RKL: Intervistë me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati

RKL: Zotëri Kastrati jeni zgjedhur kryetar i Mitrovicës me mandat katër vjeçar, cilat ishin arsyet që ju shtyn të merrni vendim për të qeverisur në qytetin e  Mitrovicës?

Avni Kastrati: Para se gjithash jam një qytetar i vjetër, unë kam bashkëjetuar me të gjitha problemet e qytetit të Mitrovicës, kam qenë paraprakisht shumë i bindur se ato probleme i njoh, dhe nga ana tjetër ka qenë përkrahja e të gjithë atyre që ia kanë dashur të mirën Mitrovicës, për të më përkrahur që në zgjedhje të dal si fitues në raundin e parë dhe të dytë. Kjo është një situatë që mund të shpjegohet edhe me disa situata shumë specifike që i ka Mitrovica. Aktualisht e dimë në çfarë gjendje është dhe pikërisht për shkak të asaj më është dhënë besimi që t’i prij qytetarit të Mitrovicës, në mënyrë që të zgjedhim problemet e ndryshme që e rëndojnë qytetarin e Mitrovicës e që fatmirësisht qytetet e tjera të Kosovës nuk e kanë këtë problem.

RKL: Kryetar cila është gjendja e sigurisë në komunën tuaj?

Kastrati: Aktualisht  është një situatë stabile, por jo e mirë. Gjashtë shtatë muajt e fundit nuk kemi ekcese shumë të mëdha, ne vazhdojmë të punojmë në punët tona me kthimin e qytetarëve në pjesën veriore të qytetit, posaçërisht në lagjet sikur është Kroi i Vitakut, lagja e Doktorëve, lagja e Boshnjakëve,dhe në Suhodoll. është mirë që probleme të mëdha nuk ka dhe jemi duke i bërë përgatitjet e fundit që projektet që kanë filluar vitin e kaluar që të hyjnë qytetarët në shtëpi  janë që të gjitha në fazën përfundimtare, dhe nga ana tjetër përgatitjet për sezonin pranveror t’ia fillojnë me aktivitete të tjera në meremetimin e shtëpive tjera që fatkeqësisht janë një numër mjaft i madh në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

 RKL: Gjatë fushatës zgjedhore ndër të tjera keni përmendur një plan 6 pikësh, cila është përmbajtja e saj?

Avni Kastrati: Po, një prej pikave thelbësore është përmirësimi i gjendjes ekonomike të qytetarëve që ndërlidhet edhe me pikat tjera. Ne jemi duke punuar shumë seriozisht në një drejtim që për Mitrovicë të organizohet një zonë e lirë ekonomike, zonë e cila do të mundësoj punësimin e zhvillimin e qytetit të Mitrovicës, jemi duke i bërë hapat e parë në atë drejtim dhe mendoj se deri në fund të vitit ne do të kemi projektin ideor të gatshëm dhe do të kemi infrastrukturën ligjore që në Mitrovicë të lejohet ndërtimi i një zone të lirë ekonomike, me të cilën dukshëm do të përmirësohet gjendja e punësimit dhe gjendja ekonomike e qytetarëve të Mitrovicës.

RKL: “ Mitrovica qytet i të gjithëve”, kjo ka qenë motoja e juaj gjatë fushatës elektorale, cilët do të jenë hapat e parë për realizimin e saj?

Avni Kastrati: Ne në kohën e fundit kemi kontakte të shumta më ndërkombëtarët dhe çdo herë e themi atë që është më esencialja, se jo vetëm Mitrovica që duhet me qenë qytet i të gjithëve por edhe e tërë Kosova është shtet i të gjithëve, por fatkeqësisht në  Mitrovicë janë disa specifika që qytetari nuk mund të lëvizë lirshëm posaçërisht në pjesën Veriore, kurse ajo nuk ndodh me serbet në pjesën Jugore dhe në pjesën tjetër të Kosovës, prandaj unë bashkërisht me ndërkombëtarët do të bëjmë krejt çka është e mundur, që si hap të parë të kemi qarkullimin e lirë të qytetarëve edhe në pjesë Veriore për arsye se ajo e krijon parakushtin që njerëzit të fillojnë të kthehen nëpër pronat e veta, që në numër më të madh janë si banesa në pjesën Veriore, prandaj kur e kam thënë atë kam menduar se para se gjithash qyteti duhet të jetë i të gjithëve, dhe në këtë aspekt duhet të na ndihmojnë edhe ndërkombëtarët, por fatmirësisht në kohët e fundit edhe ju jeni të informuar se është përgatitur prej Qeverisë e që brenda disa dite do të dal në kuvend strategjia për Veriun , e cila strategji do të sjellë pozicion më të mirë për serbët të cilët do të kenë mundësi edhe ndërtimin e infrastrukturës edhe shumë projekte që janë në të mirë të qytetarëve.

RKL: Cili do të jetë bashkëpunimi i juaj me Qeverinë  lidhur me strategjinë?

Avni Kastrati: Si kryetar i komunës së Mitrovicës e llogaris vetveten si kryetar i të gjithëve derisa të bëhen zgjedhjet e lira në pjesën Veriore, ato zgjedhje ju e dini se janë të planifikuara të mbahen në pjesën e dytë të këtij viti. Unë dhe të gjithë qytetarët si në veri po ashtu edhe në jug jemi të interesuar që ato zgjedhje të kenë sukses, dhe normalisht, tash për tash unë u ofroj ndihmesën time për projekte për shërbime, mirëpo pjesa Veriore është e manipuluar prej strukturave paralele, prej Beogradit, pavarësisht se ne ofrojmë projekte dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë për të mirën e qytetarëve, ata nuk dëshirojnë me i shfrytëzuar ato projekte për arsye se janë të manipuluar, andaj unë mendoj se Brenda një kohe shumë të shkurtë ata do të vetëdijësohen dhe do të ndërroj klima në krahasim më atë që është sot.

RKL: Qëndrimi  juaj ndaj strukturave paralele serbe?

 Avni Kastrati: Strukturat paralele serbe janë struktura që punojnë për interesa të ngushta personale, për interesa të ngushta të Beogradit, nuk janë struktura që e kanë parasysh interesin për të mirën e qytetarëve të Mitrovicës, prandaj jo vetëm se unë nuk i përkrah por kam informacione të shumta se edhe qytetarët e zakonshëm në masën më të madhe në masën dërrmuese nuk i përkrahin këto struktura, mirëpo këto struktura paralele janë të organizuara në mënyrë të tillë, të cilat duhet të shpërbëhen sa më shpejtë edhe me ndihmesën e ndërkombëtarëve për arsye se duhet pasur shumë të qartë se edhe në të kaluarën prej institucioneve ndërkombëtare, ndoshta pjesërisht kanë pasur mbështetje edhe ata tash janë të organizuar ashtu që thjesht duhet që me një organizim të përbashkët të shpërbëhen.

RKL: Cili është bashkëpunimi i juaj me komunitetin serb?

Avni Kastrati: E thash më parë që fatkeqësisht komuniteti serb nuk dëshiron t’ i shfrytëzojë të gjitha ato çka mund t’ iu ofrojë  komuna e Mitrovicës. Ne kemi zyrën për komunitete , në atë zyre kemi  zyrtarë nga komuniteti serb, ashkali, boshjnak, turk, me të gjithë bashkëpunojmë mirë, ata kanë për detyrë që  të jenë bashkëpunëtorët e parë me të gjithë qytetarët e minoriteteve përkatëse. Nuk kemi asnjë problem, ata vijnë rregullisht në punë kryejnë detyrat e veta por fatkeqësia më e madhe është se nuk janë në pozicion që t’iu japin shërbime të tjerëve, për arsye se mungon kërkesa për shërbime.

RKL:  Një mesazhi për qytetarët e Mitrovicës për këtë fillim të mandatit?

Avni Kastrati: Po sa i përket kësaj unë mendoj se qytetarët e Mitrovicës duhet të jenë të bindur se koha më e rëndë për Mitrovicën dhe mitrovicasit ka kaluar, duhet të shpresojmë për një të ardhme më të ndritur. Jam shumë i bindur se Qeveria e Kosovës së bashku me ndërkombëtarët ka marrë qëndrim shumë të prerë lidhur me strategjinë për Veriun dhe ky do të jetë sukses i madh,  e ky sukses do të përcillet me përmirësimin e kushteve të të gjithë qytetarëve, në rend të parë në Veri por edhe në Jug dhe ne si të tillë e mirëpresim dhe jemi ata që me të vërtetë do të ndihmojmë me krejt çka mundemi për t’i kaluar barrierat, që momentalisht figurojnë në mes të dy etnive, mes  serbëve në pjesën Veriore dhe shqiptarëve por me një aspekt  të veçantë se kjo ndodhë pse serbët nuk dëshirojnë t’i shfrytëzojnë të drejtat e veta e kurrsesi që ato të drejta nuk i kanë, pra nuk duan t’i disponojnë të drejtat që i kanë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …