Arben Shaban Salihaj (1978 - 29.8.1998)

Arben Shaban Salihaj (1978 – 29.8.1998)

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër sundimit barbar serb, siç kishte heroizmin dhe krenarinë e vet, po ashtu kishte edhe dhembjen e saj. Në këtë luftë, jo pak familje shqiptare në Kosovë humbën shumë anëtarë të tyre, e madje edhe u shuan fare. Familja e Isë Salihaj nga fshati Shushicë e Poshtme i Burimit, në luftën çlirimtare sakrifikoi tetë anëtarë të saj: burra e gra, pleq e të rinj. Në altarin e lirisë, më 29 gusht të vitit 1998 bie edhe nipi i plakut dëshmor Isë Salihaj dhe biri i dëshmorit Shaban Isë Salihaj, Arbeni.
Arben Salihaj ka lindur në vitin 1978. Prindërit e tij, Shabani e Fatimja, kishin rritur katër fëmijët e tyre: Hysenin, Xhevahiren, Arbenin dhe Hysniun. Përveç Xhevahires, e cila ishte bijë e martuar, kjo familje e ngushtë, bëhet e tëra theror lirie. Bien më 29 gusht 1998 në një betejë rrethimi: Shabani, Fatimja, Hyseni, Arbeni dhe Hysniu.
Dëshmori Arben Salihaj ishte fëmija i tretë i prindërve. Kryen në Rakosh shkollën fillore, por nuk e vazhdon shkollimin e mesëm. Ai i takoi një gjenerate të të rinjve shqiptarë e cila përjetoi dhunën, shtypjen dhe nënçmimin më çnjerëzor të pushtuesit serb. Kësaj gjenerate i ishte mohuar edhe e drejta më elementare e botës së qytetëruar, siç ishte ajo e shkollimit dhe e gjuhës amtare. Si pasojë e këtyre rrethanave, edhe Arbeni nuk pati mundësinë të vijonte shkollën e mesme, e cila në vitet ’90 të shekullit të kaluar ishte mohuar dhe hedhur jashtë ligjit. Këto rrethana, pa dyshim lanë mbresa të hidhura te i riu Arben Salihaj.
Pas përfundimit të shkollës fillore, Arbeni angazhohet në punët e ndryshme të familjes. Ai bën punë të rëndomta fushe e bujqësie, por njëkohësisht në familje merr edhe frymëzimin kombëtar. Rrëfimet e të gjyshit, Isës, për të kaluarën kombëtare, e sidomos raportet e acaruara të familjes me pushtetin dhe policinë serbe gjatë atyre viteve, bëjnë që Arbeni të kuptojë më mirë thelbin e robërisë së Kosovës nën Serbi.
Meqenëse i ati i Arbenit, Shabani, ushqente një urrejtje të papërmbajtur ndaj pushstuesit serb, por edhe vepronte kundër tij, këtë aktivitet e kishte vërejtur edhe ai. Kur pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimit të luftës për çlirim në zonën e Drenicës, Shabani ngarkohet me detyra të caktuara për të bërë organizimin e celulave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat e trevës verilindore të komunës së Burimit e cila kufizohet me zonën e Drenicës, Arbeni, sikurse xhaxhallarët e tij, Milaimi, Abedini, e Sefedini, por edhe vëllezërit, Hyseni e Hysniu, bëhet mbështetja e tij, i gatshëm për të kryer çdo detyrë dhe urdhër në dobi të atdheut. Ai, po ashtu, ishte në kontakt edhe me djemtë e hallës, Jahirin, Rrahimin e sidomos me Nazmi Gashin (dëshmor) nga Vojniku i Skënderajt, të cilët ishin pjesëtarë të UÇK-së.
Në fund të pranverës e në fillim të verës së vitit 1998, edhe Arbeni rreshtohet në radhët e kësaj ushtrie, ku bashkë edhe me të atin, Shabanin, xhaxhallarët Milaimin (dëshmor), Abedinin (dëshmor) e Sefedinin, por edhe me vëllezërit Hysenin (dëshmor) dhe Hysniun (dëshmor), angazhohet në detyra vëzhgimi të terrenit e të bartjes dhe furnizimit me armatim, pasi shtëpia e familjes së tij ishte bërë një pikë përqendrimi për armatimin që bartej nga Shqipëria, i destinuar për zonën e Drenicës.
Meqenëse shtëpia e familjes së Hysenit ishte bërë çerdhe e UÇK-së, kurse aktiviteti luftarak i burrave të kësaj familjeje kishte rënë në sy të forcave serbe, ato bëjnë planin për rrethimin e saj dhe sulmin mbi të. Prandaj në mëngjesin e datës 29 gusht të vitit 1998, shtëpia e rrethuar me shumë rrathë militarësh e paramilitarësh serbë të armatosur deri në dhëmbë gjatë natës, u sulmua nga të gjitha drejtimet. Nën rrethim u gjend edhe dëshmori Arben Salihaj. Në betejën e pabarabartë disaorëshe, në këtë shkëmbim zjarri bie dëshmori Arben Salihaj. Në këtë rrethim, në pavdekësi hyjnë edhe gjyshi i tij, Isa; babai Shabani; xhaxhallarët Milaimi e Abedini; vëllezërit Hyseni e Hysniu, si dhe djali i hallës Nazmi Gashi nga Vojniku. Bie edhe e ëma, Fatimja.
Të nesërmen, trupi i Arbenit dhe të rënët e tjerë të familjes Salihaj u varrosën në tokën e tyre, afër shtëpisë ku kishin rënë nën rrethim. Përkrah tyre u varros edhe trupi i dëshmorit Nazmi Gashi. Për respekt të sakrificës së treguar dhe në shenjë kujtimi për të rënët, afër rrugës së asfaltuar Mitrovicë-Pejë, te vendi ku ndahet rruga për në Shushicë të Poshtme, është ngritur përmendorja e lavdisë së tyre. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …