Ali Hadri

Adil Fetahu: Akademiku, Ali Hadri, në mbrojtje të Flamurit Kombëtar

Akademik Ali Hadri ishte dhe, me veprën që la pas, mbetet njëni nga intelektualët, studiuesit dhe shkencëtarët ndër më të shquarit të kombit shqiptar. Me punën e tij kërkimore-shkencore, arsimore, edukative, botuese, ka lënë gjurmë të pashlyeshme e trashëgimi të çmueshme në arsimin, shkencën dhe kulturën kombëtare shqiptare. Historiani anglez, Noel Malkolm, në librin e tij: “Kosova – një histori e shkurtër” (fq.352), ka shkruar: “Disa intelektualë shqiptarë u sulmuan me motiv se kishin qëndrime nacionaliste në shkrimet e tyre; një ndër më të shquarit nga këta ishte profesor Ali Hadri…”.

Akademik Ali Hadri, me veprat e tij ishte kundërshtari më energjik dhe më i guximshëm i nacionalizmit destruktiv dhe forcave unitariste serbomëdha. Ai ishte ndër të parët që kërkoi dhe argumentoi të drejtën e shqiptarëve për republikë. Ai ishte mbrojtësi më energjik i Flamurit Kombëtar Shqiptar, i ruajtjes së pamjes autentike-historike dhe i lirisë dhe të drejtës së përdorimit të  Flamurit ndër shqiptarët në Jugosllavi (madje, nga dashuria për këtë simbol kombëtar,  edhe njenit prej djemëve të tij ia kishte vu emrin – Flamur).

 Pas vdekjes së kryetarit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, e sidomos pas demonstratave të vitit 1981, forcat nacionaliste dhe unitariste serbe u ringjallën dhe riaktivizuan me tërë arsenalin politik e propagandistik, kundër pozitës  dhe progresit të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas në Kosovë.  Ato forca preknin në pikat më të ndieshme të çështjes kombëtare: te universiteti dhe arsimi në përgjithësi, tekstet, kultura, flamuri, aq sa arritën të bëjnë ndryshime në Flamurin Kombëtar, duke i vu një yll të kuq në skajin e sipërm në të majtë të flamurit. Gjeneratave të asaj kohe, iu kujtohet ajo pamje e flamurit, dhe mënyra se si shqiptarët e mbështillnin flamurin nëpër shtizë, deri në gjysëm, që të mos shihej ylli! Akademik Ali Hadri, në mbrojtje të pamjes dhe të drejtës e lirisë së përdorimit të Flamurit Kombëtar, pëveç debateve e shkrimeve të shumta, prej vitit 1981 deri më 1986, tri herë iu shkroi letër të hapur organeve më të larta shtetërore të Jugosllavisë dhe mediave, në mbrojtje të flamurit. Njeni nga politikanët e lartë shqiptarë të asaj kohe (…), i kishte thënë Akademik Ali Hadrit: “Nuk ke pasur nevojë t’u shkruash letër dy kryesive të shtetit. Do të mjaftonte që të shkruaje kundër acionalizmit dhe separatizmit shqiptar, dhe do të ishe i nderuar dhe i respektuar nga shteti”! Ndërka, profesor Ali Hadri ia kishte këthyer: “Unë nuk mundem dhe nuk dua të shkruaj kundër popullit tim. Këtë punë ta kemi lënë ty”! Kjo përgjigje, dhe puna e tij atdhetare, i kishte kushtuar me shkarkim nga posti i drejtorit të Institutit të Historisë dhe përjashtim prej pune në atë Institut, të cilin e kishte themeluar vetë Akademik Hadri.

 Akademik Ali Hadri ka qenë intelektual e shkencëtar i guximshëm. Ka zhvilluar polemika publike me shumë personalitete, ndër të cilat më e njohura është ajo me Svetozar Vukmanoviq Tempon, lidhur me “Memoaret” e tij që gëlonin gënjeshtra e shpifje, por edhe me shumë historian e akademikë serbë. Një vale reagime e replika ka zhvilluar me Redaksinë e Enciklopedisë së Jugosllavisë, lidhur me tekstin “Shqiptarët” dhe “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave”. Ai ka zhvilluar luftë të ashpër kulturore dhe kurrë nuk ka ngurruar t’i kundërvihet cilitdo që ka prekur në interesat kombëtare shqiptare. Atë shumë herë e kanë sulmuar  politikanë, akademikë, historianë e media serbe,  duke e quajtur nacionalist dhe irredentist. Duke u përgjigjur një shkrimi të tillë, Akademik Hadri thoshte: “Aspak nuk shqetësohem nëse do të bëhem viktimë e sadizmit politik, sepse edhe ashtu do ta kem fatin tragjik të popullit tim”. Ky ishte Akademik Ali Hadri, i patrembur në mbrojtje të çështjes kombëtare. Në vazhdim, po japim përmbajtjen e një letre të hapur, që ua kishte dërguar organeve më të larta shtetërore të Jugosllavisë dhe mediave, në mbrojtje të Flamurit Kombëtar Shqiptar. Letra është përpiluar dhe dërguar në gjuhën serbokroate, e për këtë botim e përktheva unë, me kënaqësi dhe lehtësi, sepse Akademik Ali Hadri shkruante qartë e rrjedhshëm. Ja përmbajtja e plotë e Letrës së hapur e Akademik Ali Hadrit:

“PËR PËRDORIM TË BARABARTË TË FLAMURIT AUTENIK KOMBËTAR DHE REVOLUCIONAR TË POPULLIT SHQIPTAR

Në vend të hyrjes

Është e ditur se valvitja e flamujve si simbole shtetërore, nacionale, shoqërore, politike, etj., jo vetëm se është akt përparimtar i botës së qytetëruar, por është edhe nder dhe krenari e bashkësisë sonë shumënacionale – RSFJ. Praktika disavjeçare e barazisë nacionale, e shprehur edhe përmes përdorimit të barabartë të Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, është rrënuar në formën drastike kohëve të fundit, duke nënvlerësuar këtë simbol tonin, veçmas nga forcat antikomuniste, dhe kjo është bërë për shkak të qëllimeve dhe përpjekjeve jo të shëndosha antishqiptare dhe anticivilizuese.

Kundërshtarët më të zëshëm të Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar janë forcat e djathta reaksionare, të cilat, të frymëzuara nga shovinizmi tradicional borgjez antishqiptar, pa fije turpi kërkojnë që të ndalohet përdorimi i flamurit tonë, duke arsyetuar me pretekste të rrejshme, kinse ky flamur gjatë historisë paska qenë simbol i armiqësisë ndaj popujve jugosllavë. Sa është absurd kjo shpifje flagrante, akoma më e mbrapshtë është kërkesa e shovenistëve të tërbuar që të ndalohet ky flamur, i cili në kontinuitet shumëshekullor ka qenë dhe ka mbetur simbol i pacënueshëm i popullit tonë paqëdashës dhe revolucionar.

E drejta për flamurin kombëtar dhe përdorimin e tij të lirë e të barabartë në një shtet multinacional, sikurse është bashkësia jonë vetëqeverisëse socialiste, është e pandashme dhe e lidhur me të drejtat elementare nacionale. Në bazë të kësaj të drejte kombëtare të pacënueshme, dhe në bazë të vullnetit të popullit, që flamuri në asnjë mënyrë të mos përdhoset, as në aspektin e ndryshimit eventual të formës, as  në pikëpamje të kufizimit eventual të lirisë së përdorimit të barabartë në RSFJ,- për herë të tretë po ju shkruaj letër të hapur (herën e parë kam reaguar më 22 korrik 1981, ndërsa herën e dytë më 21 shkurt 1983), me shpresë se në këtë mënyrë do të ndihmojmë, për aq sa është e mundur në kushtet tona, për të eliminuar mendimet e mbrapshta dhe keqpërdorimet drakonike në raport me flamurin tonë aq të dashur në masën e popullit shqiptar.

  1. Pak histori

Rëndësia e madhe e flamujve të të gjitha kombeve, e kështu është edhe e flamurit të popullit shqiptar, mund të kuptohet plotësisht poqese ky simbol shikohet në kontekst të zhvillimit historik të popullit, ngase fatet e tyre janë historikisht të ndërlidhura. Flamuri shqiptar është poashtu i lidhur me fije të pashkëputshme me fatin e popullit, qysh prej shkullit të mesëm, do të thotë prej kohës së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, personalitet historik i cili për një çerek shekulli e udhëhoqi me sukses rezistencën antiosmane, e cila jehoi fuqishëm në vendet ballkanike dhe evropiane. Pikërisht asokohe ky simbol i luftës heroike të popullit tonë kundër pushtuesve osmanë është bërë i njohur dhe për te është folur me respekt të lartë. Qysh prej epokës së lavdishme të Skenderbeut, e deri më sot, flamuri ka qenë simbol kombëtar i popullit shqiptar, gjë që tregon rëndësinë e tij historike.

Gjatë sundimit të pushtuesve osmanë në Ballkan, populli shqiptar, me flamurin e vet në ballë, ka zhvilluar luftëra të pandërprera me shekuj për mbrojtjen e vet, për ekzistencë dhe për identitet kombëtar, për liri dhe pavarësi nacionale, sikur edhe popujt e tjerë liridashës dhe revolucionar të Ballkanit.

Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, në kohën e formimit të kombeve, zgjimit kombëtar dhe zhvillimit të lëvizjeve kombëtare të popujve të Ballkanit,  procesit të njohur historik që u zhvilluan në kushtet e rënies së feudalizmit e të lindjes së kapitalizmit, e që është veçori edhe e popullit shqiptar, flamuri ynë, si simbol i luftës për liri e pavarësi kundrejt pushtimit osman, mori karakter të përgjithshëm kombëtar. Ngritja e flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, si kurorëzim i suksesshëm i rilindjes kombëtare shqiptare, simbolizoi shpalljen e pavarësisë kombëtare të Shqipërisë. Prej kësaj date të rëndësishme historike, ky flamur u bë edhe simbol i shtetit të pavarur shqiptar.

Edhe pas luftërave ballkanike, flamuri kombëtar shqiptar, i ngulitur thellë në ndërgjegjën e popullit shqiptar, nuk ka pushuar të jetë simbol kombëtar, pa marrë parasysh kufijtë politik midis shteteve ballkanike të asaj kohe, gjë që është fakt i pamohueshëm që në mënyrën të qartë u shpreh në rezitencën kombëtare shqiptare në kohën e Luftës së Tretë Ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Midis dy luftërave botërore, flamuri kombëtar shqiptar, si simbol kombëtar, qëndroi thellë në ndërgjegjën historike të masave shqiptare,  që posaçërisht u manifestua në rezistencën nacionale shqiptare në Kosovë (1918-1928) kundër eksploatimit social dhe shtypjes së pamëshirshme nacionale nga borgjezia hegjemoniste serbomadhe.

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, flamuri kombëtar shqiptar pësoi ndryshime të qenësishme nga okupatori fashist Italian dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët ia mbërthyen nga të dy anët shenjën e Liktorit (ambelemi i fashistëve Italianë), ndëra dy krerët e shqiponjës – kurorën mbretërore të dinastisë së Savojës. Kjo ngjarje e hidhur realisht shënoi robërimin e popullit shqiptar. Ai flamur i përdhosur nga fashistët, ishte simbol i pushtetit kuisling fashist. Kundër përdhosjes së flamurit, në mënyrë të vendosur ngritën zërin komunistët dhe antifashistët shqiptarë, e pastaj edhe me manifestime dhe demonstrata masovike, madje edhe me atentat kundër mbretit të Italisë fashiste, Viktor Emanueli III, duke shprehur kështu kulmin e zemërimit kundër fashizmit Italian dhe tradhtarëve të vendit. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, okupatori nacist gjerman, për motive demagogjike, u deklarua për falmurin shqiptar pa shenjat e fashizmit, me qëllim që të krijohet përshtypja e rrejshme te shqiptarët, kinse ishte për pavarësi të njëmendët të Shqipërisë.

Lëvizja nacional-çlirimtare e Shqipërisë e ka përdorur Flamurin Shqiptar me yllin e kuq pesërrembësh mbi shqiponjën dykrenare. Kështu ishte vendosur në Konferencën e Pezës, të mbajtur më 16 shtator 1942, në të cilën u shqyrtua çështja e bashkimit të popullit shqiptar në një front të vetëm , unik, në luftën kundër okupatorit fashist dhe bashkëpunëtorëve të tij.  Në atë Konferencë ishte vendosur që çetat partizane, si shenjë dalluese do të bartin shenjën partizane, flamurin kuqe-zi me yll të kuq pesërrembësh, ndërsa çetat vullnetare të bartin flamurin kuqe-zi (pa shenja tjera,a.f.). Ylli i kuq pesërrembësh, si shenjë dalluese e partizanëve,  simbolizonte përmbajtjen revolucionare të luftës antifashiste për çlirimin nacional dhe social, dhe bashkimin në solidaritetin ndërkombëtar të luftëtarëve revolucionarë antifashistë të mbarë botës, e veçmas vëllazërimin e partizanëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, të cilët me luftën e tyre ishin shembull i vërtetë se si duhet të luftohet kundër okupatorit fashist dhe tradhtarëve të të gjitha ngjyrave. Sipas shembullit të partizanëve të Jugosllavisë, ku lufta partizane kishte marrë hov qysh në korrik të vitit 1941, filloi të përdoret ylli i kuq pesërrembësh edhe te partizanët e Shqipërisë, me çfarë shprehej bashkëpunimi i fuqishëm ndërkombëtar i dy lëvizjeve më të rëndësishme nacional-çlirimtare të asaj kohe – jugosllavo-shqiptare.

Përdorimi i flamujve kombëtar me yllin e kuq pesërrembësh, dmth. edhe atij shqiptar, ka qenë veçori dalluese e lëvizjes nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, mu për shkaqet e përmendura. Edhe partizanët shqiptarë, si luftëtarë të kësaj lëvizjeje, e kanë përdorur flamurin e vet kombëtar me yllin e kuq pesërrembësh. Në të vërtetë, trekolori jugosllav, bashkë me flamujt nacional të popujve jugosllavë, por edhe me flamurin shqiptar, të gjitha këto me yllin e kuq pesëcepësh, si shenjë partizane e ndryshimeve revolucionare brënda vendit dhe e solidaritetit ndërkombëtar të antifashistëve të të gjitha kontinenteve, u bënë simbole të revolucionit socialist të Jugosllavisë. Urdhërin për të përdorur flamujt nacionalë me yllin e kuq pesërrembësh, për shenjat në kapelat partizane, në përshëndetjet partizane si dhe për tekstin e betimit të partizanëve, e ka dhënë Shtabi i Përkohëshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare për Kosovë e Metohdi, më 1 nëntor 1942, në frymën e linjes së njohur të PKJ në lidhje me këtë çështje.  Nën këtë flamur kanë dhënë jetën e tyre mijëra partizanë shqiptarë, të bashkuar e të vëllazëruar me partizanët jugosllavë.

Pas çlirimit, Flamuri Kombëtar-Revolucionar vazhdoi të valvitej në tërë Shqipërinë, ndërsa përligjjen e tij edhe si flamur shtetëror i  RPSh (Republikës Popullor të Shqipërisë,a.f.), e ka bërë Kuvendi Kushtetutëdhënës, në janar të vitit 1946. Me atë akt ligjor, u kurorëzua një nga fitoret e revolucionit popullor shqiptar.

Poashtu, pas çlirimit, edhe në RSFJ vazhdoi të valvitej edhe Flamuri Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, sëbashku me trekolorin jugosllav të partizanëve, dhe me flamujtë e tjerë kombëtarë e revolucionarë të popujve të Jugosllavisë, si dëshmi e qartë e barazisë dhe vëllazërim-bashkimit të popujve tanë. Mirëpo, më vonë, ajo praktikë revolucionare e lirisë së përdorimit të Flamurit të popullit shqiptar ndryshoi rrënjësisht, ngase përdorimi i tij u ndalua, me shpjegime të rrejshme, kinse ai është simbol ekskluziv shtetëror i RPSh. Kjo ngjarje e pakëndshme ka pasur ndikim serioz në përkeqësimin e marrëdhënieve ndërnacionale në vendin tonë.

Pas Plenumit të Brioneve, ndalimi i përdorimit të lirë të Flamurit të Popullit Shqiptar me të drejtë u karakterizua si shkelje flagrante e të drejtave elementare kombëtare nga ana e forcave unitariste, të cilave nuk iu shkonte në favor barazia e popujve tanë. Duke i luftuar njëkohësisht forcat unitariste, në një atmosferë demokratike u vendos përsëri përdorimi i lirë dhe i barabartë i flamurit tonë kombëtar dhe revolucionar, që do të thotë se u riafirmua një e drejtë nacionale me rëndësi jetike. Ky akt internacional i LKJ u përshëndet në mënyrë plebishitare nga masat e popullit shqiptar në RSFJ. Rreth pesëmbëdhjetë vjetë (1966 – 1980), gjatë kohës sa ishte gjallë kryetari Tito, personaliteti më i shquar i historisë së Jugosllavisë së re Socialiste, Flamuri ynë Kombëtar valvitej lirisht, sëbashku me Flamurin e shtetit jugosllav dhe me flamujt tjerë nacionalë të vendit. Ishte ajo periudhë e zhvillimit të hovshëm të popullsisë shqiptar në të gjitha sferat e jetës, veçmas në superstrukturë, që me të drejtë u quajt rilindje e shqiptarëve, në krahasim me periudhën e parabrioneve kur forcat unitariste me në krye Aleksandër Rankoviqin bënin deformime të tmerrshme me të cilat shkaktuan dëm të frikshëm popullit shqiptar në tërë vendin: terror masiv mbi shqiptarët, veçmas me të ashtuquajturin aksioni i mbledhjes së armëve nga shqiptarët e Kosovës, njësoj sikur ai në vitin 1940 i kryer nga Jugosllavia borgjeze; shpërngulja në përmasa masive e Shqiptarëve, e cila ka filluar qysh nga Luftërat Ballkanike; kufizimi drastik i të drejtave të zhvillimit të identitetit kombëtar shqiptar, veçmas të arsimit të lartë, dhe të kulturës e shkencës shqiptare; reduktimi maksimal i statusit autonom të Kosovës, duke e shndërruar në një formë të thjeshtë me përmbajtje të varfër; keqpërdorimi i traditës nacionale pozitive të shqiptarëve, veçmas të gjuhës, letërsisë, historisë dhe folklorit;  përhapjes së mosbesimit dhe urrejtjes ndaj popullit Shqiptar; përgatitjet për eliminimin e udhëheqjes politike të Kosovës, posaçërisht përmes të ashtuquajturit Procesi i Prizrenit,- e gjithë kjo me qëllim që jeta e masave të popullit Shqiptar në Jugosllavi të bëhej plotësisht e padurueshme.

Në këtë moment

Dhe sikur historia po përsëritet. Pas vdekjes së kryetarit Tito, në kushte të krizës së përgjithshme shoqërore dhe ekonomike, u ndryshuan shumë raportet shoqërore-politike në favor të forcave unitariste, të cilat po i nxisin forcat antikomuniste të ngjyrave të ndryshme, që të ngritën kundër fitoreve të revolucionit socialist dhe kundër identitetit nacional revolucionar, do të thotë edhe kundër Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar. Mendimi destruktiv i forcave antikomuniste ndaj Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, që dëshmon për krizën e thellë të marredhënieve ndërnacionale në tërë vendin, gjithnjë e më tepër po gjenë vend dhe hapësirë në mjetet e informimit, dhe kështu po ndikon negativisht në një pjesë të opinionit publik, duke krijuar kështu disponim ekstrem antishqiptar, me pasoja të rënda. Kohëve të fundit, dhe momentalisht, Flamuri Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar është bërë objekt i analizave dhe shqyrtimeve kontradiktore, në nivel komunal, krahinor, republikan dhe federativ.

Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë është një ndër bashkësitë e rralla shumënacionale në botë, e cila ua ka njohur pakicave të drejtën e përdorimit të flamujve të tyre nacionalë. Kjo e drejtë pas Plenumit të Brioneve është rregulluar në mënyra të ndryshme në republika dhe në krahina të ndryshme socialiste. Kështu, në Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës e drejta e përdorimit të flamujve kombëtar nga kombësitë është rregulluar me nenin 6 të Kushtetutës së saj; në Republikën Socialiste të Maqedonisë është rregulluar me ligj të posaçëm; në Republikën Socialiste të Malit të Zi është rregulluar me norma të statutit të komunës; në Republikën Socialiste të Kroacisë poashtu me statutet e komunave në pajtim e ligjin republikan; në Krahinën Socialiste Autonome të Vojvodinës gjithashtu me norma në nivel të komunave; në Republikën Socialsite të Serbisë, jashtë territorit të krahinave autonome, poashtu është rregulluar me norma të statuteve të komunave.

Jo vetëm rregullimi juridik, veçse edhe praktika e përdorimit të flamujve kombëtar të kombësive ishte dhe është e ndryshme nëpër republika e krahina. Një keqpërdorim drastik në këtë plan është bërë në RS të Malit të Zi, ku është ndaluar “përkohësisht” përdorimi i Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, në bazë të vendimit të Kryesisë së Lidhjes Socialiste, duke arsyetuar këtë masë të padrejtë, kinse këtë po e dëshiron kombësia shqiptare në mjediset e bashkësive të përziera, gjë që është gënjeshtër e vrazhdë, ngase është në kundërshtim me faktin se populli shqiptar gjatë historisë flamurin e ka adhuruar si simbol të shenjtë, dhe për këtë masat shqiptare i kanë mbetur besnike flamurit të vet edhe në bashkësinë tonë socialiste.

Në këtë moment, në qendër të vëmendjes dhe interesimit të opinionit shoqëror janë mendimet dhe qëndrimet lidhur me të ashtuquajturin rregullimin unik të formës (pamjes) dhe përdorimit të flamujve të kombësive, duke ia shtuar një nga tre simbolet e sovranitetit shtetëror të RSFJ. Tri Kryesitë e nivelit federativ: Kryesia e KQ të LKJ, Kryesia e RSFJ dhe Kryesia e LSPPJ, kanë marrë qëndrim që në flamurin tonë kombëtar, ylli i kuq partizan të zëvendësohet me yllin e kuq pesërrembësh të Flamurit Shtetëtor të Jugosllavisë; Kryesia e LSPP të Kosovës ka mendimin se ylli i kuq pesërrembësh i Flamurit Shtetëror të Jugosllavisë të vendoset në këndin e majtë të sipërm të Flamurit tonë kombëtar, duke hequr yllin e kuq pesërrembësh ekzistues mbi shqiponjën dykrenare; në Kuvendin Federativ, dhe jo vetëm aty, dëgjohën zëra të cilët kërkojnë vendosjen e trekolorit jugosllav, apo të stemës jugosllave në këndin e majtë të pjesës së sipërme të flamurit tonë kombëtar, duke mos e hequr yllin e kuq pesërrembësh partizan. Të gjitha këto të dhëna i gjejmë në shtypin ditor dhe revial jugosllav.

Besojmë se nuk është e tepërt të japim edhe mendimin tonë, aqë më tepër që deri më tash nuk kemi pasur rastin të lexojmë në gazeta apo në revista mendimin e asnjë shkencëtari shqiptar lidhur me këtë problematikë. E para, kërkesa për ndryshimin e formës së Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar nuk ka bazë të shëndoshë në asnjë pikëpamje, ngase çdo ndryshim në këtë Flamur në të vërtetë do të thotë eliminimi i tij i plotë nga territori i RSFJ-së, dhe eliminimi i plotë i një tradite nacionale dhe revolucionare të popullit shqiptar, si tërësi kulturo-historike, të cilën me të drejtë e afirmon Programi i LKJ-së. E dyta, çfardo ndryshimi i Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, duke ia shtuar çfarëdo simboli të RSFJ-së, do të thotë krijimi i një flamuri tjetër – të ashtuquajtur të kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Në këtë mënyrë, realisht bëhet ndërrimi rrënjësor i tezave: përmes të ashtuquajturit flamuri i kombësisë shqiptare, eliminohet Flamuri Kombëtar dhe Revolucionar i Popullit Shqiptar (si tërësi,a.f.). E treta, çfarëdo ndryshimi i Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, do të thotë një akt antihistorik, jo vetëm ndaj historisë nacionale të popullit tonë, veçse edhe ndaj traditës internacionale të revolucionit socialist të Jugosllavisë. E katërta, çdo ndryshim i Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, do të thotë shkelje flagrante e vullnetit të kombësisë shqiptare, e cila dëshiron ta ruajë traditën dhe identitetin e vet përmes flamurit autentik historik të popullit shqiptar, pa marrë parasysh kufijtë politikë. E pesta, çdo ndryshim i Flamurit Kombëtar e Revolucionar Shqiptar, kundër vullnetit të kombësisë shqiptare, do të thotë keqpërdorim i të drejtave elementare nacionale dhe i barazisë nacionale, të garantuara me sistemin tonë të brendshëm. E gjashta,  çdo ndryshim i Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, duke ia mohuar kombësisë shqiptare të drejtën e referendumit që të deklarohet për këtë çështje me randësi jetike për identitetin e saj nacional, do të ndikonte keq në marrëdhëniet ndërnacionale në vend dhe në botën e qytetëruar në tërësi, sepse këtu është fjala për një të drejtë nacionale të njohur në bashkësinë tonë si e pacënueshme. E shtata, çfarëdo kufizimi eventual i lirisë dhe barazisë së përdorimit të Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, nuk do të ishte në pajtim me politikën LKJ dhe të bashkësisë sonë socialiste për  barazinë nacionale. E teta, fjalimi i kryetarit Tito në Kongresin IX të LKJ-së, në vitin 1969, në lidhje me Flamurin Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, nuk po interpretohet burimisht (drejtë, a.f.). Në atë fjalim, ai shprehimisht ka thenë: “Sa i përket flamurit, për të cilin është bërë fjalë mjaft, Shqiptarët në vendin tonë duhet ta kenë atë, por ai flamur gjithsesi duhet të jetë në pajtim me sovranitetin shtetëror të Jugosllavisë, dhe për këtë duhet të miratohen dispozita të qarta”. Në kundërshtim me mendimet e disa interpretuesve, të cilët këto fjalë të Titos po i identifikojnë (kuptojnë,a.f.) si kërkesë për ndryshimin e Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, duke ia shtuar ndonjë simbol të RSFJ-së,- ne mendojmë se fjala e kryetarit Tito kishte të bënte me përdorimin e Flamurit tonë Kombëtar dhe Revolucionar autentik dhe në pajtim me sovranitetin e RSFJ-së, që do të duhet të sigurohet me normë ligjore të qartë. Kryetari e kishte të qartë, para dhe pas fjalimit të tij në Kongresin IX të LKJ-së, se fjala është për Flamurin ekzistues Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, e jo për ndonjë flamur joekzistues të kombësisë shqiptare. Në vitin 1971, me lejen e kryetarit Tito, Konferenca Federative e LSPPJ, pati miratuar një rezolutë për përdorimin e brabartë të Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, pa prekur pamjen e tij autentike historike. Në vitin 1974, përsëri, me pëlqimin e kryetarit Tito, në nivel federativ është marrë qëndrim se flamujt republicanë janë simbole të popujve të Jugosllavisë, ndërsa trekolori jugosllav është flamuri shtetëror i RSFJ-së. Kryetari Tito disa herë që e ka vizituar Kosovën, është pritur përzemërsisht edhe me Flamurin Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, për formën të cilit asnjëherë nuk ka bërë ndonjë vërejtje konkrete. Tito e ka ditur se Flamuri Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar po valviatet mjaft gjatë në jug të Jugosllavisë, në rajonet me popullsi shumicë shqiptare, por asnjëherë nuk ka propozuar që ai (flamur,a.f.) të zëvendësohet me ndonjë të ashtuquajtur flamur joekzistues të kombësisë shqiptare. Me një fjalë, duhet të zbatohet në jetë porosia e Titos lidhur me përligjjen e përdorimit të Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, në mënyrë që të sigurohet nga aspekti juridik që flamuri ynë të jetë plotësisht në pajtim me sovranitetin shtetëror të RSFJ-së.

Në vend të përfundimit

Në fund të kësaj letre të hapur, po theksojmë se Flamurin Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, si simbol historik i pazëvendësueshëm i popullit shqiptar, nuk duhet eliminuar me ndonjë normë ligjore apo në ndonjë mënyrë tjetër, sepse kjo do të merrej si shkelje drakonike e vullnetit të dëshmuar të kombësisë shqiptare për kontinuitetin e tij autentik dhe përdorim të lirë dhe të barabartë të flamurit, sëbashku me flamujt e tjerë të vendit, dhe se ky nuk është në kundërshtim me sovranitetin shtetëror të RSFJ-së; përkundrazi ky veçsa e forcon, ngase vetëm kombet dhe kombësitë e barabarta janë garancë e pavarësisë dhe prosperitetit të vendit; që politikën dhe praktikën e përdorimit të lirë e të barabartë të këtij flamuri, bashkë me flamujtë e tjerë të vendit, nuk duhet reviduar, ngase një veprim i tillë do të ishte plotësisht në kundërshtim me të drejtat elementare nacionale; se zëvendësimi i Flamurit Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar me ndonjë të ashtuquajtur flamur i kombësisë shqiptare, si akt antihistorik dhe antinacional, nuk do të pranohet nga masat shqiptare të vendit. Shkurt: Shqiptarët nuk dëshirojnë t’iu ndërrohet Flamuri Kombëtar dhe Revolucionar Shqiptar, ngase ai është fitore e rëndësishme e historisë shumëshekullore dhe e revolucionit socialist, por dëshirojnë kontinuitetin e tij në formën autentike historike, si dhe përdorimin e lirë e të barabartë të flamurit tonë, së bashku me flamujtë e tjerë, shtetëror dhe nacionalë, në RSFJ.”

Prishtinë, 27 nëntor 1986       Akademik Ali Hadri

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …