Ministrja Tahiri uron qytetarët e Mitrovicës për fillimin e zhbllokimit të urës kryesore mbi Ibër

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka vizituar për herë të parë që kur ka filluar rivitalizimi i urës kryesore mbi lumin Ibër, qytetin e Mitrovicës.

Ajo  fillimisht është pritur nga kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, në kabinetin e tij dhe më pas kanë vizituar urën kryesore ku po vazhdojnë punimet për rivitalizimin e saj dhe kanë vizituar edhe pjesën veriore të qytetit, ku janë takuar me qytetarë shqiptarë dhe kanë pirë kafe në objektin hotelier “Dolçevita”, duke zgjuar kështu kureshtjen e qytetarëve të shumtë serbë që ishin aty.

Ministrja Tahiri i tha kryetarit Bahtiri se qëllimi i vizitës  në Mitrovicë, është që të përgëzoj qytetarët e Mitrovicës për fillimin e punëve për rivitalizimin e urës dhe të shpreh mirënjohje dhe falënderimet e saj për punën e madhe dhe me përkushtim që ka bërë kryetari Bahtiri për të ardhur deri tek ky moment.

“Qytetarët e Mitrovicës kanë kontribuar shumë me sjelljet dhe maturinë e tyre për të filluar punimet për rivitalizimin e urës dhe hapjen e saj për lëvizje të lirë në të dyja drejtimet. Kjo ishte në ëndërr e tyre që do të bëhet realitet posa të përfundojnë punimet. Kështu, do të fillojnë të realizohen edhe proceset integruese në qytetin e Mitrovicës”, tha ajo.

Ministrja Tahiri në vazhdim tha se pa angazhimin dhe punën e madhe që ka bërë kryetari i komunës, Agim Bahtiri, vështirë se do të fillonte rivitalizimi i urës dhe hapja e saj për lëvizje të lirë.

Sipas saj, kryetari Bahtiri, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për  të ardhur këtu ku jemi sot sa i përket hapjes së urës.

“Bahtiri  është treguar kryetar shumë i përgjegjshëm dhe i përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me qytetarët e Mitrovicës, për të mbajtur rendin dhe qetësinë në nivelin e kërkuar. Po ashtu, edhe në bisedimet në Bruksel, ka qenë shumë i angazhuar dhe i përkushtuar për të bërë zgjidhjen e duhur për heqjen e barrikadës mbi urë dhe për lëshimin e saj për qarkullim e lëvizje të lirë. Ky angazhim i kryetarit Bahtiri ka ndihmuar shumë edhe ekipin negociua dhe kemi arritur marrëveshjen e cila tashmë siç po shihet ka filluar të realizohet”, ka thënë ministrja Tahiri.

Në vazhdim ministrja Tahiri falënderoj Bashkimin Evropian, SHBA-të, vendet anëtare të BE-së për angazhimin maksimal për zbatimin e kësaj marrëveshje në funksion të normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja shteteve,  si dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit në Mitrovicë, Kosovë dhe  rajon.

Po ashtu, ministrja Tahiri duke u përgjigjur interesimit të një qytetari të veriut, tha se pas lëshimit për lëvizje e qarkullim të lirë të urës kryesore mbi Ibër, do të filloj ndërtimi I xhamisë në vendin ku ka qenë.

“Në Bruksel kemi biseduar edhe për këtë çështje. Hapësira ku ka qenë xhamia do të ruhet e tëra she ajo do të filloj së ndërtuari shumë shpejt”, tha ajo.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi falënderoj ministren Tahiri për mbështetjen e pa rezervë që i ka dhënë ati, Mitrovicës  dhe qytetarëve të saj, me vizitat e shpeshta që i ka bërë dhe në bisedimet e drejtpërdrejta në Bruksel, tha se largimi i barrikadës dhe fillimi i rivitalizimit të urës, është një sukses i përbashkët i të gjithëve, por para së gjithash i qytetarëve të komunës, policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, e pastaj i ekipit negociues, Qeverisë së Kosovës dhe natyrisht edhe i ndërkombëtarëve.

“Siç po shihni, punimet janë filluar në tërë urën, pra edhe në cepin verior. Kjo do të thotë se kanë dështuar të gjithë ata që thoshin se këtu do të jetë kufiri midis shqiptarëve dhe serbëve. Ura do të kryej misionin e vet që ka. Do t’i lidh njerëzit  e të gjitha përkatësive etnike dhe do të mundësoj proceset integruese në qytet. Unë i falënderoj shume dhe njëherë qytetarët e të dyja pjesëve të qytetit, pra shqiptarët, serbët, malazezët, boshnjakët, turqit e të tjerët që kanë kontribuar në këtë drejtim”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …