Partia e krimit të organizuar dhe keqpërdorimeve të të gjitha llojeve, PDK, paska reaguar në lidhje me arrestimin e sotëm të 6 aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke marrë rolin e prokurorisë e gjykatave, rol në të cilin tash e sa kohë e ka angazhuar RTK-në dhe gjitha institucionet e kapura propagandistike.
Partia e udhëhequr nga klani Pronto, me shumicën e zyrtarëve të korruptuar e nën hetime, pa fije turpi paska kërkuar unifikim të spektrit politik dhe partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Derisa përgjimet e publikuara tregojnë shumë mirë se si e trajtojnë opozitën e si tallen me ndërkombëtarët këta kriminelë që kanë degraduar çdo element të shtetit.
E si e shohin këta banditë funksionimin e demokracisë tregon më së miri njëri nga episodet e përgjimeve, Adem Grabovci merr urdhëra nga Kadri Veseli, dhe i thotë se “ti i merr vendimet unë i zbatoj”. Kjo është “demokracia” e banditëve të klanit Pronto, të cilën e kanë mbjellur në çdo institucion që e kanë kapur.
Banditët e klanit Pronto paskan mbështetur punën e organeve të rendit, sigurisë e drejtësisë në sajimin që i kanë bërë rastit ku u arrestuan aktivistët tanë, organe këto, që në krye të tyre janë zgjedhur njerëz me telefonatat e tyre, njerëz këta që të vetmen punë e kanë shërbimin ndaj klanit Pronto.
Grupi kriminal i udhëhequr nga njeriu i nëntokës, Kadri Veseli, nuk mund të flasë për ligjin, kur dihet se që nga viti 2007, ky grupim kriminal është mbi ligjin. Ndërsa, në vend të broçkullave për destabilizim të vendit, këta tregtarë të shtetit tonë duhet të heqin dorë nga falja e tokave të Kosovës dhe copëtimi i saj.
Petku fals institucional i tyre nuk ua fsheh veprimet e tyre kriminale e antikombëtare, të cilat cenojnë shtetësinë e Kosovës, e kanë zhytur vendin në mjerim dhe janë kërcënim për të ardhmen e këtij vendi. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të frikësohet asnjëherë nga sulmet e këtij pushteti, dhe do të luftojë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës nga këta kriminelë.