Inaugurohen punimet për asfaltimin e rrugës Hani i Elezit – Gorancë – Glloboçicë  

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, inauguruan fillimin e punimeve për asfaltimin e rrugës Hani i Elezit – Gorancë – Glloboçicë.

Ministri Zharku theksoi se ky projekt është vazhdim i shumë projekteve nëpër të gjitha komunat e Kosovës në të cilat po investohet dhe që po realizohen nga Ministria e Infrastrukturës.

“Unë kam një kënaqësi të veçantë që jam në Gorancë të Hanit të Elezit. Sot po përurojmë vazhdimin e punimeve të rrugës Gorancë-Glloboçicë. Kjo është një kërkesë e kahmotshme e qytetarëve të kësaj ane, të Komunës së Hanit të Elezit dhe Komunës së Kaçanikut. Kjo rrugë, përpos aspektit strategjik, bën lidhjen edhe të dy pikave kufitare, e po ashtu lidh magjistralen Prishtinë-Hani i Elezit, kurse në anën tjetër e lidh rrugën Prishtinë-Tetovë me pikën kufitare në Glloboqicë. Ky projekt, që është i një rëndësie jetësore për të gjithë banorët e kësaj ane, shkurton rrugën për Hanin e Elezit në gjatësi mbi 30 kilometra dhe anasjelltas. Me insistimin e dy kryetarëve dhe me identifikimin e nevojave të banorëve të kësaj ane nga Qeveria, kemi vendosur të investojmë në këtë pjesë një shumë të konsiderueshme prej rreth 800 mijë eurosh. I përgëzoj të gjithë banorët dhe i uroj për këtë rrugë”, theksoi ministri Zharku.

Ndërsa kryetari Suma falënderoi ministrin Zharku për përkrahjen e vazhdueshme për këtë zonë kufitare.

“Në emër të Komunës dhe të banorëve të Gorancës e falënderojmë ministrin Zharku që ka gjetur kohë të bëjë përurimin e fillimit të punimeve të kësaj rruge dhe për  përkrahjen e këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm për komunën e Hanit të Elezit, që është një ndër projektet prioritare për vitin 2016. Është një projekt që po realizohet në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit me komunën e Kaçanikut që ta realizojmë atë bashkërisht, për shkak se lidh dy komunat, lidh dy fshatrat dhe njëkohësisht dy pikat kufitare, që është në interes edhe të shtetit të Kosovës”, theksoi kryetari Suma.

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, falënderoi ministrin Zharku për investimet e bëra në Kaçanik dhe Han të Elezit.

“E falënderojmë ministrin Zharku për mbështetjen e vazhdueshme për komunat e Kaçanikut dhe Hanit të Elezit e në veçanti për këtë projekt madhor. Ky projekt i një rëndësie strategjike do të lehtësojë udhëtimin e banorëve të kësaj ane gjatë sezonit dimëror. I uroj të gjithë qytetarët e kësaj ane për këtë projekt madhor”, theksoi kryetari Ilazi.

Ky projekt i financuar nga Ministria e Infrastrukturës ka një gjatësi prej 5.28 kilometrash.

Investimet e kësaj Ministrie nëpër të gjitha komunat e Kosovës po përmirësojnë kualitetin dhe mirëqenien e qytetarëve të këtyre anëve.

Me rastin e qëndrimit në këtë zonë, ministri Zharku bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve për nder të Ditës së Dëshmorëve të komunës së Hanit të Elezit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …