilla në momentin kur kontrollohen nga ATK-ja ato obligohen që të ri-regjistrohen për këtë arsye ne kemi pasur vitin e kaluar një shpallje publike që të gjitha bizneset e pa ri-regjistruara ta bëjnë një gjë të tillë.
Kemi bërë edhe një hap më tutje. Javën e kaluar unë kam marrë një vendim për heqjen e ndëshkimit në vlerë prej 120 euro për të gjitha ato biznese të pa ri-regjistruara, përndryshe dihet se një kompani për regjistrim paguan vetëm 7 euro shpenzime dhe askush nuk do ta ri-regjistroj biznesin me 120 euro dënim.
Kështu që kemi menduar ta pastrojmë listën. Sivjet, kemi marrë këtë hap po ashtu në përputhshmëri me ligjin mbi shoqëritë tregtare i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2008 i nënshkruar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Kosovë, ligj i cili është aprovuar edhe nga Parlamenti i Kosovës, duhet t’i dorëzojmë raportet në agjencinë për regjistrimin e bizneseve, dhe konform tyre ne do të përpilojmë listën dhe do të bashkëpunojmë me Administratën Tatimore të Kosovës dhe besojmë se këtë vit do ta pastrojmë atë listë nga bizneset jo-ilegale siç po i quajnë, por nga bizneset që nuk janë duke zhvilluar afarizëm.
RKL: Cilat janë prioritetet e ministrisë të cilën Ju e drejtoni?
Lutfi Zharku: E përmenda edhe më herët ndër prioritet kyçe do të jenë funksionalizimi apo profesionalizimi i Parkut Industrial të Drenasit dhe fillimi i punëve në Zonën Industriale të Drenasit, dhe normalisht projekti tjetër laboratori qendror i Metrologjisë lokale, kurse në aspektet e industrisë do të punojmë sivjet në përpilimin e strategjisë për industrinë në Kosovë, në anën tjetër në bashkëpunim me Bankën Botërore, po ashtu do të fillojmë projektet për strategjinë për promovimin e investimeve. Departamenti i Metrologjisë dhe në përgjithësi inspektorati apo mbikëqyrësit e tregut do t’i jepet një rëndësi jashtëzakonisht e madhe, ku si prioritet është mbrojtja e konsumatorit. Po ashtu dihet se ka kaluar edhe ligji mbi tregtinë me naftë, i cili do të aplikohet në tërësi, kemi plane shumë ambicioze dhe besoj se do t’i realizojmë në tërësi ashtu siç ishim produktiv dhe efektiv në vitin që lamë pas.