Intervistë me ministrin e MBPZHR-së, Idriz Vehapi

Përshëndetje për Ju z. ministër dhe mirë se vini në Radion Kosova e Lirë

RKL: Z. Vehapi, cilat janë rezultatet dhe të arriturat e MBPZHR-së gjatë këtij viti?

Idriz Vehapi: Unë mendoj se viti 2009 ka qenë një prej viteve më të  suksesshme në sektorin e bujqësisë, aty sigurisht ka ndikuar edhe rritja e buxhetit për Ministrinë e Bujqësisë, e cila krahasuar me vitin 2008, gati ka qenë dyfish më e lartë dhe ajo që ka ndikuar më së shumti në sukseset tona, përveç investimeve që janë bërë për projekte kapitale, këtu do të veçoja se për herë të parë sektori i bujqësisë është subvencionuar nga shteti me para në mënyrë direkte. Për këtë vit kemi pasur 5 milion e 200 mijë euro të cilat i kemi ndarë si subvencione dhe si shpërblime, dhe mund të them se përfitues janë rreth 15 mijë fermerë të Republikës së Kosovës. Vlera e shpërblimeve është sjellë varësisht prej projekteve që janë paraqitur në ministrinë tonë.

 RKL: Po vështirësitë që ju kanë përcjellë gjatë vitit që po e lëmë pas?

Idriz Vehapi: Ne jemi shtet në krijim e sipër, probleme ka pasur sa i përket anës teknike, të realizimit të projekteve, dhe për këtë unë do të thoja që ka nevojë ende të punohet në organizimin e stafit, brenda ministrisë në mënyrë që të dihen detyrat konkrete për secilin shërbyes në ministri. Në këtë vit ne kemi themeluar disa komitete për menaxhimin e granteve për të cilat vitet e kaluara nuk kanë ekzistuar. ngase në vitet e kaluara nuk është subvencionuar Bujqësia. Është filluar në vitin 2008 por ky vit ka shënuar përparime te dukshme. Ne kemi punuar në dy drejtime në organizimin e mekanizmave për orientimin e këtyre granteve, njëkohësisht edhe me punën në teren e cila ka qenë mjaftë e mundimshme.

RKL: Cilave projekte  do tu jepni përparësi gjatë vitit 2010?

Idriz Vehapi: Do të vazhdojnë të realizohen projektet që kanë qenë edhe në vitin 2009, do të vazhdojmë me subvencionim dhe grante për sektorë të ndryshëm të bujqësisë, duke filluar nga Hortikultura, pastaj në sektorin e Blegtorisë, do të vazhdojmë edhe në vitin tjetër për të përkrahur sidomos mbjelljet e grurit që ka qenë një fillim  do të thoja për historinë e re të Kosovës, që ka filluar për herë të parë në vitin 2009, për herë të parë janë përkrahur mbjelljet vjeshtore. Kjo do të vazhdojë edhe në vitin 2010, dhe gjithashtu do të vazhdojmë edhe me projekte kapitale sikur janë: rehabilitimi dhe sistemi i ujitjes, ripyllëzimi i sipërfaqeve të zhveshura në  sektorin e pylltarisë, pastaj do të vazhdojmë të përkrahim edhe sektorin e Agropërpunimit ngase ne i japim një rëndësi të veçantë. Për këtë kemi kërkuar ndihmë edhe nga donatorët e jashtëm, dhe për vitet 2010 dhe 2011 nga Komisioni Evropian mendoj se do të jepen si grante 5 milion euro për projekte të cilat janë në sektorin e Agropërpunimit, një sektor i një rëndësie të veçantë për bujqësinë, për përpunimin dhe agroprocesimin e produkteve bujqësore.

RKL: So do ta realizoni këtë shtrirje të pyllëzimit dhe a i keni caktuar rajonet e komunave  ku do të bëhet pyllëzimi

Idriz Vehapi: Ne në vitin 2008 kemi pyllëzuar rreth 400 hektarë, ndërkaq në vitin që po e lëmë pas kemi pyllëzuar  800 hektar tokë në të gjitha komunat. Ky ka qenë projekti një banorë një fidan dhe është finalizuar me sukses. Me këtë projekt do të vazhdohet edhe në vitin 2010. Për këtë kemi një fidanishte në Institutin e Pylltarisë në Pejë ku bëjmë kultivimin e fidanëve dhe po mendojmë të rrisim kapacitetet. Për këtë qëllim dhe kemi kërkuar ndihmë nga Turqia, me qëllim  që t’ i rrisim sipërfaqet e serrave dhe ta rrisim mundësinë që të prodhojmë edhe më shumë fidanë, do të thotë nga 1 milionë sa janë aktualisht të arrijmë në 2  milionë e edhe më shumë dhe mundësisht të krijojmë edhe fidanishte eksperimentale, për pemët siç janë mollët, dhe për këtë kemi një bashkëpunim me shtetin turk dhe me vende të tjera dhe po mendojmë që në të ardhmen t’i rrisim kapacitetet dhe të përkrahim edhe sektorin e pemëtarisë. Siç e dini ne këtë vit kemi ngritur rreth 108 hektarë me vreshta, por për vitin 2010  kemi menduar të përkrahim edhe pemëtarinë, pastaj do të përkrahim edhe sektorin e shpezëtarisë, dhe gradualisht të zgjerojmë gamën e sektorëve që i përkasin Bujqësisë, por gjithmonë duke pasur parasysh edhe mundësinë e rritjes së buxhetit për këtë ministri. Besoj se përkrahjen e kemi nga kryeministri e neve na mbetet që të punojmë.

RKL: Si qëndron bashkëpunimi me komunat në këtë fushë?

Idriz Vehapi: Me komunat kemi pasur një bashkëpunim  mjaftë të mirë. Këtë vit kemi nënshkruar memorandumet e  bashkëpunimit për mbjelljet vjeshtore, ku një pjesë të punës dhe përgjegjësive  për verifikimin e sipërfaqeve tokësore e kanë marrë komunat ndërkaq një pjesë  edhe ne po ashtu si  ministri ngase ne kemi shpërndarë grantet, por kryesisht bashkëpunimi ka qenë i mirë.

RKL: Cila  është porosia e juaj për stafin me të cilin punoni e cila për qytetarët ?

Idriz Vehapi: Porosia ime për stafin është se ne duhet të punojmë më shumë, meqë  jemi të thirrur për të punuar edhe si staf politik edhe si staf civil. Secili duhet ti kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e veta, ngase e kemi për obligim. Nndërkaq porosia e ime për fermerët e Kosovës është që të vazhdojnë të punojnë, ngase shteti ka filluar dhe do të vazhdojë ti përkrahë ata. Dhe për fund shfrytëzoj rastin t’i uroj dhe t’i përgëzoj për festat e fundvitit, duke ju dëshiruar suksese në punën e tyre të përditshme.

RKL: Z. ministër, faleminderit dhe urime festat e fundvitit  

Idriz Vehapi: Radios Kosova e Lirë dhe stafit tuaj posaçërisht ju uroj dhe ju përgëzoj çdo të mirë. Për shumë vite suksese në punën tuaj të mëtutjeshme.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …