Adil Fetahu: Një pako e vlefshme

Adil Fetahu: Një pako e vlefshme

Pakot që i dërgohen dikujt mund të kenë përmbajtje të ndryshme, varësisht nga nevoja dhe destinimi. Ato që iu dërgoheshin dikur ushtarëve shqiptarë në Armatën Popullore të Jugosllavisë, përmbanin ushqime, pemë, letra, fotografi a ndonjë dhuratë tjetër të vogël. Kur ishte koha e lirimit nga shërbimi ushtarak, u dërgohej pako me rroba civile që, varësisht nga mundësitë materiale të shtëpisë së ushtarit, ose bliheshin komplet rroba e këpucë të reja, prej çorapëve e deri te palltoja e dimrit, ose i dërgoheshin rrobat që i kishte lënë, të lara me lot, sepse nuk ishte i sigurt se do të kthehej i gjallë, që shumë sish edhe nuk janë kthyer gjallë. Pakot e dërguara shqiptarëve të burgosur, nëpër burgjet e Serbisë dhe ish-Jugosllavisë, të shumtën e rasteve përmbanin ushqime, por shpeshherë edhe rroba, çorapë, triko etj, që sadopak të mbanin shëndetin me ushqimet apo të mbroheshin nga të ftohtit. Në mesin e asaj përmbajtje mund të fshihej edhe ndonjë letër a fotografi, por rrallë ka ndodhë të arrijë në dorën e të burgosurit, sepse kalonte nëpër sa duar të kriminelëve të cilët i kontrollonin, hallakatnin e bënin rrëmujë. Ka  ndodhur që pakoja e dërguar ushtarit ose të burgosurit, të jetë këthyer pas sa kohe, me qenë se personi të cilit i ishte destinuara – “kishte vdekur”, “kishte bërë vetëvrarsje” me plumb nga shpina!

E zgjata me këtë  “tregim” për pakot, por me këtë “hyrje”, dua të dal te një pako e vlefshme që mora sot, pa qenë as ushtar, as i burgosur (nëse mund të thuhet kështu, pasi Evropa më ka burgosur e nuk me le të luajë vendi pa vizë!), por si qytetar i lirë, apolitik dhe apartiak, mora një pako shumë të dashur e të vlefshme, nga një mik imi i çmuar, me të cilin jam njohur në baza kulturore e tashmë jemi bërë miq, duke i lexuar shkrimet dhe librat e tij, pa e parë kurrë dhe pa e njohur më përpara.

Fjalën e kam për një pako prej gjashtë librash, që i kishte mbështjellë me kujdes e pedanteri dhe adresuar në adresën time, shkrimtari i mirënjohur tropojan (i Grisë), Zeqir Lushaj, i cili sa është tropojan, është edhe tiranas, është edhe shqiptaro-amerikan, e qe disa vjet është – shëngjinas.

Pas njohjes përmes shkrimeve (veçmas atyre të botuara në “Zemra shqiptare”, ku Zeqiri ishte redaktor I përgjithshëm dhe autor i shumë shkrimeve e reportazheve të botuara, vitin e kaluar (2015) dhe sivjet (2016) u takuam në Shëngjin, në ambientet e Hotelit “Fredi”. Në takimin e parë (2015), Zeqiri më dhuroi katër libra: 1) “Dyqani i mendjes” (shkrime publicistike); 2) “Fjala mbi tel” (tekste këngësh popullore), 3) “Pengjet” (Vjershërime), dhe 4) “Lisi i shkruar” (vjersha). Të gjitha i lexova me shumë kënaqësi, ndërsa për të parin, jo vetëm se e botova një vështrim, por kudo që ra rasti me shokë e dashamirë të librit, e kam përfolë në kuptimin më të mirë, sa ua kam shtua kurreshtjen për ta lexuar librin vet.

Në takimin e sivjetëm (2016) me Zeqon, në Shëngjin, më tregoi se është duke punuar intensivisht në punët përfundimtare të botimit të 6 (gjashtë) librave të reja, për të cilat më premtoi se së shpejti do t’i kem dhuratë prej tij. Duke e njohur Zeqon, si burrë malësie, nga ata burra të fismë të rrethit të Tropojës, nuk kisha fije dyshimi se premtimi do bëhej realitet. Zeqiri, sapo i ka marrë librat nga shtypshkronja, ashtu “të nxehta” i kishte paketuar në disa pako, për disa nga shokët e tij të shumtë. Për shokët në Kosovë, me pako “e kishte ngarkuar”, mikun (“nipçen”) e tij, shkrimtarin Tahir Bezhanin, nga Gjakova.

Me qenë se me Tahirin nuk jemi njohur më parë, Zeqiri ia kishte dhënë numrin e telefonit tim, që të vëmë lidhje të komunikimit. Dhe Tahir Bezhani, si “nipçe” e shok i Zeqirit, menjëherë më njoftoi se pakoja e librave është te Ai, porse për shkak të vapës së madhe dhe gjendjes sonë shëndetësore, nuk mundëm të takohemi menjëherë.

Sot (më 29 gusht), në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u takuam me zotëri Tahirin dhe duke kryer amanetin që ia kishte dhënë “Daja” Zeqir, ma dorëzoi pakon me gjashtë librat e rinj të Zeqir Lushajt, të sapobotuara: 1) e “Zbehje e heroizmit” (shkrime publicistike), 2) “Sportit i mbeta borxh” (shkrime publicistike), 3) “Rrokada” politike (108 vjershërime tranzicioni), 4) “Piedestali” (vjersha), 5) “Si n’kurbet, bre vëlla!” (100 vjersha – ditar mërgimi), dhe 6) “Duhama e Valbonës” (vjersha), të gjitha të botuara në korrik të këtij viti.

Po, Tahir Bezhani, më dhuroi edhe gjashtë libra të tij autoriale: 1) “Frymëzim në errësirë” (poezi, 2008), 2) “Piskamë e heshtur” (poezi, 2010), 3) “Leximi i shkrumit” (poezi), 4) “Lojë hijesh” (poezi, 2014), 5) “Vrapimi pas së bukurës” (vështrime, reçensione dhe mbresa leximi, 2015), dhe 6) “Monologu i ashtit” (poezi, 2016).

Mikut të mirë, siç është Zeqir Lushaj, ia sheh hajrin çdoherë e në çdo aspekt. Kështu, përveç njohjes personale me te dhe me krijimtarinë e tij letrare-publicistike, nëpërmes Tij u njoha edhe me një mik të çmueshëm, me shkrimtarin Tahir Bezhani, me të cilin llafosëm më se dy orë në “Parkun e Radio-Kosovës”, me rastin e dorëzim-marrjes së librave. U njohëm më përafër me njeni-tjetrin, “e morem përgojë” Zeqir Lushajn, tashmë si shok i përbashkët yni, dhe Tahiri më tregoi edhe shumë hollësi tjera nga jeta e tij, por edhe nga raportet me “Dajen Zeqir”. Tahiri më la përshtypje jashtëzakonisht të mira, të një intelektuali të mirëfillt, me një horizont të gjërë, e veçmas për modestinë dhe thjeshtësinë e komunikimit, sikur të ishim miq prej shumë kohësh. Dhe natyrisht, një “mik për kokë” i Zeqir Lushajt, s’ka si të jetë ndryshe. Në ndarje, veç urimeve e përshëndetjeve tjera reciproke, shprehëm dëshirën që të takohemi përsëri, kështu në atmosferë relaksuese, kur mund të bisedojmë edhe për librat e këmbyera, po edhe për tema tjera.

Për librat këtë  herë nuk mund të them asgjë, përveç se mund të them se, nëse më premton jeta dhe shëndeti, do i lexoj të gjitha. Pasi t’i lexoj, nëse “ma mbanë”, mund ta them ndonjë fjalë, jo në vesh, por publikisht, për përshtypjet e mija për librin e caktuar, pa pretendim të bëj kritikë letrare apo vlerësim kushtedi çfare, sepse nuk jam kritik letrar, as shkrimtar, por dashamir dhe lexues i pasionuar edhe i prozës edhe i poezisë.

Shkrimtarët, tashmë miqtë e mi të nderuar,  z.Zeqir Lushajn dhe z.Tahir Bezhanin, përzemërsisht i falënderoj për librat e dhuruara dhe për miqësinë që kanë treguar ndaj meje, miqësi kjo e përjetshme dhe pa interes material as politik. Njëkohësisht, iu uroj jetë dhe shëndet fizik e mendor, që të botojnë edhe shumë libra tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …